Gazmend Syla paralajmëron protesta të tjera për ish-udhëheqësit e UÇK-së

Sekretari organizativ i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Gazmend Syla, ka bërë të ditur se protesta e paralajmëruar në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, do të jetë paqësore. Syla ka theksuar se organizata e tij ka planifikuar veprime kundër padrejtësive që, sipas tij, po ndodhin ndaj liderëve të UÇK-së që nga fillimi i këtij viti. “Shumë kohë kemi qenë pa aktorë të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Gucati dhe Haradinaj ishin të burgosur, por qysh në janar si kryesi e re kemi bërë planin se si të reagojmë ndaj kësaj padrejtësie,” tha Syla. Ai ka theksuar se protestat do të vazhdojnë deri në fund të procesit gjyqësor. “Kundërshtimin ndaj gjykatës nuk do ta ndalim deri në ditën e përfundimit të gjykimit, dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë kundërshtimin si përmes protestave, ashtu edhe në rrafshin diplomatik,” deklaroi Syla. Sekretari organizativ shtoi se organizata do të vazhdojë takimet me personalitete ndërkombëtare dhe do të mobilizojë pjesëmarrës për çdo protestë, deri në përfundimin e gjykimit. Ai po ashtu bëri thirrje për pjesëmarrje masive të diasporës në protestën e 13 dhjetorit në Shkup. “Prej diasporës presim shumë pjesëmarrje, sepse kur organizuam protestën më 7 gusht në Prishtinë kishte një interesim të madh dhe këtë rrjet të komunikimit e kemi përforcuar më tej për të mobilizuar pjesëmarrës në çdo aktivitet,” tha Syla.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Hamza: Mjaft me përçarje, është koha për bashkim dhe punë për qytetarët

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, në një videomesazh të publikuar …