Bafti Tafil Buçaj (29.2.1956 – 31.5.1999)

Bafti Tafil Buçaj (29.2.1956 – 31.5.1999)

Dhuna njëshekullore e okupatorit serb, e ushtruar me metoda barbare ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës dhe viseve të tjera të okupuara, ka lënë qindra e mijëra të vrarë, të plagosur, të dëbuar nga vatrat e tyre dhe të persekutuar në forma të ndryshme. Vitet e ‘80 dhe ‘90 të shekullit 20 u karakterizuan nga zgjimi shqiptar kundër robërisë, të cilin e pasqyronin protestat dhe demonstratat e fuqishme, e veçanërisht veprimi i organizuar i grupeve dhe organizatave atdhetare. Ky zgjim u kurorëzua me formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me orga-nizimin e luftës çlirimtare në vitin 1998, e cila rezultoi me fitoren e arritur nën drej-timin e UÇK-së.

Në mesin e të rinjve që kishin kaluar nëpër reprezalie të ndryshme, sikurse edhe pjesa më e madhe e popullësisë shqiptare nën Jugosllavi, është edhe dëshmori i kom-bit, Bafti Buçaj nga Lladrovci i Malishevës.

Baftiu u lind më 29. 2. 1956 nga prindërit Tafil e Xhemile Buçaj. Ai ishte vëllai i madh i katër motrave dhe tre vëllezërve: Milaimit, Agronit, Elmiut e Lumturies, Kimetes, Shahës dhe Kadës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen, në Therandë (ish-Suharekë).

Pas demonstratave të vitit 1981 Bahtiu detyrohet të shkojë në shërbimin e oblig-ueshëm ushtarak në Kroaci, mu në kohën kur besimi ndaj ushtarëve shqiptarë ishte luhatur skajshmërisht. Meqenëse në Kosovë nuk mund të gjente punë, në profesionin për të cilin ishte kualifikuar, për industrinë e gomës, Baftiu detyrohet të kërkojë punë në Slloveni, ku qëndroi katër vite, gjatë të cilave bëri punë të ndryshme për ta sigu-ruar ekzistencën ekonomike të familjes në Kosovë. Më 1986 kthehet në vendlindje dhe punësohet në ndërmarrjen e vreshtarisë “Mirusha”. Viti 1989 dhe dekada që pasoi atë ishin me ngjarje dramatike për shqiptarët në Kosovë, por edhe me kthesa his-torike, ndaj të cilave nuk do të qëndrojë indiferent as Baftiu. Ai mori pjesë në prote-stat dhe demonstratat që u organizuan kundër heqjes së autonomisë së Kosovës dhe kundër largimit të punëtorëve shqiptarë nga vendet e tyre të punës.

Në vitet e fundit para se të shpërthente lufta çlirimtare në Kosovë, bëri punë të ndryshme, vullnetarisht, në shkollën e fshatit, që të krijonte kushte më të mira të punës për procesin mësimor që zhvillohej nëpër shtëpitë private.

Me fillimin e luftës në zonën e Drenicës, Baftiu pa vonesë u angazhua në sek-torin e logjistikës, për sigurimin e ushqimit, veshmbathjes dhe strehimit për popul-latën e shpërngulur si pasojë e luftimeve, ndërsa me themelimin e pikës së luftimeve në Lladrovc, u angazhua për ta ndihmuar kompaninë e II-të “Ali Zogaj” të UÇK-së, e cila vepronte në kuadër të Batalionit IV të Brigadës 121 “Ismet Jashari – Komandant Kumanova”. Ai mori pjesë në betejat e shumta të kësaj kompanie, duke përfshirë edhe në ato të zhvilluara në fshatin Luzhnicë në gusht të vitit 1998. Me rënien e Rahovecit, Baftiu u kujdes për strehimin e dy familjeve rahoveciane, duke ua siguruar ushqimin dhe veshmbathjen. Më 31 maj të vitit 1999 istikamet e Kompanisë së II-të, u granat-uan pa ndërprerë. Luftëtarëve të UÇK-së u ishte harxhuar municioni dhe ushqimi, por ata ishin të vendosur të qëndronin në istikame për të mos lejuar depërtimin e këm-bësorisë serbe në drejtim të rrafshnaltës së Berishës. Baftiu tashmë kishte arritur të de-përtojë deri te bashkëluftëtarët e tij dhe u kishte sjellur ushqim e municion. Në një çast, copat e një granate të hedhur nga militarët serbë në drejtim të pozicioneve të UÇK-së e godet për vdekje Baftiun, e përkrah tij edhe vëllain e vetëm të tri motrave, Avniun. Të kota qenë përpjekiet e shokëve të luftës për t’u dhënë ndihmë. Varrimi i dy pjesëtarëve të UÇK-së u bë në kushte të rënda lufte. Ndërkaq, pas çlirimit, trupi i Baftiut është sjellur në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë, ku i bën roje lirisë së atdheut.

Dëshmori i lirisë Bafti Buçaj ka lënë bashkëshorten, Metullahen, djalin Visarin si dhe dy vajzat, Malësoren e Gentën.

Mirënjohje për kontributin e dhënë për lirinë e Kosovës, familjes së dëshmorit i është dhënë nga institucionet qendrore dhe ato lokale. (I. S.)

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. …