Gjykata speciale në Hagë ka marrë vendim për vazhdimin edhe për dy muaj të tjerë të masës së paraburgimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Vendimi është marrë më 11 qershor 2025 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, në kuadër të rastit ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria kishte kërkuar vazhdimin e paraburgimit duke argumentuar se Thaçi paraqet rrezik për arratisje, si dhe për pengim të procedurave gjyqësore dhe ndikuar mbi dëshmitarët. Prokuroria theksoi se Thaçi tashmë ka dijeni të plotë për provat e paraqitura dhe pritet të ketë qasje edhe në informacione të ndjeshme që lidhen me dëshmitarët e mbrojtjes së viktimave. Nga ana tjetër, mbrojtja e Thaçit, përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë, duke thënë se nuk ekziston asnjë vlerësim konkret që tregon se klienti i tij mund të arratiset ose të pengojë drejtësinë. Trupi gjykues ka pranuar se disa nga pretendimet e Prokurorisë janë përsëritur pa prova të reja dhe nuk janë bindëse për rrezikun e arratisjes. Sipas gjykatës ekziston rrezik real për pengim të drejtësisë, sidomos në aspektin e ekspozimit të identitetit të dëshmitarëve të ndjeshëm dhe përpjekjeve për të ndikuar në procesin gjyqësor. Thaçi dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm në paraqitjet e tyre të para në nëntor 2020. Gjykimi në Hagë mbetet në qendër të vëmendjes publike, duke pasqyruar ndarjet e thella politike dhe ndjeshmëritë historike që lidhen me luftën në Kosovë.
