Gjokë Dabaj

Gjokë Dabaj: Një debat i papërfunduar me Mustafa Nanon

Në një shkrim timin, që u botua te “Dita” dhe te „Telegrqaf“ më 24 korrik 2017, pata folur edhe për Mark Markun, në të njëjtën shkallë me Mustafa Nanon. Por Marku e kaloi në heshtje përmendjen time. Ai, ose zgjodhi  nënvleftësimin, siç veprojnë shumë persona mendjemëdhenj, ose po përgatit ndonjë “përgjigje të fortë”, ose, fundja, e kuptoi që e ka gabim dhe heshti. Mustafai përkundrzi, vazhdoi të mbrojë pikëpamjet e veta, duke kaluar madje edhe në fyerje. Mua nuk më përmendi askund. Doemos, i jam dukur i vogël dhe një Mustafa Nano s’ka si merret me lloj-lloj njerëzish që i dalin përpara.

Megjithkëtëtë, për të shprehur qëndrimin tim ndaj qëndrimit të Mustafait, unë mora në shqyrtim dy gazeta: “Mapo”, 24 korrik 2017, f.2  dhe “Panorama”, 24 korrik 2017, f.16-17.

Por le t’i shohim me radhë disa nga pikëpamjet e Mustafait. Po e fillojmë me shkrimin te “Mapo” e pastaj te “Panorama”. “Është mundim i kotë dhe bjerraditë”, shkruan Mustafai, “t’u thuash të tjerëvet se ç’kanë thënë Fan Noli, Kristo Frashëri, Oliver Smithi, Hahni, Babingeri apo edhe të tjerë që kanë lënë shënime apo kanë shkruar monografi mbi Heroin tonë Kombëtar. Le të mbetemi, pra, te burimet më të parë mbi këtë argument.” Nuk është mundim i kotë dhe bjerraditë të shohësh ç’ka shkruar njëri e tjetri, qoftë Fan Noli, qoftë Smithi nga ana tjetër, por Mustafai ashtu ia vesh pothuaj përherë. Megjithkëtë, parimisht nuk e ka keq, për arsye se burimet më të hershëm, të quajtur dokumente të drejtpërdrejtë, i japin studiuesit më shumë mundësi për të zbuluar të vërtetat. Mirëpo, gjithsesi është e domosdoshme të shtrohet edhe pyetja: Këta “burime më të parë” a janë absolutisht të besueshëm? A mos duhet të shtiem në punë edhe burime të tërthortë si dhe arsyetimin analitik, për të nxjerrë të vërtetat? Sigurisht, jo “të vërtetat” që kemi qejf ne, por të vërtetat e vërteta, siç do të thoshte në këtë rast Lasgushi.

“Cilët janë autorët që kanë folur për Vojsavën?”, bën pyetjen Mustafa Nanoja dhe përgjigjet: “Më i pari është Marin Barleti që… shkruan se Vojsava ishte e bija e princit të tribalëvet.” Po vetë ai “princ i tribalëvet”, a ish tribal? Në dëshmitë e kohës shohim që ai “princ i tribalëvet” kish edhe gjak Muzakësh. Në anë tjetër, vetë të quajturit “tribalë”, a ishin vërtet një popullsi e ardhur? Dua të them, a kish sllavë, aq më tepër sërbë, mu në burimet e Vardarit, në shekujt XIV-XV, apo kishim të bënim me popullsi vendëse, e cila jetonte nën presionin asimilues të Kishës Pravosllave? Sot po thuhet e po shkruhet se ka, në të quajturin “shtet maqedon”, mbi 200 mijë shqiptarë ortodoksë, të cilët askush nuk po i regjistron si shqiptarë. E gjithë Shqipëria, filluar nga Nishi deri në Prevezë, është plot me toponime që shpjegohen me gjuhën sllave. A thua në krejt këto hapësira, ku sot jetojnë shqiptarët, kanë jetuar dikur sllavë?! Një tubim “shkencor”, mbajtur në Cetinjë në qershor të vitit 1990, kish për qëllim të “dokumentonte” pikërisht këtë tezë dhe, përmbledhja e kumtesavet të atij tubimi, përmbledhje me 1120 faqe,  titullohet “Popullsia me prejardhje sllave në Shqipëri”. Dhe Mustafai zemërohet, kur të tjerët e thonë: Këto janë teza sllave. Në të njëjtën kohë, e gjithë Shqipëria, nga Podgorica deri në Follorinë, është plot me toponime e veçanërisht me antroponime arabo-turq. A thua në krejt këto hapësira, ku sot jetojnë shqiptarët, kanë jetuar dikur turq dhe arabë dhe, mbasi kanë ikur ata, kemi ardhur ne?! Dua të them: Ai pohim mbi një “princ tribalësh” në Pollog duhet të shikohet me rezerva të arsyetueshme.

“Dëshmia e dytë,” thotë Mastafa Nanoja, “është e Gjon Muzakës, shkruar në vitin 1510. Ai, përsa i takon Vojsavës, shkruan: ‘Zoti Gjon Kastrioti, babai i zotit Skënderbe, pati për grua zonjën Vojsava Tribalda.’ “Kush janë tribaldët?”, pyet Mustafai dhe shënon që këtë të dhënë e ka marrë në një libër të Pëllumb Xhufit, pastaj vazhdon: “Konstandini, i biri i Gjon Muzakës,… shkruan: ‘Me emrin dalmatë thirren sot sllavët, me emrin ilirë thirren boshnjakët, me emrin tribalë thirren sërbët.’ Termin tribal e kanë përdorur për të thirrur sërbët dhe bullgarët, por më së shumti sërbët. E kështu, nuk ka asnjë artific që tribalët mund t’i bëjë shqiptarë.”

