Trupi Gjykues në rastin “Thaçi dhe të tjerët” ka caktuar datën 16 korrik 2025 për shpalljen e vendimit lidhur me mocionin e përbashkët të Mbrojtjes, që kërkon rrëzimin e disa pjesëve të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ky mocion u dorëzua më 12 qershor nga ekipet mbrojtëse të të akuzuarve, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar ka reaguar ndaj tij me një kundërpërgjigje të paraqitur më 7 korrik. Seanca për shpalljen e vendimit do të zhvillohet më 16 korrik nga ora 09:00 dhe konsiderohet si një nga momentet kyçe të procesit, pas përfundimit të fazës së provave dhe dëshmive të Prokurorisë. Po atë ditë, pritet që gjykimi të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve ekspertë të Zyrës së Mbrojtësit të Viktimave. Trupi gjykues ka urdhëruar që dëshmitarët ekspertë të jenë të gatshëm, pavarësisht rezultatit të vendimit mbi mocionin. Sipas gjyqtarit Charles Smith, natyra kundërshtuese e këtij mocioni është e kufizuar, dhe procesi gjyqësor do të kalojë në fazën tjetër, me përqendrim në dëshmitë e palëve mbrojtëse dhe të viktimave. Ky zhvillim shënon një pikë kthese në ecurinë e procesit kundër ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi.
