Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se një gjyqtar i EULEX-it ka vendosur që ish-deputetit, Azem Syla t’i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh. “Gjyqtari i procedurës paraprake të EULEX-it kishte lëshuar një flet-arrest për të pandehurin më 26 prill 2016. Ai është arrestuar më 29 prill 2016 dhe sjellur para një gjyqtari të EULEX-it për caktimin e paraburgimit. Rastin është duke e ndjekur penalisht Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK). Të gjitha palët kanë të drejtë ankese”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore. Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla dyshohet për disa vepra penale, të cilat sipas Prokurorisë, janë kryer në bashkëpunim edhe me disa persona të tjerë. Në këtë proces do të jetë dëshmitar edhe bashkëpunëtori i EULEX-it, Nazim Bllaca.