Së pari, krejt ky informacion i Gjon Muzakës është  çorientues: edhe për emërtimin dalmatë, edhe për emërtimin ilirë, edhe për tribalë, aq më tepër kur këtë emërtim ua atrubon dy popullsivet, sërbëvet dhe bullgarëvet. Sigurisht, nuk ka pse fajsohet Gj.Muzaka, por, në anë tjetër, ne nuk mund të mos jemi analitikë ndaj kumtevet të tij.

Së dyti, në të gjithë tekstet që i lexova, Mustafai e përdor krejt gabim emërtimin shqiptar në vend të emërtimit arbër. Është njësoj sikur t’i quash latinët e kohës antike italianë. Italianët vërtet janë pasardhës të latinëvet, por latinët e asaj kohe nuk mund të thirren kurrsesi italianë. Kështu as arbërit e Mesjetës nuk mund të thirren shqiptarë, sepse ende nuk e kishin marrë këtë emër. Dëshmi për këtë janë arbëreshët e Italisë, ata nuk quhen shqiptarë. Por as arbëneshët e Zarës, të cilët janë shpërngulur prej këndej në gjysmën e parë të shekullit XVIII, nuk quhen shqiptarë. Ky defekt në të shprehur nuk është vetëm i Mustafait, por është defekt i rëndë i një shumice albanologësh, madje kontribues të shquar në këto fusha. Megjithkëtë, unë do të jem i detyruar gjatë këtij shkrimi ta vë në dukje disa herë këtë handikap të Mustafait.

“’Tribalët kanë qenë një tribu ilire’, është nënvizuar këto ditë,” thotë Mustafai, “por kjo nuk do me thënë asgjë.”

Nuk është e vërtetë që “kjo nuk do me thënë asgjë”. Kush neglizhon këtë pohim pa bërë një arsyetim më të zgjeruar, mund të bjerë në një gabim fund e krye çorientues. E kam thënë edhe herë të tjera: Në të gjithë dokumentet e Mesjetës, madje deri në shekullin XVIII, deri te Dositej Obradoviqi e të tjerë të kohës së tij, sërbët quheshin ilirë. Por edhe kroatët, edhe sllavoboshnjakët, aq sa në zanafillë të rilindjes së kombevet sllavë të Jugut, ka pasur një përhapje shumë të gjërë popullore me emërtimin “Ilirski pokret” (“Lëvizja ilire”). Një ndër përfaqësuesit e asaj lëvizjeje ka qenë psh, Ivan Mazhuraniqi, një kroat i shquar i asaj kohe.

Prandaj, ai që thotë “tribalët kanë qenë një tribu ilire”, mund edhe ta ketë kuptuar gabim të dhënën te e cila është mbështetur. Në atë rast, pohimi “tribalët kanë qenë një tribu ilire” do të mund të kuptohej kështu: “Tribalët kanë qenë një tribu, pra një fis, sllavojugor”. Por përsëri problemi nuk mund të mbyllet me shprehjen “kjo nuk do me thënë asgjë”.

Mirëpo, Mustafa Nanoja, në vend që ta shikojë problemin më gjërë, e ka ngushtuar aq keq rrugën e vet të dijes, sa është futur në një labirint më të ngatërruar se sa Labirinti i Dedalit.

Ai thotë: “Do të na duhej të provonim që shqiptarët rrjedhin prej ilirëvet,” dhe shton: “Edhe historiani më budalla e di se kjo gjë është ende e paprovuar 100%. Çfarë shkenca (po them: shkenca) ka thënë deri më sot është shumë e thjeshtë: Shqiptarët kanë më shumë arsye se popujt e tjerë që banojnë në viset ku në lashtësi kanë jetuar ilirët, që të pretendojnë se rrjedhin prej këtyre të fundit, por gjithsesi kjo mbetet në një masë të madhe për t’u provuar.” Këtë mendim të tijin Mustafai po vazhdon ta mbrojë me një kokëfortësi, e cila më detyron të pyes: Po ky, a vërtet nuk di, apo nuk do?!

Shkenca, ndërkaq, ka prurë argumente të mjaftueshëm për të vërtetuar se shqiptarët janë mbasardhëdhës të ilirëvet. Sigurisht që historianit budalla nuk do të jetë e mundur kurrë t’i mbushet mendja që kjo pjesë e histories sonë dhe ky fragment i historisë gjithbotërore, është tashmë i provuar.

Arkeologjia ka prurë dëshmi mbi jetën e pandërprerë të të njëjtit etnitet në krejt Gadishullin e Ilirisë. Fusha të ndryshme të etnokulturës kanë dhënë mjaft përgjigje pohuese mbi vazhdimësinë në këta vise të etnitetit iliro-arbro-shqiptar. Folkloristika, sidomos me baladat dhe me ciklin e kreshnikëvet, e ka mbështetur e përforcuar mendimin e shkencavet të tjera, që ne jemi autoktonë në këto hapësira, madje që nga zanafillat e Iliadës dhe Odisesë. Historiografia nuk ka konstatuar këtu ndonjë popull ndërmjetës midis ilirëvet dhe arbërvet. Gjuhësia ka dhënë gjithkështu kontributin e vet: Janë konstatuar lidhje midis gjuhës shqipe të sotme dhe greqishtes së lashtë dhe studimet në këtë fushë po vazhdojnë, sado që jo atje ku do të duhej të vazhdonin: në institutet tanë shtetërorë të albanologjisë. Janë konstatuar lidhje midis latinishtes dhe gjuhës shqipe, pa ndërmjetësimin e ndonjë gjuhe tjetër, që do të thotë se, kur Perandoria e Romës e pushtoi Gadishullin e Ilirisë, paraardhësit tanë ishin këtu.

