Trupi gjykues në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit – ka adresuar kritika ndaj mbrojtjes së Thaçit për vonesat në thirrjen e dëshmitarëve, duke theksuar se këto vonesa kanë çuar në anulimin e disa seancave. Në një parashtresë të fundit, mbrojtja e Thaçit, e udhëhequr nga avokati Luka Mishetiq, i është kundërpërgjigjur me argumentin se këto vonesa nuk janë të veçanta për palën e mbrojtjes, pasi edhe Prokuroria ka hasur në vështirësi të ngjashme gjatë procesit. “Mbrojtja vëren se ky nuk është një problem unik; SPO është përballur me pengesa të ngjashme gjatë gjithë çështjes së saj dhe nuk ka qenë në gjendje t’i mbushë të gjitha ditët e planifikuara të seancës, veçanërisht në fund të çështjes së saj për shkak të mungesës së dëshmitarëve”, thuhet në parashtresë. Mbrojtja këmbëngul se çdo seancë e anuluar apo e mbajtur pjesërisht ka qenë rezultat i rrethanave jashtë kontrollit të saj, duke përmendur edhe rastet kur dëshmitë janë përfunduar para kohe për shkak të “vlerësimeve të pasakta” të gjykatës. Ndërkohë, pas përfundimit të paraqitjes së provave nga Prokuroria më 15 prill 2025, mbrojtja kishte kërkuar rrëzimin e disa akuzave sipas Rregullës 130, por kërkesa u refuzua nga trupi gjykues më 16 korrik 2025. Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, deklaroi se incidentet e kontestuara nga mbrojtja “nuk përbëjnë akuza” brenda kuptimit të rregullores, duke e cilësuar mocionin si të pabazë. Të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave paraqiti dëshmitë e dy eksperteve, duke përmbyllur kështu fazën e dëshmive të saj. Ky zhvillim i fundit shton tensionet ndërmjet mbrojtjes dhe trupit gjykues, duke nxjerrë në pah kritikat e vazhdueshme për mënyrën si po menaxhohet procesi në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
 
		 Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
				
 
						
					 
						
					 
						
					 
						
					 
						
					 
						
					