Ilir Ibrahimi

Gjenerali Clark, simbol i së vërtetës historike dhe i aleancës perëndimore me popullin e Kosovës

Njohësi i proceseve politike në vend, Ilir Ibrahimi, ka reaguar pas paraqitjes së Gjeneral Wesley Clark në Gjykatën Speciale, duke e cilësuar atë jo thjesht si një dëshmitar të radhës, por si një figurë që mishëron vetë të vërtetën historike të Kosovës. Sipas tij, edhe në moshën e shtyrë, Clark e nisi dëshminë me qartësi dhe vendosmëri të jashtëzakonshme – cilësi që e kanë shoqëruar gjatë gjithë karrierës së tij si një nga gjeneralët më të dekoruar të ushtrisë amerikane dhe ish-kandidat për president të SHBA-ve. “Ai është dëshmia më e gjallë e aleancës së pathyeshme midis botës perëndimore dhe atdhetarëve të Kosovës, të bashkuar rreth UÇK-së për t’i ndalur mizoritë e xhelatit të Ballkanit”, shkroi Ibrahimi në Facebook. Ai kritikoi ashpër qasjen e Prokurorisë, duke thënë se ka sjellë në gjykatë figura pa kredibilitet, shpesh të padenja për seriozitetin e procesit, me synimin për të ndërtuar narrativë të pabazë për luftën e UÇK-së. Në të kundërtën, mbrojtja – theksoi Ibrahimi – ka sjellë zëra të rëndësishëm të administratës amerikane, njerëz që në periudhën vendimtare udhëhiqnin politikat më të larta të sigurisë, diplomacisë dhe mbrojtjes. Ibrahimi paralajmëroi se Prokuroria pritet ta përdorë të njëjtën taktikë të diskreditimit edhe ndaj Clarkut, madje duke shfrytëzuar moshën e tij të shtyrë për ta vendosur në lajthitje. Por ai nënvizoi se vetë prania e përfaqësueses së ambasadës së SHBA-ve në këto seanca është një sinjal i qartë politik dhe diplomatik. “Ajo nuk do të lejojë përdhosjen e një figure kaq të madhe, të një njeriu që me vendimet e tij ndërroi rrjedhën e historisë dhe shpëtoi mijëra jetë”, tha ai. Në përfundim, Ibrahimi theksoi se Gjenerali Clark, për Kosovën, nuk është vetëm një emër, por një epokë. “Ai është simbol i së vërtetës historike, i drejtësisë dhe i aleancës së përjetshme me popullin e Kosovës.”


Kontrolloni gjithashtu

Bajram Begaj: Hapja e kapitullit të fundit të negociatave konfirmon progresin e Shqipërisë drejt BE-së

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka vlerësuar hapjen e grupkapitullit të fundit të …