Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur se pensionistët nuk janë të obliguar të paraqiten çdo gjashtë muaj

Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur se pensionistët nuk janë të obliguar të paraqiten çdo gjashtë muaj në autoritetet shtetërore për të dëshmuar se janë gjallë, në mënyrë që t’u vazhdohet pensioni. Me këtë vendim, Supremja ka shpallur të paligjshme nenet dhe paragrafët që parashihnin këtë detyrim, si dhe masat sanksionuese në rast të mosparaqitjes.  Sipas Gjykatës, Ministria përkatëse është e obliguar të monitorojë burimet zyrtare të informatave për të identifikuar rastet e vdekjes dhe vetëm pas shfrytëzimit të të gjitha mekanizmave administrativë mund të ndërmarrë masa kufizuese. “Përgjegjësia e parë për verifikimin e statusit të jetës së pensionistit është e vetë organit publik dhe jo e qytetarit. Ligji parasheh verifikim aktiv nga ana e Ministrisë dhe jo barrë disproporcionale ndaj pensionistit”, thuhet në njoftimin e Supremes. Me këtë vendim janë shfuqizuar paragrafi 2 i nenit 4 dhe paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të udhëzimit administrativ, të cilët parashihnin suspendimin e pensionit dhe riaplikimin në rast të mosparaqitjes. Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka cilësuar vendimin si jashtëzakonisht të rëndësishëm, duke theksuar se ai forcon mbrojtjen e të drejtave sociale dhe sigurinë juridike, si dhe konfirmon se suspendimi i pensionit duhet të jetë masa e fundit. Në Kosovë, pensioni bazik i moshës është 150 euro, ndërsa pensioni kontributpagues varion nga 218 deri në 318 euro në muaj, varësisht nga niveli i arsimimit.

Kontrolloni gjithashtu

Kosova importon nga Kina, Kina mbështet Serbinë kundër Kosovës

Kosova po shpenzon mbi dy milionë euro brenda një dite për mallra të importuara nga …