Fahri Fazliu, djali i ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu, i cili po mbahet në paraburgim në Dhomat e Specializuara në Hagë nën akuzat për pengim të drejtësisë, ka bërë të ditur se prej gati një viti nuk i lejohet asnjë kontakt me të atin. Ai thotë se, ndryshe nga pjesëtarët e tjerë të familjes, nuk ka mundur as ta takojë fizikisht, as ta shohë përmes video lidhjes, gjë që e cilëson si shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut.
“Këtë muaj bëhen nëntë muaj që nuk mund ta takoj babin tim, as në mënyrë fizike, as përmes video lidhjes. Ai po qëndron atje padrejtësisht. Është një mërzi e madhe si djalë i tij, por mendoj se është një shkelje e madhe e të drejtave të njeriut që nuk më lejohet ta takoj qoftë edhe njëherë,” tha ai. Fahriu shprehet se nuk ka marrë asnjë arsyetim nga Dhomat e Specializuara për këtë vendim, edhe pse ka kërkuar zyrtarisht shpjegim. “Në dhjetor, kur si familje kërkuam ta vizitonim me nënën, vëllain dhe motrën, më kthyen emalin se nuk mund ta takoj, as fizikisht, as nëpërmjet video lidhjes, pa dhënë asnjë arsye pse,” shtoi ai. “Mungesa e tij ndihet kudo. Kam qenë shumë i lidhur me të, ndoshta edhe pse jam fëmija më i madh dhe mbaj emrin e vëllait të tij – dëshmor. Pa kryefamiljarin këtu, gjithçka është bosh,” tha Fahriu Fazliu.