Sot, më datën 2 gusht 2017 Mustafai prapë shkruan: “Nuk është vërtetuar që shqiptarët janë ilirë”. Duket si lojë fjalësh, por, për saktësi shkencore, Mustafai duhej të kish thënë: “Nuk është vërtetuar që shqiptarët janë pasardhës të ilirëvet.” Askush nuk ka thënë dhe nuk duhet të thotë që shqiptarët janë ilirë. Madje skush nuk mund të thotë as që shqiptarët janë arbër. A mund të themi që lopa është mëshqerrë?! Kështu, për një saktësi edhe me të pranueshme, Mustafai duhej të kish thënë: “Nuk e kam vërtetuar unë, nuk jam bindur unë, që shqiptarët janë pasardhës të ilirëvet.” Ka një dallim të madh midis fjalës ilirë dhe shprehjes pasardhës të ilirëvet.

“Vijmë tani te dëshmia e katërt”, shkruan Mustafai dhe i referohet një libri të vitit 1541 me autorë Paulo Xhovanin dhe Andre Gambinin. “Skënderbeu, princi i Epirit, qe biri i zotit Ivan Kastrioti që sundonte atë pjesë të Shqipërisë që quhej Mat e Tumenisht; nëna e Skënderbeut, me emrin Vojsava, ishte bijë e zotit të Pollogut, që është një pjesë e Maqedonisë dhe e Bullgarisë.” (Sado që fragmentin mund ta ketë përkthyer dikush tjetër, është e domosdoshme të sqarohet që Gjon Kastrioti, në fillim të shekullit XV nuk mund të ishte sundimtar “i një pjese të  Shqipërisë”. Por ai ish sundimtar i një pjese të Arbërisë! Ta marrë dreqi! Kaq gjë duhet ta dimë, nëse e mbjamë veten për historianë! Gj.D.)

Mustafai e ka interpretuar këtë fragment teksti të shekullit XVI në mënyrën e tij. Ai pohon se autori i këtij kumti mund të ketë qenë edhe “shqiptari” Dhimitër Frangu, që nënkupton se autorët P.Xhovani dhe A.Gambini e kanë cituar Dhimitër Frangun. (Sërish jam i detyruar të bëj korrigjimin e radhës: Dhimitër Frangu nuk ka qenë shqiptar, por arbër, pra parashqiptar! Gj.D.) “Ky autor (pra Dh.Frangu)”, thotë Mustafai, “nuk lë vend për asnjë spekullim në favor të tezës së Pollogut shqiptar.” (Prapë jam i detyruar të reagoj lidhur me terminologjinë: Pollogu nuk mund të ishte “shqiptar”, as në shekullin XV, as në shekullin XVI. Pollogu në ata shekuj mund të ish dhe ish vërtet një territor ARBËROR! Gj.D.) …“Nuk lë vend për asnjë spekullim”, thotë Mustafai. “Pollogu është pjesë e Maqedonisë dhe Bullgarisë. Me këtë i largohemi tezës se Vojsava ka qenë sërbe, por mbetet e sigurt se Vojsava ka qenë sllave. Shqiptare jo e jo.” Studiuesi serioz revoltohet aq shumë me këtë lloj arsyetimi, sa është gati ta lërë stilolapsin mënjanë dhe të thotë: Sikter! Është humbje kohe të merresh me të këtillë analistë! Diçka të këtillë duhet të kenë përjetuar, jo vetëm ata që u prononcuan, Moikom Zeqoja, Artan Shkreli e Spartak Ngjela, por shumë të tjerë që nuk u pronocuan fare, sepse e kanë gjykuar që nuk ia vlen.

Te shprehja “Skënderbeu, princi i Epirit” gjejmë reflektimin e reformës administrative të Dioklecianit (perandor në vitet 285-306 të erës sonë), i cili pjesën jugore pranadriatikase të Ilirisë e pat quajtur Epiri i Ri (Epurus Nova). Ky emërtim, “princ i Epirit”, që lidhet me një reformë administrative të kryer në Iliri më shumë se një mijë e njëqind vjet para Kastriotëvet, përbën një dëshmi më tepër që arbërit e kohës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut kanë qenë mbasardhës të pandërmjetëm të ilirëvet të kohës së Dioklecianit.

Shprehja “biri i zotit Ivan Kastrioti që sundonte atë pjesë të (Arbërisë, Gj.D.) që quhej Mat e Tumenisht”, na shtron në interpretim disa probleme. Me emërtimin topik Tumenisht, ç’duhet të nënkuptojmë? Malin sipër Krujës që më vonë u quajt Sarisalltëk, apo hapësirën Ndroq-Pezë-Kavajë, që thuhet se në ata shekuj quhej Tumenisht? Kur ka thënë “Mat e Tumenisht”, autori i këtij informacioni pse i ka lënë pa përmendur psh, Dibrën dhe Lurën? A mos duhet nënkuptuar që Dibra e Lura përfshiheshin nën emërtimin Emathia, apo autori, kushdo të ketë qenë ai, ka qenë i pasaktë në informacion? Bie në sy që autori, kushdo që ka qenë, nuk na i ka përmendur si zotërime të “Ivan Kastriotit”, as Mirditën, as Kurbinin, as Krujën. Atëherë, pse duhet t’i besojmë kaq shumë atij dokumenti?

