Njohësi i sigurisë, Burim Ramadani, ka reaguar lidhur me hulumtimin e publikuar nga Kiks Kosova më 26 janar, që zbulon funksionimin e kanaleve serbe në platformën “Telegram”, duke paralajmëruar se këto grupe kanë qëllime të qarta destabilizuese dhe frikësuese ndaj qytetarëve në veri të Kosovës. Ramadani vlerëson se këto grupe, që ai i cilëson si ekstremiste, synojnë të mbledhin informacione për lëvizjet e njerëzve, t’i shantazhojnë ata dhe të identifikojnë se ku punojnë e veprojnë personat që kalojnë në veri. “Shteti është vënë në dijeni përmes këtij hulumtimi, i cili ka bërë një shërbim të rëndësishëm duke i prezantuar këto të dhëna publikisht,” thekson Ramadani. Sipas tij, këto grupe tashmë janë në radarin e institucioneve të sigurisë së Kosovës, ndërsa Policia e Kosovës është e përgatitur për të vepruar në veri dhe për ta mbajtur situatën stabile. Ramadani paralajmëron se sfidat do të vazhdojnë, pasi – siç thotë ai – qëllimi politik i Serbisë ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar. “Këto grupe do ta sfidojnë Kosovën edhe më tej, sepse qëllimi politik i Serbisë mbetet ndarja e veriut të Kosovës,” u shpreh ai. Ai shton se metodologjia që përdorin këto rrjete është e bazuar në modelin rus të ndikimit, i cili synon destabilizimin e Ballkanit përmes propagandës dhe frikësimit. “Metodologjia serbe është e bazuar në atë ruse, sepse ajo synon ndikimin në Ballkan. Rusia kontribuon në inteligjencën serbe dhe këto grupe kanë qëllime të qarta propagandistike dhe frikësuese,” thekson Ramadani.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
