Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar ndaj njoftimit të këshilltarit të Kryeministrit në detyrë, Armend Mehaj, i cili tha se disa institucione private do ofrojnë zbritje për shërbime shëndetësore për pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. Musliu thekson se ndihmat private, sado me qëllime të mira, nuk janë zgjidhje për një institucion jetik si Policia e Kosovës. “Policia nuk mund të trajtohet me lëmoshë. Ajo meriton paga të dinjitetshme, pension të sigurt dhe mbulim të plotë shëndetësor nga shteti,” shkroi Musliu. Ajo tha se kujdesi për Policinë duhet të jetë përgjegjësi e përhershme shtetërore, jo gjest simbolik. Musliu përfundoi me thirrjen se është koha për politika të mirëfillta, e jo për veprime emocionale.