Formës Ivan Kastriot, përdorur në vend të formës Xhovani (Giovanni), që në arbërisht do të qe shqiptuar Gjon, Mustafai i ka kushtuar disa rreshta, duke ironizuar me atë rast në adresë të Kristo Frashërit: “Ndoshta nuk e ka pasur në dorë këtë dokument; dhe më mirë kështu; ndryshe do ta kish zënë trishtimi.” Nuk ka qenë Kristo Frashëri nga ata që e zinte aq lehtë trishtimi. Emri Ivan, me prejardhje hebraike, ka formë sllave, ashtu siç ka formë turke emri Skënder(bej). Këtë emër thuhet që sulltani ia ka vënë Gjergj Kastriotit në kujtim dhe për nder të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Tani më vjen radha mua të përdor një ironi: Mos vallë i ka thënë Vojsava (si “maqedone” që ishte), sulltan Mehmetit I apo sulltan Muratit II: “Venia kështu emnin djalit tem, sepse unë, nana e tij, jam nga Maqedonia!” Paionia antike s’ka qenë kurrë Maqedoni!

Më tutje, citati që ka zgjedhur Mustafai, si dëshmi të katërt, që nëna e Skënderbeut është “me siguri” sllave, vazhdon kështu: “Nëna e Skënderbeut, me emrin Vojsava, ishte bijë e zotit të Pollogut, që është një pjesë e Maqedonisë dhe e Bullgarisë.” Si qenka Pollogu (Paionia e kohëvet antike), njëkohësisht pjesë edhe e Maqedonisë, edhe e Bullgarisë?! Rrjedhimisht, ky tekst i një autori të shekullit XVI, i cili të njëjtin territor “ua jep” njëkohësisht dy zotëruesve, a është aq i besueshëm sa ç’pretendon Mustafa Nanoja? Pak më lart kishim “Emathia e Tumenistia”, informim krejt i mangët ludhur me zotërimet e Gjon Kastriotit. Këtu, në të njëjtën fjali, kemi “Macedonia et Bugaria”, prapë një informim jo i saktë nga ana e autorit, po edhe interpretim shumëfish i pasaktë nga ana e Mustafait, sepse i quan sllave, si Bullgarinë, ashtu edhe Maqedoninë.

Për ta rigjetur disi udhën e humbur, Mustafai, i cili sidoms prej këtij “dokumenti të katërt” mbetet më se “i sigurt” se Vojsava ka qenë një sllave, e gjen me vend të pohojë si nëpër dhëmbë: “Nuk ka pse përjashtohet që në Pollog të ketë pasur arbërorë atëbotë, madje mendja ta thotë se ka pasur familje arbërore që ç’ke me të.” Për ç’vend po flet këtu Mustafai ynë?! Për Sirinë?! Apo për Zelandën e Re?! “Mendja ta thotë!” Si ta “thënka mendja”, mor burrë i dheut, kur një mori dokuntesh t’i dëshmojnë Tetovën dhe Gostivarin si pjesë integrale të Ilirisë, si pjesë integrale të Arbërisë dhe si pjesë integrale edhe të Shqipërisë së sotme, pa marrë parasysh se i takojnë një shteti tjetër?! Njëjtësimi i kufijvet shtetërorë me kufijtë gjeografikë është cilësi individësh të paformuar, por edhe të papërgjegjshëm.

“Martesat ndëretnike në kohën e Vojsavës kanë qenë të shpeshta,” shkruan në vazhdim Mustafai. “Familjet princore shqiptare Muzakajt, Komnenët, Dukagjinët, Topiajt, Kastriotët, Gropajt, Balshajt,… s’e kishin për gjë të martonin pjellën e tyre me malazezë, sërbë, bullgarë, raguzanë, venecianë, napolitanë, hungarezë, deri edhe francezë.” (Nëvizimet Gj.D.)

Kjo përgjithësisht është e vërtetë, por nuk do harruar që, për arbërit, kjo traditë ka qenë një e vërtetë aq e hidhur, sa me motivet e atyre martesave janë krijuar baladat më të dhimbshme të pakundshoqe në shkallë botërore.

Por, para se të flas për atë dukuri që Mustfai e shkapërcen me shprehjen flegmatike “s’e kishin për gjë”, më duhet të korrigjoj në tekstin e mësipërm dy gabime tepër të rëndë (E thashë që do të jem i detyruar ta vë në dukje këtë handikap të Mustafait herëpas’here.):

1)“Në kohën e Vojsavës” nuk kanë ekzistuar MALAZEZËT, o Mustafa! Banorët e Malit të Zi, jo të shtetit të sotëm malazias, por të atij që i thonë Stara Cërrna Gora, ku sot nuk ka shqiptarë, ishin në më shumë se 60% arbër dhe vllehë. Shih për këtë edhe librin “Bizarni sveci Srpske Crkve” (“Shenjtorët e rremë të Kishës Sërbe”) të Mirosllav Qosoviqit, Cetinjë, 2014. Vetë emri i Cetinjës, Mustafa, kryeqendrës së Malit të Zi të Moçmit, siç kam thënë edhe në shkrime të mëparshëm, shpjegohet me gjuhën shqipe. Mali më i lartë i Malit të Zi të Moçmit, Llovqen, shpjegohet me fjalën shqipe leqe (*Leqën), sepse për t’u ngjitur përpjetë atij mali ka një numër të madh leqesh, si Leqet e Hotit. Një lartësi tjetër pranë Llovqenit quhet Krimal, pra arbërisht Kryemal. Një ndër fiset më të njohur të Malit të Zi të Moçmit quhej Pleme Njegushi dhe lidhet me fjalën arbro-shqipe mjegull (njegull), pra *Njegullsh,-i, ndërsa vetë fjala pleme, me kuptimin fis, vjen nga forma arbro-shqipe *pjellmë. Në po këtë trevë, që ka qenë qendra e Malit të Zi të dikurshmit, por dhe në krejt hapësirën malaziase të sotme, pa përfshirë aty pjesët e Shqipërisë që i ka Mali i Zi, ka me qindra makrotoponime dhe mikrotoponime me prajardhe nga arbërishtja dhe kjo nuk vjen nga që në ata vise kanë sunduar dikur arbërit, por sepse arbërit kanë jetuar aty. Etniteti malazias është formësuar si i tillë në fund të shekullit XV dhe kjo ka ndodhur, sepse familja arbërore e Zezëvet, përkthyer Cërrnojeviq, nga halli që nuk u përkrah prej Evropës Perendimore, iu mbështet Kishës Pravosllave Sërbe dhe ia dha asaj udhëheqjen shpirtërore. Kisha Pravosllave Sërbe, në ata dhjetëvjeçarë, në territorin e Zentës, ishte edhe ajo në pikë të hallit. Atë e shpëtuan nga vdekja Zezët arbër, por duke çuar drejt vdekjes identitare veten dhe popullin e vet!

