GAP: Publikimi i raportit, Profilet e bizneseve: Ndërmarrësia e grave dhe pakicave etnike në Kosovë

GAP: Publikimi i raportit, Profilet e bizneseve: Ndërmarrësia e grave dhe pakicave etnike në Kosovë

Sot, Instituti GAP ka publikuar raportin “Profilet e bizneseve: Ndërmarrësia e grave dhe pakicave etnike në Kosovë”, të mbështetur nga USAID përmes Aktivitetit të Angazhimit Ekonomik Gjithëpërfshirës, partneritet me CDF. Ky raport identifikon profilet e bizneseve në pronësi të grave dhe atyre të pakicave etnike, duke analizuar praninë e tyre në Kosovë sipas madhësisë së biznesit, vendndodhjes gjeografike dhe sektorit ekonomik në të cilin ato operojnë. Për më tepër, raporti analizon jetëgjatësinë e bizneseve në pronësi të grave krahasuar me bizneset në pronësi të burrave.

Gjithsej janë analizuar 96,995 biznese aktive nga 227,759 biznese të regjistruara në Kosovë (nga viti 2000 deri në mars 2023). Nga këto biznese, 78,7% janë në pronësi të burrave, 18% janë në pronësi të grave, 2,3% janë në bashkëpronësi të paktën të një gruaje, ndërsa për 1% tjetër nuk dihet gjinia e pronarëve/eve. Raporti tregon se bizneset mikro, të vogla dhe të mesme përbëjnë 99% të numrit të përgjithshëm të bizneseve në pronësi të grave në Kosovë. Nga bizneset e analizuara, 5,253 prej tyre janë në pronësi të individëve të pakicave etnike në Kosovë; 30% serb, 28% turq, 10.5% boshnjak, 2.7% goran, 2% ashkali, 1.7% rom, 1.7% egjiptian, 0.1% malazez, ndërsa 22% e tyre nuk janë të kategorizuar. Nga numri i përgjithshëm i bizneseve në pronësi të pakicave etnike, 79% janë në pronësi të burrave dhe 21% të grave.

Përveç kësaj, në Kosovë janë 33,003 biznese të shuara (nga viti 2000 deri në mars 2023). Prej tyre, 64% janë në pronësi të burrave, 12% janë në pronësi të grave, 0.3% janë në pronësi të paktën të një gruaje dhe për 23.7% të bizneseve nuk dihet gjinia e pronarëve/eve. Analiza e 3,801 bizneseve të shuara në pronësi të grave sugjeron se jetëgjatësia mesatare për bizneset në pronësi të grave është 4.36 vite, që është më e shkurtër se jetëgjatësia mesatare prej 8.1 vitesh për bizneset në pronësi të burrave. Bizneset në pronësi të grave me jetëgjatësinë mesatare më të ulët operojnë në sektorë si administrata publike dhe mbrojtja, sigurimet shoqërore të detyrueshme (2 vite); bujqësia, pylltaria dhe peshkimi (2.32 vite); dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme (2.33 vite). Bizneset në pronësi të grave me jetëgjatësinë më të madhe operojnnë në sektorët: tregtia me shumicë dhe pakicë (6.71 vite), dhe transport dhe magazinim (6.53 vite).

Bazuar në gjetjet e raportit, Instituti GAP rekomandon që Qeveria e Kosovës të ofrojë një përkufizim të saktëtë asaj që konsiderohet “biznes aktiv” dhe të ofrojë mekanizma për mbledhjen e të dhënave të besueshme në mënyrë që të shmangen mospërputhjet e të dhënave, si në këtë rast ku shifrat e ofruara nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk përputhen. Të kuptuarit e profileve të bizneseve në pronësi të grave dhe në pronësi të pakicave mund të ndihmojë qeverinë dhe palët e tjera të interesuara të hartojnë dhe zbatojnë politika dhe programe që mbështesin në mënyrë adekuate këto kategori të bizneseve.

Gjithashtu, Qeveria e Kosovës së bashku me Agjencinë për Barazi Gjinore duhet të monitorojnë në mënyrë aktive institucionet në mbledhjen dhe mbajtjen e të dhënave të ndara sipas gjinisë dhe të vendosin sanksione më të forta ndaj atyre që nuk respektojnë Ligjin për Barazi Gjinore.

Raportin e plotë mund ta gjeni të bashkangjitur në këtë email ose duke klikuar KËTU.

Kontrolloni gjithashtu

Mehmet Bislimi: Çmendi e çoroditur e opozitës në Shqipëri

Edhe sot për të satën herë, Partia Demokratike e Shqipërisë, në krye me të çmendurit …