Kudusi Lama kërkon strategji shtetërore për apelin në Hagë: Kosova duhet të mbështetet në fakte dhe argumente juridike

Gjenerali Kudusi Lama ka kërkuar që shteti i Kosovës të ndërtojë një strategji të mirëfilltë kombëtare për procesin e apelimit të aktgjykimit në Hagë, duke theksuar se mbrojtja duhet të mbështetet në argumente juridike, dokumente autentike, ekspertizë profesionale dhe angazhim diplomatik.

Në një shkrim të tij, Lama thekson se historia shqiptare, veçanërisht historia e Kosovës, do të jetë përjetësisht gjykatëse e së drejtës dhe drejtësisë për shqiptarët. Ai u bën thirrje institucioneve të Kosovës që të mos mjaftohen me deklarata politike, por të ndërmarrin veprime konkrete për ndërtimin e një strategjie që do të shërbejë si themel për të gjitha përpjekjet në procesin e apelit.

Sipas tij, strategjia duhet të nisë nga analiza e plotë e aktgjykimit, provave dhe arsyetimeve të gjykatës, për të identifikuar se cilat prej tyre mund të kundërshtohen me sukses sipas rregullave të apelimit. Njëkohësisht, shteti duhet t’u sigurojë ekipeve mbrojtëse dokumentacionin, ekspertizën dhe mbështetjen institucionale, pa ndërhyrë në pavarësinë e tyre.

Lama propozon krijimin e një grupi të pavarur ekspertësh me përvojë në të drejtën penale ndërkombëtare, përgjegjësinë individuale dhe komanduese, standardet e provës dhe procedurat e apelimit. Ky grup do të duhej të analizonte veçmas përgjegjësinë e secilit prej luftëtarëve të dënuar dhe të identifikonte argumentet juridike që mund të paraqiten në apel.

Një tjetër kërkesë e tij është krijimi i një arkivi të besueshëm me dokumente të kohës së luftës, përfshirë urdhra, komunikime, raporte operative, struktura organizative dhe dëshmi autentike, të cilat mund të kenë rëndësi për procesin gjyqësor.

Ai thekson gjithashtu se duhet të shqyrtohet në mënyrë të veçantë përgjegjësia individuale e secilit të dënuar, duke vlerësuar provat për veprimet, dijeninë dhe kontributin e tyre në raport me krimet për të cilat janë dënuar. Sipas Lamës, pozita drejtuese nuk duhet të barazohet automatikisht me fajësinë penale.

Në strategjinë e propozuar, ai përfshin edhe bashkëpunimin ndërmjet Kuvendit, Qeverisë, institucioneve të drejtësisë dhe atyre që administrojnë dokumentet historike, si dhe një diplomaci të bazuar në fakte dhe argumente juridike përpara partnerëve ndërkombëtarë.

Lama kërkon edhe dokumentimin shkencor të luftës së UÇK-së, përfshirë organizimin politik dhe ushtarak, zinxhirin e komandimit, funksionimin e strukturave, marrëdhëniet me popullsinë civile, logjistikën dhe rolin e mërgatës. Për këtë proces, ai vlerëson se duhet të angazhohen historianë, studiues ushtarakë dhe dëshmitarë të drejtpërdrejtë.

Duke folur për komunikimin publik, gjenerali Lama thekson se Kosova duhet të ketë një qasje të matur dhe të dokumentuar, pasi fushatat publike mund të ndihmojnë në ndërgjegjësimin ndërkombëtar, por nuk mund ta zëvendësojnë argumentin juridik.

Në fund të shkrimit, ai nënvizon se qëllimi nuk është të kërkohet mbrojtje e padrejtë për të dënuarit, por të punohet për të vërtetën dhe drejtësinë, duke mos lejuar njollosjen e historisë së luftës së UÇK-së. Ai shton se, nëse është i nevojshëm mobilizimi qytetar për ta dëgjuar zërin e Kosovës në botë, qytetarët duhet të thirren të dalin në sheshe.

“Historia jonë, historia shqiptare dhe në veçanti historia e Kosovës, është dhe ka për të qenë përjetësisht gjyqtare që ka për të ndarë të drejtën dhe drejtësi për shqiptarët”, thekson Kudusi Lama.

Kontrolloni gjithashtu

Doganierët nuk pranojnë të barazohen me të gjithë shërbyesit civil të administratës publike në Kosovës

Dogana zbulon 10 tonë mallra të padeklaruara në Vërmicë, vlera e tyre rreth 154 mijë dollarë

Dogana e Kosovës ka zbuluar rreth 10 tonë mallra të padeklaruara gjatë kontrollit të një …