2)”Në kohën e Vojsavës”, (meqë kështu po i pëlqen Mustafait ta quajë atë kohë), banorët e Shqipërisë së sotme, filluar nga Nishi deri në Prevezë, me aq sa dimë deri më sot, në mos krejt, në shumicën e tyre thirreshin arbën(ë) ose arbër(ë), shqiptuar prej të huajsh arvanoi, arbanas, arnaut ose të përkthyer në latinisht me bazën alb, dhe këndej allvanoi, albanez, allbanac. Emërtimi arbën(ë), arbër(ë), është formë e përftuar me anë të metatezës nga emri i njërit prej formacionevet të shumtë ilirë, bardhën(ë) që në dokumente të huaj e gjejmë, me shurdhim të tingujvet B e DH, në formën parthin(ë). Shih edhe Atë Bernardin Palajn si e ka trajtuar këtë emër të lashtë të një pjese të Ilirisë! Pranemri i bardhë në latinisht bën alb dhe kështu, për këdo që e njeh sado pak gjuhësinë, çdo gjë rreth këtij emërtimi të etnisë sonë në Mesjetë është krejt e qartë.

Ndërkq, t’u thuash banorëvet të Zentës Mesjetare malazezë dhe t’u thuash banorëvet të principatavet arbërore të Mesjetës shqiptarë, është njësoj sikur galët e kohës së Romës t’i quash francezë, bretonët t’i quash anglezë, ndërsa gotët e asaj kohe t’i quash gjermanë. Me ndihmën e një metafore, gabimi do të dilte edhe më i trashë: Është njësoj sikur mëzit t’i thuash kalë dhe viçit, ka ose lopë.

…Por le të kthehemi pak te martesat. Familjet princore e mretërore të Mesjetës i kanë pasur traditë martesat njëra me tjetrën, pa e marrë parasysh përkatësinë etnike. Kjo ndodhte jo se feja ish primare në atë kohë, siç thotë Mustafai, por për arsye KLASORE: Një princ, një feudal, si rregull, nuk mund të martohej me një bujkrobe dhe një bujkrob, apo edhe një malësor i lirë, nuk mund të merrte për grua një princeshë. Nga ky rregull s’kish pse bënin përjashtim as familjet princore të Arbërisë. Familja princore sërbe e Hrebelanoviqëvet kish pasur lidhje gjaku, edhe me Balshët, edhe me Arianitët. Te Balshët ka dhënë, te Arianitët ka marrë. Madje Balshët, mendoj unë, pikërisht për shkak të lidhjevet martesore me sllavët, së pari me Vukashin Mërrnjavçeviqin, të jatin e të njohurit Marko Kraleviq, pastaj edhe me Hrebelanoviqin e Smederevos, e humbën autoritetin midis arbërvet dhe degraduan deri në shuarjen ne asaj dinastie, me Balshën e Tretë, të cilit, nga e gjithë ajo Arbëri që e patën me Balshën e Dytë, nga Kotorri në Kostur dhe nga Kanina në Kamenicë, s’i pat mbetur tjetër, veç Tivarit, Ulqinit dhe fare pak tokavet në veri të Liqenit të Shkodrës dhe i cili shkoi e vdiq në Sërbi pa lënë asnjë trashëgimtar. Ndërkaq, Gjergj Arianiti njërën nga vajzat, Donikën, siç dihet, ia pat dhënë Gjergj Kastriotit, ndërsa tjetrën, Angjelinën, ia pat dhënë despotit Stefan Llazareviq, të birit të Llazar Hrebelanoviqit. Angjelina u bë aq e dëgjuar në Sërbi për veprat e saja bamirëse (se s’kish ç’bënte tjetër), sa u shpall shenjtëreshë dhe faltorja e saj në malin Frushka Gorë është edhe sot ndër faltoret më të frekuentuara prej sërbëvet.

Të këtilla kanë qenë lidhjet ndërfeudale në Mesjetë, por, për temën që po trajtojmë, dy a tri gjëra gjithsesi duhet të vihen në dukje. Vërtet kemi marrë vajza sllave (ose të emërtuara si sllave), por, siç u pa më lart, edhe kemi dhënë. Pikërisht këtu duhet parë dallimi: Rastet kur arbërit kanë dhënë vajza ndër sllavët, i kanë sjellë etnisë sonë aq tragjedi, sa populli ynë, si asnjë popull tjetër, i ka pasqyruar ato tragjedi në një shumicë bladash nga më mbresëlënëset. Balada e Doruntinës është përjetësuar tashmë edhe në artin tonë të kultivuar dhe s’është tjetër, veçse tragjedia e një bije arbëreshe martuar me një sllav. Ti sigurisht e ke parasysh veprën madhore të Ismail Kadaresë „Kush e solli Doruntinën“. Askush nuk e ktheu Doruntinën në gjini, as për një vizitë të shkurtër, dhe kjo ndodhi sepse sllavët s’e kishin traditë të kujdeseshin për të renë, për lidhjet e saja me origjinën e vet. Përkundrazi, nëse nusja ish bijë e një etniteti tjetër, ata donin t’ia shuanin asaj çdo kujtesë të prejardhjes. Ndërkohë, siç thotë balada, ndodhi tragjedia në gjininë e Doruntinës dhe asnjëri prej vëllezërvet nuk mundi të shkojë për ta marrë motrën, siç e kishin arbërit traditë. Të njëjtin motiv e gjejmë, mes tjerash, edhe në baladën veriore „Halil Garria dhe motra e tij.“

