Bajram Bekteshi i takon brezit të ushtarakëve që e kanë përkthyer atdhedashurinë në vepra konkrete, që nga ditët e para të organizimit për mbrojtjen e vendit, e deri më sot. I njohur si një ndër figurat e qëndrueshme të strukturave ushtarake dhe i përkushtuar ndaj sigurisë së Kosovës, Bekteshi vazhdon rrugën e tij të angazhimit përmes Shoqatës “Elita” – një organizatë e themeluar nga ish-pjesëtarë të TMK-së dhe FSK-së, me mision për të ndihmuar vendin në kohë fatkeqësish apo kërcënimesh të sigurisë. Në këtë intervistë, gjenerali Bekteshi flet për qëllimet e shoqatës, përvojën e grumbulluar ndër vite, sfidat institucionale dhe për rolin që mund të luajë kjo organizatë në forcimin e reagimit qytetar dhe institucional në rastet kur vendi ka më së shumti nevojë.
RKL: I nderuar gjeneral Bekteshi, kur dhe nga kush është themeluar Shoqata “Elita”, dhe cili ishte motivi kryesor pas kësaj nisme?
Bajram Bekteshi: Duke i parë zhvillimet gjeopolitike dhe të sigurisë në Ballkan, kontinentin evropian dhe jashtë tij, fillimin e një rendi të ri botëror, si dhe duke e vlerësuar se vendi ynë nuk do të shpëtoj pa përfshirjen në këtë vorbull, lindi domosdoshmëria e themelimit të një shoqate, e cila do të jetë edhe e para në historinë tonë të re me mision të tillë, ku do të mbaj rreth vetes pjesëtarët nga të dyja strukturat ushtarake te krijuara pas luftës çlirimtare, si dhe simpatizantëve të cilët do të aftësohen për t’i dalë në ndihmë qytetarëve të Kosovës, në rast të fatkeqësive natyrore dhe rreziqeve tjera që mund t’i kanosen vendit dhe qytetarëve të tij.
RKL: Cili është statusi juridik dhe organizativ i Shoqatës “Elita”? A jeni të regjistruar si organizatë joqeveritare?
Bajram Bekteshi: Shoqata e Pensionistëve të TMK/FSK dhe Simpatizantëve ,,ELITA” , është shoqatë vullnetare dhe jo fitimprurëse e themeluar në muajin prill të Vitit 2021 nga një grup ushtarakësh nga TMK dhe FSK dhe e zyrtarizuar nga Departamenti i OJQ-ve në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, me datë 15 nëntor 2021. RKL: Sa anëtarë ka aktualisht Shoqata dhe çfarë profili profesional kanë ata?
RKL: Sa a RKL: Sa anëtarë ka aktualisht Shoqata dhe çfarë profili profesional kanë ata?
Bajram Bekteshi: Shoqata selinë qendrore e ka në Prizren, ndërsa degët e saj janë të formuar në të gjitha zonat: Drenicë ( Skenderaj), Pashtrik (Prizren), Dukagjin (Pejë), Shalë (Mitrovicë), Nerodime ( Ferizaj)dhe Karadak (Gjilan). E pa mbuluar ka mbetur vetëm Zona e Llapit.
Shoqata ka mbi 300 anëtarë tē profileve të ndryshme: oficerë nënoficerë, të cilët kanë përfunduar kurse dhe stërvitje në akademi dhe kolegje në vendet e ndryshme të botës, dhe simpatizantët me profile të ndryshme nga jeta civile, si në fushën e mbrojtjes civile, ashtu edhe asaj ushtarake.
Në kuadër të simpatizantëve, anëtarë të shoqatës mund të jenë të rinjtë dhe tē rejat nga mosha 18 vjeçare, pa dallim strukture nacionale. Qytetarë tē cilët janë të gatshëm të kontribuojnë në çdo kohë në të mirën e vendit dhe qytetarëve të tij.
RKL: A keni organizuar ndonjë aktivitet konkret që nga themelimi i shoqatës? Nëse po, cilat kanë qenë ato?
