Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka reaguar me tone të ashpra ndaj sulmeve politike dhe personale të drejtuara ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarëve të saj, duke rikujtuar se pavarësia gjyqësore është themel i sundimit të ligjit në Kosovë. Në reagimin e saj, Ambasada ka theksuar qartë se “mosndërhyrja” në punën e gjyqësisë kushtetuese është parim i panegociueshëm dhe ka bërë thirrje që të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë të përmbahen nga presionet dhe retorika personale që minon integritetin e gjyqtarëve. Ky qëndrim i Berlinit vjen në një kohë kur Gjykata Kushtetuese është bërë epiqendër e debatit politik pas kërkesës së Listës Serbe për interpretimin e zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit nga komunitetet joshumicë. Reagimet e ashpra të Vetëvendosjes dhe zyrtarëve të tjerë ndaj vendimeve të përkohshme të gjykatës kanë nxitur shqetësim ndërkombëtar për ruajtjen e pavarësisë institucionale. Mesazhi i Gjermanisë është sinjal i qartë se për partnerët evropianë, respektimi i Gjykatës Kushtetuese mbetet kusht bazë për funksionimin e demokracisë në Kosovë dhe për besueshmërinë e saj në rrugën integruese.
