leoni

Sterjo Spasse, (1914- 1989) romansieri ndër më të njohurit e letërsisë shqipe

Sterjo Spasse, (1914- 1989) romansieri ndër më të njohurit e letërsisë shqipe

Sterjo Spase, njeriu që shkruajti për të edukuar dhe kënaqur breza të tërë shqiptarësh. U afirmua si shkrimtar, jo me shkollë të lartë, por vetëm me shkollën e mesme. Leximi dhe puna e palodhur e karakterizoi atë gjatë gjithë jetës së tij. Jetoi  në shtëpinë nr. 12, në rrugën “Him Kolli”, futur thellë në Rrugën e Kavajës, Tiranë së bashku me familjen e tij.Sterjo  lindi në 14 gusht të vitit 1914, në fshatin Gllomboç, Qarku i Korçës.  Ai kreu dy klasat e para fillore në gjuhën greke, pasi në atë kohë zona e Prespës  ndodhej nën Greqi. Më 1924, kur Prespa e Vogël kaloi nën Shqipëri, Sterjoja e vazhdoi  shkollën në Goricë të madhe. Duke rënë në sy për të mirë në mësime, me ndërhyrjen e vetë mësuesit Pandeli Sina, Sterjoja u çua në Korçë. Midis shkollës dhe punës  si çirak mbasditeve, ai mundi të merte klasën IV dhe V Brenda vitit, dhe vitin e VI duke shkëlqyer në mësime.

Më tej, nën ndikimin e mësuesve të tij të parë Nikolla Mitace, Riza Haliti, Sotir Paphristo, Sterjoja u nis për të vazhduar Normalen e Elbasanit. Edhe aty gjeti mbështetje nga mësuesit, Ahmet Duhanxhiu, Teki Tela, Vasil Qiriako, Vasil Andoni, Simon Shuteriqi, etj. Miqësia me Mahir Domin e mbajti atë në kontakt me shum libra dhe revista.

Në 26 qershor në vitin 1929 u botua shkrimi i tij i parë “Problema” në gazeten “Ora” të Tiranës. Organi që u bë burim I krijimtarisë të tij në këtë fazë të jetës shkollore ishte “Normalisti”.  “Kush duron trashëgon…”  si dhe shumë shkrime të tjera vijuan të botoheshin tek “Normalisti”.

Mbas përfundimit të Normales në vitin 1932 ai u emërua si mësues i gjuhës shqipe në shkollën fillore të Derviçanit të Gjirokastrës. Aty ku u njoh me shumë mësues dhe intelektualë vendas si  Petro Markon, kritikun Vangjel Koçën etj. Aty u bë bashkëpunëtor i rregullt i gazetës “Demokratia”, një gazetë tepër e përhapur për kohën. Pas kësaj, më 1934 u transferua fillimisht në Voskopojë, pastaj në Korçë, ku veprimtaria e tij botuese dhe aktivitete arsimore morën përmasa më të mëdha.  Nga fundi i vitit 1939 u transferua në Tiranë si drejtor didaktik pranë Ministrisë së arsimit.

Në vitin 1942, me shpenzimet e veta vajti në Peruxhia të Italisë, ku kreu me korrespodencë dy vite për pedagogji, në shkollën pedagogjike për të huajt. Për shkak të luftës e la për gjysmë atë…Më vonë pas çlirimit, mbaroi me korrespodencë fakultetin gjuhë-letërsi në Tiranë. Në vitin 1958, së bashku me Ismail Kadarenë vajtën për dy vjet për të kryer Institutin “Gorki” në Moskë.

Pas çlirimit për një kohë 3-4 vjeçare ka punuar si mësues në disa shkolla shtatëvjeçare të kryeqytetit; pastaj në Ministrinë e arsimit, në drejtorinë e teksteve shkollore, ku është marrë me hartimin e programmeve dhe teksteve shkollore në kuadrin e reformës arsimore të vitit 1946. Në vitin 1954 u transferua në Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë ku ka qenë redaktor i revistës Nëntori dhe shef i prozës shqipe. Në vitet 60 doli në profesion të lirë.

Kryeveprën e ti  është romani “Pse”, që u shkrua në Derviçan të Gjirokastrës më 1932- 1933 dhe që u botua në Korçë më 1935. Ky libër u prit shumë mirë u fol shumë për të dhe herë pas here vazhdon dhe sot të shkruhet për të.

Sterjoja i përjetonte mjaft vuajtjet e bashkëfshatarëve të tij dhe në përgjithësi të popullit të thjeshtë, varfërinë e tyre që në të shumtën e rasteve vinte nga politikat e mbrapshta që zhvilloheshin nga ata që kishin në dorë fatet e tyre. Pikërisht nga kjo  i lindi pyetja pse, e që iu bë si një lajtomotiv në romanin e tij  “Pse”.

Ai është një ndër shkrimtarët më të vlerësuar me çmime, para dhe pas vdekjes. Është nderuar me çmime të para kombëtare për romanet “Afërdita përsëri në fshat”, “Buzë liqenit”, “Zgjimi”, vëllimin me tregime “Të fala nga fshati” etj. Ka marrë Çmimin e Republikës i shkallës II për romanin “Ata nuk ishin vetëm” -1954.   Urdhrin “Naim Frashëri” i artë (Pas vdekjes). Titullin “Nderi i Komunës” –Liqenas. Titullin “Nderi i qarkut”– Korçë, etj.

Veprat:

“Në krahët e një femre”, tregime 1934

“Kurorë rinie”, tregime 1934

“Pse?!”, roman 1935

Afërdita, roman, 1944,

“Nusja pa duvak”, tregime 1944

“Ata nuk ishin vetëm”, roman 1952

“Afërdita përsëri në fshat”, roman 1955

“Buzë liqenit”, roman 1965

“Sokolesha”, 1966

“Të fala nga fshati”, 1968

“Zjarre”, roman 1972

“Zgjimi”, roman 1973

“Pishtarët”, roman 1975

“Ja vdekje, ja liri”, roman 1978

“Kryengritësit”, roman 1983

“O sot, o kurrë!”, roman 1989

“Letra nipit tim Arian në Tiranë nga Maqedonia dhe Kosova”, 1975, etj

 

Burimi: Portali, Korça ime

Flori Slatina

Kontrolloni gjithashtu

MEHMET AKIF ERSOI ( 1873-1936 ) NJË SHQIPTAR I VËRTETË

MEHMET AKIF ERSOI ( 1873-1936 ) NJË SHQIPTAR I VËRTETË

 Mehmet Akif Ersoi lindi  në Stamboll më 20 dhjetor 1873 në një familje besimtare, intelektuale. …