Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë po insiston që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të mbetet në paraburgim, duke u mbështetur në pretendimin se përparimi i gjyqit dhe një dënim i mundshëm i gjatë e rrisin rrezikun e arratisjes dhe të pengimit të procedurave. Në parashtresën e fundit, Prokuroria ka theksuar se “shqiptimi i mundshëm i një dënimi të gjatë bëhet më konkret me përparimin e shpejtë të gjyqit”, duke e përdorur këtë si argument për vazhdimin e masës më të rëndë të sigurisë, ndonëse procesi ka hyrë në fazën përfundimtare. “Thaçi është në dijeni të akuzave të rënda të konfirmuara kundër tij, dënimit të mundshëm me burgim të gjatë që mund të rezultojë prej tyre, dhe tani ka njohuri të plota për provat në lidhje me ato krime…”, thuhet në parashtresën e Prokurorisë, e cila përsërit pothuajse të njëjtat formulime që gjyqtarët vetë i kanë kritikuar me dhjetëra herë në vendimet e mëhershme. Sipas ZPS-së, Thaçi ka interes dhe aftësi për të ndërhyrë në proces, ka tentuar të minojë Dhomat e Specializuara dhe ka ofruar përfitime për persona të thirrur nga Prokuroria, ndërsa pozita e tij e ndikimit në Kosovë dhe njohuritë për provat konsiderohen si faktorë shtesë rreziku. Megjithatë, këto pretendime mbeten të përgjithshme dhe nuk shoqërohen me fakte të reja konkrete që do ta justifikonin mbajtjen e tij në paraburgim edhe pas katër vjetësh. “Përfundimi i paraqitjes së provave në këtë rast nuk e eliminon këtë rrezik… pasi dëshmitarët mbeten në rrezik pengimi edhe pas dëshmisë së tyre”, thuhet më tutje në kërkesë, një argument që sipas mbrojtjes dhe njohësve të së drejtës penale bie ndesh me parimin e proporcionalitetit dhe me standardet evropiane për masat e sigurisë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
