Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu, ka deklaruar se subjekti i saj politik ka bërë gjithçka që ka qenë e mundur për të tejkaluar krizën e re politike në Kosova. Musliu tha se është krejtësisht normale që PDK-ja ka kërkuar që emri i presidentit të ardhshëm të vijë nga radhët e këtij subjekti politik. Sipas saj, Partia Demokratike e Kosovës ka pasur një ofertë të qartë për zgjidhjen e ngërçit politik, duke theksuar se partia ka ofruar alternativa konkrete për tejkalimin e situatës. Sa i përket emrave të propozuar për postin e presidentit nga PDK-ja, të cilët nuk janë bërë publikë, Musliu tha se kjo është bërë për të shmangur, siç u shpreh ajo, që ata të bëhen “tabelë qitjeje”. Deputetja e PDK-së ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se nuk ka interes për zgjidhjen e ngërçit politik, pasi sipas saj ai synon të mbajë kontroll të plotë mbi pushtetin. “E vetmja arsye është kapja e shtetit, ose menaxhimi i pushtetit total që e ka në Kosovë”, ka deklaruar Musliu.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