Në vargjet „Nëntë vjet me gojë s’foli./ Si u mbushën nëntë vjet,/ çili gojën foli vetë,” shihet më shumë se qartë, shihet dhimbshëm, shihet tragjikshëm, si e përjetonin martesën ndër sllavë, qoftë edhe ndër të huaj të tjerë, ato bija arbëreshe që e kishin fatin e keq të shkonin atje, për interesa të pasurisë e të pushtetit, qoftë të njërës, qoftë të tjetrës palë “krushqie”.

Jo atëherë, por edhe tash trajtohen po ashtu bijat shqiptare martuar ndër sllavë. Hajdeni në lagjen Koxharas të Shijakut dhe shihni si i trajtojnë sllavoboshnjakët nuset shqiptare që i marrin në Ndroq apo në Manskuri! Nuk u flasin asnjë fjalë shqip për vite me radhë, deri sa ato, jo vetëm ta mësojnë sllavishten, por të pranojnë që edhe fëmijëvet të vet të mos u flasin kurrë shqip. Shkoni edhe në rrethet e Nishit, ku janë martuar, me mblesërira të stisura, mbi 200 vajza shqiptare nga rrethinat e Shkodrës, dhe shihni: A guxojnë ato t’u flasin fëmijëvet të vet në gjuhën e vet?!

Gjithsesi, në këtë kontekst, nuk duhet lënë pa thënë se ka pasur edhe të atilla bija arbërish që e tradhtonin gjininë e vet deri në spiunim dhe pjesëmarrje në vrasjet e vëllezërvet të vet. Shembull për të këtilla tradhti bijash arbëreshe kemi baladën me titull “Kotuzi” dhe baladën me zanafillë në trevën e Matit “Brahim Keta i Ri”.

I hodha një sy të shpejtë një vëllimi me këngë legjendare, në të cilin, ndër vite, kam bërë edhe shënime të rastit. E pakta në pesëmbëdhjetë prej atyre këngëve kish martesa arbërish me sllave dhe asnjëra prej atyre nuseve nuk kalonte jetë të mjeruar, qoftë edhe kur ishte e “rrëmbyer”. Muji merr Ajkunën, Halili merr Tanushën, Zuku martohet me Rushën (si Paridi që rrëmben gruan e Menelaut) dhe asnjë s’është fatkeqe si qindra  Doruntinat tona! Vetëm Ajkuna çon jetë të dhimbshme, por jo prej njerëzish ku është martuar. Dhimbjen dhe mjerimin shpirtëror asaj ia shkaktojnë njerëzit e saj, sllavët, të cilët nuk lënë t’i rriten fëmijët, por ia vrasin pa u bërë ende shtatë vjeç!

Folklori është pasqyrim i një realiteti të caktuar. Baladat tona pasqyrojnë historinë aspak idilike të marrëdhënievet tona me sllavët në Mesjetë, që nga shekulli IX e këndej, kohë kur ata arritën, ia dolën, të krijojnë në këto hapësira shtetet e tyre. Por në qoftë se Mustafai nuk i quan dokumente veprat folklorike, unë po i ofroj atij një fakt autentik të njohur mirë prej të gjithë atyre që merren me histori: Në ditët e para të janarit 1943 prej një masakre të kryer në Bihor nga çetnikët malazezë dhe sërbë, janë vrarë, djegur ose ngrirë në borë, brenda një nate,1853 fëmijë shqiptarë. Një mijë e tetëqind e pesëdhjetë e tre, Mustafa! Do të ishin shumë edhe 18, edhe 180! Por ata na i asgjësuan atë natë të zezë mbi 1850! Dhe kësaj shifre mund t’i shtohen edhe trefish kaq, madje edhe pesëfish, nëse do të llogariten vetëm fëmijët, Omerët e kohës sonë, jetët e të cilëvet na i kanë shuar fqinjët! Sigurisht, jo për fajin tonë, por për fajin e tyre!

Te „Panorama“, 24 korrik 2017, f.16-17, shohim te Mustafai një këmbëngulje nga ato që nuk njohin tërheqje, që nuk njohin kurrfarë ritirate. Ai shkruan: „Marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe fqinjëve të jugut e të veriut kanë qenë shumë të vështira në 150 vitet e fundit, qyshse në Ballkan lindën idetë nacionaliste… Në këtë hark kohor prej 150 vjetësh shqiptarët kanë vuajtur një lloj nacionalizmi agresiv të grekëvet dhe sllavëvet e në një masë të caktuar e vuajnë edhe sot.“

Lexojmë „marrëdhëniet… kanë qenë shumë të vështira“, lexojmë „një lloj nacionalizmi agresiv“ dhe lexojmë e rilexojmë: „në një masë të caktuar e vuajnë edhe sot“. Askund nuk shohim t’i shkojë ndërmend Mustafait që t’u kërkojë sërbëvet dhe grekëvet katarsis.

