Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, në seancën e jashtëzakonshme Parlamentare dedikuar rritjes së çmimeve të prodhimeve konstatoi se kryeministri Kurti është “ sikur i shkëputur nga realiteti”. E kishim të qartë se ky njeri do të shkaktonte kaos menaxherial, por për fat të keq kaosi i tij ka marrë rrugën e rrezikshme për vendin dhe për të gjithë ne. Askush nuk habitet më, me ndryshimin e Albinit. As me harresën e tij dhe të atyre deklaratave të tij të famshme”. Ajo që nuk mund të tolerohet më është gatishmëria e tij për të mohuar të gjitha të arriturat e deritashme, për të mohuar edhe vet historinë dhe për të rrezikuar jetën dhe të ardhmen e qytetarëve të Kosovës. Edhe qytetarët e kanë kuptuar hipokrizinë e Albinit dhe talljen që ai çdo ditë e bën në adresë të tyre. Andaj opozita nuk mund të heshtë, dhe kjo opozitë pandërprerë e ka ngritur zërin kundër keqqeverisjes se Albin Kurtit. Është e vërtetë, ne nuk hodhëm gaz lotsjellës. Nuk u çirrem nëpër këtë Kuvend duke ofenduar dinjitetin njerëzor të askujt, por kjo opozitë e paralajmëroi Albin Kurtin për sfidat që kalonim me pandeminë dhe më vonë për zhvillimet politike globale, këtë nuk mund ta mohojë askush”, tha mes tjerash deputetja, Ganimete Musliu.
