Instituti Instituti GAP ka publikuar një analizë mbi ndikimin e Ligjit për pagat në sektorin publik, duke konstatuar se rritja e kompensimit për asamblistët komunalë nuk është shoqëruar me përmirësim të dukshëm në dinamikën e punës së kuvendeve komunale në Kosova. Sipas analizës, pas hyrjes në fuqi të ligjit në vitin 2023, pagat e asamblistëve janë rritur ndjeshëm, duke filluar nga rreth 150 euro bazë më parë, në një nivel që sot varion nga 583 deri në 660 euro, varësisht nga komuna dhe koeficienti përkatës. Megjithatë, GAP thekson se kjo rritje financiare nuk është reflektuar në rritje të performancës institucionale. Numri i mbledhjeve në shtatë komuna ka shënuar luhatje: nga 81 në vitin 2022, në 91 në vitin 2023, por duke rënë sërish në 85 në vitin 2024, duke mos konsoliduar një trend pozitiv. Edhe koha e kaluar në seanca ka shënuar rënie në vitin 2024, ndërsa indikatorët e produktivitetit, si numri i rregulloreve dhe vendimeve të miratuara, nuk tregojnë përmirësim të qëndrueshëm, përkundrazi në disa raste shënojnë rënie. Instituti thekson se, ndonëse këto të dhëna janë kryesisht sasiore dhe nuk matin cilësinë e debatit apo vendimmarrjes, ato megjithatë tregojnë se rritja e pagave nuk ka prodhuar efektin e pritshëm në intensifikimin e punës së kuvendeve komunale.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
