Më 15 shtator 2025, në Hagë do të dëshmojë dëshmitari i parë i mbrojtjes në procesin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Gjykata e njohur për zvarritje dhe procedura të pafundme, kanë paralajmëruar se kjo fazë do të zgjasë deri më 14 nëntor, duke i mbajtur në paraburgim liderët e luftës për liri për më shumë se tri vite. Vendimi i trupit gjykues për të mos rrëzuar akuzat e pabazuara mbi periudha që nuk kanë lidhje me luftën, vetëm sa e forcon bindjen se Specialja është një mekanizëm i politizuar, i dizajnuar për të barazuar viktimën me agresorin. Në vend të drejtësisë, Specialja ka ofruar vetëm zhgënjim: procedura të stërzgjatura, transparencë selektive dhe një trajtim që shpërfill faktin historik se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte forca çlirimtare e njohur ndërkombëtarisht, jo një organizatë kriminale. Ndërkohë, krimet e Serbisë – gjenocidi, dhunimet masive dhe spastrimi etnik – mbeten pothuajse të paprekura nga drejtësia ndërkombëtare. Në këtë rrafsh, dëgjimi i dëshmitarëve të mbrojtjes nuk është vetëm një hap procedural, por një test për vetë legjitimitetin e Speciales. Nëse ky proces vazhdon të manipulohet nga agjendat politike, atëherë nuk po gjykohet Thaçi e të tjerët – po gjykohet e drejta e Kosovës për luftën e saj për liri.
