Gjon BRUÇI: Historia nuk është stoli,  por përvojë e çmuar për brezat!

Ndërsa po ndiqja festimet e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, dhe intervistat e disa prej liderëve politikë e pushtetarë të saj, në ekranin e memories sime kaluan si  “paralele” të logjikshme, momentet më kryesore të LANÇ të popullit shqiptar të viteve 1939 – 1944, frutet e së cilës i gëzojmë edhe tani pas 79 vitesh. Nga ky krahasim, më rezultoi se historia nuk është vetëm stoli e krenari, por një përvojë e çmuar për brezat e ardhshëm.

Lufta jonë Antifashiste Nacional Çlirimtare, e them me siguri matematike, ka qenë unike në Europë dhe tej saj, kur Bota  u përfshi në Luftën më të egër që kishte përjetuar njerëzimi, siç ishte L.II.B. Partizanë dhe luftë partizane ka patur në shumë vende të pushtuara nga nzifashizmi në vitet 1939-1945, por ato u organizun dhe vepruan kryesisht në prapavija të armikut, ose në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me forcat e rregullta të Aleancës së Madhe Anglo-Sovjeto-Amerikane. LANÇ e popullit shqiptar, u organizua nga vetë shqiptarët dhe u çua prej tyre gjer në fitoren e plotë më 29 Nëntor 1944, pa praninë e forcave ushtarake të ndonjë shteti të aleancës në fjalë. Të vetmit ushtarakë të huaj në radhët e partizanëve, ishin disa këshilltarë anglezë dhe amerikanë, të cilët nuk patën asnjëherë rastin apo nevojën të luftonin me pushkë, në krah të çetave, batalioneve dhe Brigadave të UNÇSH.

Po, si shpjegohet që një vend i vogël, me më pak se  një million banorë, arriti të matej në fushën e betejës me një armik të egër e shumë herë  më të madh në numur e paisje luftarake, duke siguruar fitoren dhe çlirimin gati një vit para mbarimit të L.II.B., dhe madje edhe duke kontribuar në çlirimin e trojeve shqiptare në Jugosllavi dhe të vetë Jugosllavisë”?!

Pa diskutim, merita kryesore në këtë fitore të pashoqe në historinë e popullit tonë, ishte e shqiptarëve, por roli i Shqiptarit të madh Enver Hoxha dhe i Partisë Komuniste në organizimin dhe drejtimin e kësaj lufte dhe të fitores së sa,j ishte vendimtar. Po, si arriti Enver Hoxha dhe PK, të siguronin një fitore të tillë të LANÇ, që nuk ishte parë qysh nga Epoka e Skënderbeut, e cila daton pesë shekuj më parë? Cila ishte veçoria e kësaj lufte, e drejtuesve dhe luftëtarëve të saj?  

Mbi të gjitha – njohja e historisë së popullit dhe shfrytëzimi i përvojës së saj.  

Drejtuesit e LANÇ, por edhe luftëtarët e saj të orëve të para, e njihnin mjaft mirë përvojën e luftrave të popullit tonë, e cila nuk kishte pushuar asnjë çast gjatë shekujve të tërë kundër pushtuesve të shumtë. Ndaj dhe lufta kundër pushtuesve të rinj të shekullit të njëzet, nisi me çetat partizane dhe njësitet guerile, si dikur Komitat, për t’u zhvilluar me batalione, Brigada e Korparmata të një ushtrie të rregullt nga forma e nga përmbajtja. Megjithatë, kjo ushtri partizane, qoftë edhe në fazën më të lartë të organizimit të saj, nuk do të arrinte fitoren e plotë, nëse nuk do të kishte në krye një shtab politik udhëheqës. Pikërisht këtë realizoi Enver Hoxha me shokët e tij, duke krijuar Partinë Komuniste, e cila do të bëhej udhëheqëse e sigurtë  e asaj lufte të madhe e fitimtare. Po luftëtarët, ku do të gjendeshin? Shqiptarët kishin në begraundin e tyre historik organizimet popullore, si Lidhjet dhe Kuvendet e famshme të popullit. Pikërisht kjo përvojë u realizua në Konferencën e famshme të Pezës, ku shqiptarët, pa dallim feje, krahine e ideje, u bënë tok në Frontin e madh Antifashist Nacional Çlirimtar. 

