Salih Mustafa

Gjykata speciale hedh poshtë ankesën e Salih Mustafës për shkelje të Kushtetutës në dënimin me 15 vjet burgim

Gjykata Speciale në Hagë ka hedhur poshtë ankesën e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa, i cili pretendonte se dënimi me 15 vjet burg për krime lufte bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Mustafa kishte kërkuar që vendimi i Apelit për dënim me 15 vjet burg të shpallej jokushtetues, duke e konsideruar atë joproporcional dhe arbitrar. Sipas tij, ishte shkelur neni 33 (3) i Kushtetutës së Kosovës që ndalon dënimet joproporcionale me veprën penale. Por Kushtetuesja vlerësoi se Mustafa nuk arriti të dëshmojë se është shkelur ndonjë e drejtë themelore, duke e cilësuar ankesën e tij si të papranueshme. Në vendim thuhet se proporcionaliteti i dënimit nuk është shkelur në mënyrë flagrante dhe nuk ka baza për ta konsideruar vendimin si arbitrar. Gjykata rikujtoi se standardi i joproporcionalitetit ekstrem, si ai që ndalohet nga neni 3 i Konventës Evropiane, nuk është përmbushur në këtë rast. Ndërkaq, ajo theksoi se parimi i proporcionalitetit ligjor duhet të interpretohet në mënyrë sistematike, në përputhje me normat kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Mustafa, i njohur me nofkën “Cali”, është dënuar për krime lufte në lidhje me ngjarjet në një vendndalim të UÇK-së në Zllash të Prishtinës, ku viktimat u mbajtën dhe u keqtrajtuan. Fillimisht ishte dënuar me 26 vite burg, më pas Apeli ia uli dënimin në 22 vite, e pas rikthimit të çështjes nga Supreme, përfundimisht u dënua me 15 vite. Me vendimin e fundit të Kushtetueses, janë ezauruar të gjitha mjetet juridike në kuadër të sistemit të Dhomave të Specializuara për Salih Mustafën.

Kontrolloni gjithashtu

ATK mbledh mbi 500 milionë euro tatime në gjashtë muaj, rritje prej 11 për qind krahasuar me vitin e kaluar

Administrata Tatimore e Kosovës, ka inkasuar 524.1 milionë euro të hyra tatimore gjatë periudhës janar-qershor …