Po sjell vetëm disa shembuj: Më 1877, më 6 dhjetor, pushtohet (prej ushtrisë sërbe) Prokupla, më 10 dhjetor pushtohet Kurshumlia. Të gjithë nxënësit e medresesë pushkatohen! Ky është një genocid, Mustafa, dhe nuk mund të kapërcehet, as të kapërdihet me cilësimin thuajse indiferent „një lloj nacionalizmi“. Gjashtëqind fshatra të ekstremit verior të Shqipërisë, në vitet 1877-1878, u dogjën, u shkrumbuan bashkë me njerëzit brenda, ose u përzunë prej andej banorët shqiptarë dhe u populluan ata gjashtëqind fshatra me banorë joshqiptarë.

Në qytetin e Nishit, para 27 dhjetorit 1877, nga gjithsej 3000 familje, 2500 familje ishin shqiptarë autoktonë. Më 10 janar 1878, në ditën e pushtimit nga forcat malaziase, u shpërngulën nga Tivari mbi 1200 familje shqiptare. Mbasardhësit e tyre mund t’i gjesh sot në Shkodër e në Durrës, ndërsa Tivari, me 60% banorë shqiptarë, s’e ka sot as edhe një shkollë shqipe.

Në vitin 1912, nëpër Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit, vriten e masakrohen mbi 25 mijë shqiptarë.

Në vitin 1913, siç na informon, ne edhe gjithë botën, zonja Edith Durham, në Reçan të Gostivarit, (në Pollogun e Vojsavës!), 200 gra, fëmijë dhe pleq, mbyllen në dy shtëpi dhe digjen të gjallë. Në trevat e Plavës e Gucisë pushtuesit sërbomalazezë pushkatojnë 720 burra. Të 559-ve  prej këtyre iu muar jeta në vendin e quajtur Qafë-Previ, „monument“ i atij „një lloj nacionalizmi“ që ti, Mustafa, ua transmeton brezavet me aq pak përgjegjësi!

Në qytetin e Dibrës, nga 20 mijë banorë, mbetën vetëm dy mijë.

Më 1914-n e njëjta zbrazje ndodh edhe në Manastir: Në valën e parë shpërngulen 20 mijë vetë e pastaj edhe shtatë mijë të tjerë, të mbledhur aty nga fshatrat. Nga viset jugorë të Shqipërisë, pushtuar prej Grekut, ikin 100 mijë, prej të cilëvet 30 mijë vdesin rrugëvet nga uria!

Ndoshta nuk do t’i ziheshin fort për të madhe shprehjet e mësipërme, në qoftë se Mustafai nuk do të shkruante pak më poshtë: „E parë në retrospektivë, sërbët nuk na kanë ndonjë faj, ata donin të çliroheshin nga Perandoria Osmane, ndërsa shqiptarët u shërbenin osmanëvet në atë periudhë.“ A edhe të 1853 fëmijët e Bihorit, në vitin 1943, i paskan shërbyer Perandorisë Osmane, Mustafa?! Apo ndaç edhe nxënësit e medresesë në Kurshumli do t’i shërbekan Perandorisë Osmane, në një kohë kur në të katër anët e Shqipërisë zienin idetë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në thelbin e vet antiosmane?! Paskan pasur të drejtë sërbët të na i zbarazin Manastirin dhe Dibrën?!

Dhe më tutje do ta veçojmë edhe këtë fjali të Mustafa Nanos: “Sa u përket marrëdhënievet të vështira me fqinjët e veriut dhe të jugut, për periudhën paraosmane, nga leximet e mi nuk më rezulton të jetë e vërtetë.”

Po i përmend këtu më poshtë Mustafait vetëm dy apo tri nga ngarjet e periudhës paraosmane.

Në vitin 1042, (pra, periudhë paraosmane), si rezultat i një marrëveshjeje të fshehtë midis perandorit Mihal të Bizantit dhe një sundimtari sllav të krahinës arbërore të Zentës, i cili quhej Vojisllav, në hapësirën e ngushtë midis malevet të Rumisë dhe bregut të Adriatikut, në rrethinë të Tivarit, janë masakruar dhe asgjësuar 40 mijë arbër, të mobilizuar me prapamendim prej perandorit dhe të vënë nën komandën e një eunuku. Unë kam shkruar për këtë ngjarje kaq të përgjakshme, mbështetur në të dhëna dhe shoqëruar me interpretimin përkatës, por Mustafai nuk e ka lexuar dhe për këtë është ai fajtori e jo unë.

Në mbarim të shekullit XII, Stefan Nemanja, një tjetër sundimtar sllav me seli në një qytezë të vogël arbërore që quhej Rrasë, në Sanxhakun e sotëm, ka kryer një masakër masive mbi popullsinë bogumile të Bosnjës së sotme veriore. Vrarë e asgjësuar krejt atë popullsi, “duke djegur në zjarr”, siç shkruajnë kronistët, “të gjithë librat e tyre.” Lidhur me këtë ngjarje makabre me tipare krejt të dukshëm genocidi, duhen bërë disa sqarime. Bogumilët ishin një sekt fetar i krishterë, i quajtur heretik, sepse i kundërshtonte edhe Vatikanin katolik, edhe Patriarkanën ortodokse. Qendra e tyre gravitonte rreth Sirmiumit, Sremit të sotëm, dikur kryeqendër e Ilirisë. Ai sekt, sekti i bogumilëvet, simbas një pohimi edhe të Dhimitër Shuteriqit, shtrihej në atë kohë e pakta deri në Elbasan. Emërtimi bogumil është në sllavisht, pra emërtim i huaj, siç është psh, alban për arbër apo gjerman për dojç, por bartësit nuk ka të ngjarë të kenë qenë sllavë, përndryshe Stefan Nemanja s’kish pse t’i asgjësonte, as ata, as librat e tyre. Unë mendoj që bogumilët e trevavet të Ilirisë nuk kanë qenë sllavë, por ilirë, të cilët nuk arritën dot në fazën për t’u quajtur arbër, ndër të tjera, edhe sepse u ndërfut aty me mizoritë e veta një sundimtar sllav, i cili u trashëgua nga një dinasti që s’pushoi asnjëherë së pushtuari e përgjakuri trevat e Arbërisë.