Bajram Bekteshi: Që nga themelimi, kemi zhvilluar rreth 350 aktivitete të ndryshme me institucionet e vendit, pushtetin lokal, se si duhet ngritur dhe të funksionoj Qendra Operacionale në rast të fatkeqësive natyrore dhe rreziqet tjera që i kanosen vendit, ato qendrore si dhe me shoqatat e ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Kemi bashkëpunim tē mirëfilltë edhe me Shoqatën Kombëtare të Ushtarakëve Rezervë dhe në Lirim të Shqipërisë, e cila për fat të mirë tani është edhe anëtare e rregullt e Organizatës Ndërkombëtare CIOR në kuadër të NATO-s.
RKL: Shoqata synon të kontribuojë në rast të fatkeqësive ose kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare – a keni pasur ndonjë rast ku jeni ftuar ose vetë afruar për ndihmë?
Bajram Bekteshi: Po ashtu, nga Viti 2022 organizojmë Javën e Sigurisë, për të cilën po përpiqemi që ta arrij statusin e javës tradicionale në nivel vendi ku do të merrnin pjesë të gjitha institucionet e sigurisë, javë e cila aktivitetet e saj i zhvillon në qytetet e ndryshme të Kosovës. Po ashtu pason fushimi (kampimi) dhe marshimet e ndryshme me anëtarët tanë. Këtë vit gjatë javës së sigurisë janë zhvilluar aktivitetet nga 06 maji deri me 10 maj: Tryeza: Kosova dhe zhvillimet e reja, 06 maj, në hapësirat e objektit Komunal të Vitisë, duke marrë pjesë mysafirë nga profile të ndryshme të institucioneve dhe shoqatave të vendit; aktiviteti i dytë: Ngritja dhe funksionimi i Qendrës Operacionale në rast të fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera, zhvilluar me 07 maj, në objektin Hotel ,,Astoria” me personelin udhëheqës të Komunës së Gjilanit; aktiviteti i tretë: Ndihma e Parë, me 08 maj, zhvilluar në hapësirat e objektit të ,, Handikos” në Prishtinë; dhe aktiviteti i katërt: Gara nē shenjtari, e zhvilluar në Poligonin e Jashtëm të Qitjes me Armë Zjarri ,,Dreni Ing” në Fshatin Gjinoc të Komunës së Suharekës.
RKL: A mbani mbledhje të rregullta dhe a keni marrë ndonjë vendim strategjik që lidhet me organizimin ose bashkëpunimin me institucionet?
Bajram Bekteshi: Ne i ruajmë dhe i thellojmë njohuritë tona, duke qenë gjithmonë të gatshëm për të kontribuar në rast të kërkesës së institucioneve tona për bashkëpunim në rast nevoje. Një kërkesë për bashkëpunim e kemi pasur nga Drejtoria për Emergjenca dhe Siguri në Komunën e Prizrenit, nē rastin e zjarrit në Prevallë këtë vit.
Ne mbajmë takime të rregullta mujore me anëtarët e bordit dhe kryetarët e degëve, dhe sipas nevojës edhe më shpesh. Kemi Planin Vjetor tē Aktiviteteve, ku përfshihen edhe aktivitetet me institucionet lokale, atyre qendrore, si dhe me shoqatat të cilat kemi lidhur marrëveshje bashkëpunimi.
RKL: A keni hasur në vështirësi gjatë këtyre viteve të funksionimit dhe a keni marrë ndonjë përkrahje institucionale apo financiare deri tani?
Bajram Bekteshi: Meqë jemi shoqatë jo fitimprurëse, kemi probleme financiare. Deri më tani nuk kemi gëzuar asnjë mbështetje nga institucionet qendrore. Nga institucionet lokale, kemi pasur mbështetje minimale, kryesisht të subvencionuar në projektet e caktuara.
RKL: Faleminderit për kohen dhe informacionet që ndatë për realizimin e kësaj interviste.
Bajram Bekteshi: Faleminderit juve! Shëndet dhe suksese në punën tuaj!