Deklaratat e kryeministrit në detyrë dhe liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, se ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli po japin instruksione politike nga paraburgimi në Hagë, kanë nxitur reagime të shumta në opinionin publik. Megjithatë, ato nuk kanë ndikuar aspak tek gjykata speciale. Zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep, ka deklaruar se kjo gjykatë është e fokusuar vetëm në zbatimin e mandatit për të ofruar gjykime të drejta, të paanshme dhe të sigurta, pavarësisht zhvillimeve politike apo deklaratave publike. “Dhomat e Specializuara janë një gjykatë që është plotësisht e përqendruar në zbatimin e mandatit të saj […] dhe nuk komentojnë deklarata politike,” tha Griep. Sa i përket kushteve në qendrën e paraburgimit, Griep theksoi se rregulloret janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, duke garantuar të paraburgosurve mjete për të komunikuar me familjarët apo persona të tjerë, përmes telefonatave, vizitave apo letrave, përveç rasteve kur vendosen kufizime për arsye sigurie. Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetic, nuk kanë komentuar mbi deklaratat e Kurtit.