Në gjysmën e parë të shekullit XIV dinastinë e Nemanjiqvet e ka kryesuar cari sërb Stefan Dushan Nemanjiqi. Në “Zakonikun” e tij ka një klauzolë rrënqethëse. Atje thuhet përafërsisht kështu: Cilitdo të krishterë që martohet me një llatinkë heretike, t’i priten veshët edhe hunda. Me fjalën i krishterë car Dushani kuptonte ortodoksët pravosllavë, pra sërbët, kurse me fjalën llatinkë, shoqëruar edhe me përcaktorin heretike, car Dushani kuptonte besimtarët katolikë, që në atë kohë nuk mund të ishin tjetër veçse arbërit. Kur njerëzvet të vet u priste hundën edhe veshët nëse martoheshin me vajza arbëresha, mund të merret me mend se ç’urrejtje kish dhe ç’bënte ai me vetë arbëreshët. E gjithë historia e sundimit gati dyqindvjeçar të dinastisë sërbe të Nemanjiqvet, është e mbushur me diskriminim dhe me krime ndaj popullsisë vendëse.

Në gjysmën e dytë të shekullit XIV një sundimtar sërb i Janinës, Tomo Preluboviqi, pikërisht sepse qe bërë i njohur për mizoritë ndaj arbërvet, pat marrë edhe nofkën Arbërvrasësi.

A thua edhe atëherë kishin të drejtë fqinjët të na vrisnin, sepse “i shërbenim” Perandorisë Osmane?! Vetëm me këta tre-katër shembuj, a mund të themi që “marrëdhëniet” midis të parëvet tanë dhe fqinjëvet tanë veriorë dhe jugorë, në periudhën paraosmane, nuk ishin të vështira?! Këtë mund ta thonë vetëm ata njerëz që, me gjithë njohuritë e tyre të kufizuara, mendojnë se janë kompetentë të nxjerrin konkluzione. Sidomos në fushat e ballkanologjisë është tepër vështirë të operohet, sepse studimet mbi këta popuj, ose janë të shtrembëruar, ose janë tejet të mangët.

Gjithsesi, problemi kryesor që duhet të shtrohet për ne, është ky: Pse ndodhi kështu me etninë iliro-arbro-shqiptare?! Dhe përgjigja është: Ka ndodhur kështu, i dashur Mustafa, sepse të parët tanë nuk i kanë kushtuar rëndësi gjuhës së vet të shkruar. Gjuha e shkruar bën mrekullira! Shkrimi gllagolik në gjuhën sllave, i miratuar çuditërisht prej Vatikanit qysh në shekullin IX, 500 vjet para protestës së Mrtin Luterit dhe pa qenë nevoja të bëjë askush protestë, shkrimi qirilik i miratuar prej Patriarkanës dhe i përhapur ndër një shumicë popujsh sllavë, edhe ai qysh në shekullin IX, ndërkohë që iliro-arbërit nuk e patën “fat” një luks të tillë, kanë qenë faktorët vendimtarë që etnia iliro-arbërore u rrudh në mënyrë aq katastrofike ndër hapësira gjithnjë e më të ngushta, duke ia lëshuar hap mbas hapi territoret botës sllave, e cila tashmë e kishte shkrimin.

Për ta përforcuar këtë konstatim, pos jell këtu edhe një shembull tjetër. Muhamedi, themeluesi i besimit islam, huazoi një Zot, një Perendi, prej izraelitëvet dhe e predikoi atë Zot në gjuhën arabe. Askush nuk mund të thotë që Allahu nuk është një Zot i huazuar prej besimit hebre. Por Ungjilli i tij, Dhjata e Vjetër apo siç quhet ndryshe, Tevrati, u kompilua, u predikua dhe, pa humbur kohë, U SHKRUA në gjuhën arabe. Kjo bëri, vetëkuptohet midis tjerash, që në pak kohë, psh, krejt Afrika Veriore, e cila s’kish qenë kurrë arabe, të bëhet arabe. Egjipti, Libia, Tunizia, Algjeria, Maroku s’kanë qenë vende arabë, por u bënë vende arabë, thjeshtë sepse islamizmi (duke pasur një Kuran, një Tevrat izraelit, të kompiluar dhe TË SHKRUAR arabisht), u predikua në gjuhën arabe.

Ne nuk arritëm të shkruajmë e të predikojmë në gjuhën tonë asnjë lloj besimi, as tonin, as të huazuar, dhe prandaj u rrudhëm në këtë farë feje.

Sërbët, duke pasur në përdorim SHKRIMIN qirilik, të huazuar prej grekëvet, dhe duke pasur një Ungjill, SHKRUAR në gjuhën sllave, arritën, pra mundën, të krijojnë në vitin 1219 kishën e tyre autoqefale dhe, priti thitë në kollomoq! Pse të mos na e zinin fytin sllavët deri në mbytje, deri në asfiksim të plotë?!

Kështu duhet kuptuar dhe duhet interpretuar historia dhe jo të mbërthehemi mbas Flamurit tonë dhe mbas Gjergj Kastriotit tonë, në përpjekje për t’i shkulur edhe ata nga rrënjët!

Përfundimisht dua të them: Ç’deshe që u krojte, o Mustafa, mbas origjinënës së një Vojsave, kur kemi kaq shumë gjëra të tjera për t’i sqaruar, vetes edhe botës?!

30 korrik-6 gusht 2017.

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …