Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, është shprehur skeptike lidhur me përfundimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, që do të mbahet të premten, më 19 prill. Ajo ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar për krijimin e “dramave të panevojshme” dhe për përdorimin e situatës aktuale për përfitime politike. Që të jem e sinqertë, në seancë mund të presim gjithçka dhe asgjë. Nuk është për t’u habitur që Vetëvendosje edhe një situatë krejtësisht normale e shndërron në një dramë teatrale, deklaroi Musliu. Situata e krijuar e ka përçarë shoqërinë. Juristët janë të ndarë, presidentja heshtë, KQZ është shndërruar në patericë të pushtetit. Në vend të kompromisit, ne duhet të kërkojmë llogari, sepse po rrezikohet demokracia jonë, tha ajo. Zgjidhja është e lehtë: kemi të bëjmë me shkelje ligjore dhe shkelësit duhet të sanksionohen. Ata që nuk e respektojnë Kushtetutën nuk kanë vend në qeveri, por në burg, përfundoi Musliu.