Kjo Konferencë shënonte kollonën e parë të LANÇ të popullit shqiptar, e cila do të mbante peshën e luftës dhe të pushtetit të ardhshëm. Por “ndërtesa”, që u përurua në atë 16 shtator të vitit 1942, nuk mund të qëndronte vetëm me një kollonë. Një vit më vonë, dhe pikërsht më 10 Korrik 1943, në Elbasan, u ngrit “kollona e dytë” e luftës, u formua shtabi i Përgjithshëm i UPNÇSH. Dhe ndërsa lufta çlirimtare vijonte pa ndërprerje, ngriheshin një nga një edhe kollonat e tjera të fitores së ardhshme. Më 24 maj 1944, që qytetin e çliruar të Përmetit, në vendlindjen e vëllezërve të famshëm Frashëri, u mblodh Kongresi Antifashist Nacional Çlirimtar, që mori emrin “Kongresi i Përmetit”. Ky kongres, ishte “kollona”, që jo vetëm unifikoi formën e organizimit të Ushtrisë Partizane Nacional Çlirimtare, duke kaluar nga Brigadat tek Korpormatat nën një Komandë unike, por hodhi ligjërisht themelet e pushtetit të ri të pasluftës, si dhe ligjëroi disa masa vendimtare, të cilat siguronin pamundësinë e ndërkëmbsave dhe manovrave të ndërkombëtarëve e mercenarëve të tyre brenda vendit, në dem të të ardhmes së pushtetit të ardhshëm të popullit dhe të fitimtarëve. Pesë muaj më vonë, konferenca e Dytë e Këshillit Nacional Çlirimtar në Berat, do të ngrinte “kollonën” e katërt të fitores dhe pushtetit të ardhshëm, duke i siguruar përfumdimisht popullit shqiptar Lirinë dhe Pavarësinë e vërtetë në trojet e tij mijëravjeçare.

Përmenda më sipër, jo më kot, ndërkëmbësat dhe manovrat e ndërkombëtarëve. Historikisht, në çdo përpjekje të popullit shqiptar për liri e pavarësi, ndërkombëtarët nuk kanë munguar të fusin duart, duke devijuar frutet e luftës sonë në interes të tyre, apo të fqinjëve, që për rrezik kanë patur e vijojnë të kenë sëmundjen e pashërueshme të shovinizmit. Këtë përvojë të hidhur të historisë, Enver Hoxha me shokë, që drejtonin LANÇ, e kishin studiuar me vëmendje, ndaj kur në Kakomeo të Sarandës tentuan të zbarkojnë forcat Britanike për të na ardhur “në ndihmë”, përgjigja ishte e qartë: “Ju faleminderit për ndihmat ushtarake dhe për këshilltarët, por luftën çlirimtare do ta realizojmë vetë”! 

Por edhe pas çlirimit, përvoja e së kaluarës u mbajt në ekranin e mëndjes. Pushteti që doli nga gryka e pushkës së popullit, nuk mund të ishte veçse pushtet i popullit. Dhe ky pushtet, nuk mund të pranonte konglomerat politikash, rrymash e fytyrash. Ndërtimi i shtetit, rindërtimi i vendit, transformimet e thella shoqërore, dhe mbi të gjitha mbrojtja e lirisë dhe pavarësisë, nuk mund të siguroheshin me parlamente borgjeze si ky  i sotmi, që është kthyer si një zoopark  kafshësh.  Ne, si vend i vogël, e me resurse njerëzore të kufizuara,  na duhet një Kuvend i vërtetë i popullit, si Kuvendi i Lezhës, i Prizrenit, e i Pezës,  ku vendimet diskutoheshin e vendoseshin në mënyrën më pluraliste, ndërsa zbatimi i tyre realizohej në një unitet të plotë e solid. Vendet dhe popujt e vegjël, kurrë nuk mund ta arrijnë konsolidimin e shtetit dhe mirëqenien e nevojshme, nëse çështjet e tyre i lënë në dorën  e pazarxhinjëve parlamentarë.

Disa nga liderët e luftës e të paqes të Republikës së Kosovës, në intervistat e tyre me rastin e 15 vjetorit të pavarësisë, krahas evidentimit të arritjeve, nuk munguan të cekin edhe mangësitë e defektet, që janë verejtur gjatë luftës, e më shumë në vitet pas saj. Unë nuk kam të drejtë të gjykoj veprimet dhe mosveprimet e lufttarëve të UÇK-së dhe politikanëve e shtetarëve të Republikës së Kosovës, sepse nuk kam qenë as pjesëmarës i luftës, e as politikan apo shtetarë i paqes. Nga ana tjetër, situatat në të cilat u zhvillua Lufta për çlirimin e Kosovës, ishte shpesh e disfavorshme. Ajo luftë, vërtet pati ndihmën e ndërkombëtarëve, por fatkeqësisht i mungoi mbështetja e fuqishme dhe vendimtare e “Nanës Shqypni”, e cila, pikërisht atëhere kur duhej një “luftën finale”, ajo kishte degraduar në një “grua pa burrë” në votër.

Megjithatë, ngase është fjala për gjysmën e trojeve të kombit tim, nuk mund të rri pa ua kujtuar vëllezërve të mi, se po të kishit studiuar më me vëmendje historinë e popullit tonë dhe të luftrave të tij për liri e pavarësi, dhe mbi të gjitha, të ishit munduar të aplikonit përvojën e tyre, situata do të ishte shumë më e favorshme se sa kjo që kemi në këtë stad, ku po luhet me luftën, me gjakun dhe me lirinë e pavarësinë e trojeve tona.

Të paktën, tani që kemi mundësi të realizojmë shkaqet e gabimeve, le të mundohemi t’i eleminojmë ato. Është e vetmja mundësi që ne të rrimë drejt dhe në këmbë në trojet që na kanë trashëguar të parët.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …