leoni

Hajrush Kurtaj: Në kujtim të 26 – vjetorit të rënies heroike të dëshmorëve Xhezair Bela dhe Rizvan Bela

14 maji i  vitit 1999 në Gjurgjrdell

Rruga luftarake e Brigadës 162 “Agim Bajrami” ishte e gjatë dhe me plot sakrifica, megjithatë ajo ishte edhe e lavdishme. Brigada jonë  zhvilloi luftime të përgjakshme në tërë territorin e Kaçanikut me rrethinë. Në tërë territorin gjeografik të Kaçanikut, përveç luftërave të ashpra frontale kundër një ushtrie përpjesëtimisht më të madhe, me një ushtri shumë më të vogël dhe të pabarabartë, kuptohet edhe me gjakun e shtrenjtë të kësaj popullate: fëmijëve,  grave, pleqve, luftëtarëve trima. Në mesin e këtyre trimave ishin edhe Xhezair Bela dhe Rizvan Bela nga fshati Gjurgjedell.

Gjurgjedelli, një fshat i njohur malor, ishte i njohur edhe më parë për qëndresa kombëtare. Kështu e dëshmuan këta dy luftëtarë të radhitur në radhët e UÇK-së, konkretisht në Kompaninë e Tretë të Batalionit të Dytë në Brigadën 162 “Agim Bajrami”, në pikën strategjike të luftës sonë të lavdishme, po në këtë fshat. Të gjithë luftëtarët e UÇK-së u nisën për luftë, nga parimi se: “Lirinë nuk ta falë askush, ajo fitohet vetëm me pushkë”. Kështu vepruan edhe këta dy liridashës, bashkëluftëtar të pandarë Xhezairi dhe Rizvani nga Gjurgjedelli heroik.

Xhezahir Bela u lind më 15 prill 1974 në fshain Gjurgjedell, komuna e Kaçanikut. Jeta e vështirë ia mësoi Xhezairit shumë gjëra që ende nuk i dinte, kurse jeta nën okupim për të ishte bërë e padurueshme, prandaj ai  ishte aktiv qysh në demonstratat e viteve të  ’90-ta. Guximi dhe heroizmi i atdhetarëve të mëhershëm kishte frymëzuar shumë Xhezairin që të qëndronte burrërisht dhe ta sfidonte armikun.

Në fillim të vitit 1999 ai u mundua, në forma të ndryshme, ta ndihmonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në Kaçanik,  por më 10 mars 1999 Xhezair Bela iu bashkëngjit radhëve të UÇK-së, duke u sistemuar në Batalionin e Tretë të Brigadës 162 “Agim Bajrami” dhe u vendos në pikën e luftës në Gjurgjedell të Kaçanikut, ku nga ky moment asgjë nuk kurseu, as jetën e tij, për idealin kombëtar. Ai ishte përherë i afërt dhe vigjilent në kryerjen e detyrave ushtarake. Ditë e natë punonte, në borë a në shi, ngase nuk kishte ditë pushimi për të, por vetëm  që të arrinte qëllimin e idealit kombëtar. Bashkëluftarët e Xhezair Belës ishin: Menduh Elezi, Ahmet Selmani, Avdullah Idrizi, Sefer Bela, Kadri Bela, Isuf Idrizi, Nehat Idrizi, Naser Bela, Enver Bela, Xhelil Mani, Muhamet Bela, Naser Elezi, Sabri Bela, Irfan Bela, Shiqeri Bela, Ali Bela, Isni Bela, Vehbi Bela, Gani Bela, Avni Ismaili, Xhemil Mani, Nezir Luta, Mejreme Bela, Xhemil Bela, Emrush Bela, Mirvat Luta, Hamit Bela, Metush Bela, Ramadan Bela, Hebib Bela, Musa Spahiu, Nebih Bela, Milazim Axhami, Rizvan Bela etj.

Gjatë muajit maj 1999, në juglindje të Kaçanikut, zhvilloheshin aksione të shumta ushtarake ndërmjet njësiteve tona çlirimtare dhe forcave armike. Njësitë e Brigadës 162 “Agim Bajrami” duke vëzhguar terrenin ndërmorën një aksion, duke i vrarë dy ushtarë serbë e duke i plagosur disa të tjerë dhe u shkatërroi tërësisht automjetin luftarak.  Në vëzhgim të terrenit një grup çetnikësh kishin tentuar t’i afroheshin fshatit Gjurgjedell. Gjurgjedelli, një fshat i njohur malor ishte i njohur edhe më parë për qëndresë burrërore, ku njësitë e brigadës 162 “Agim Bajrami” ndërmorën disa aksione luftarake.  Në shenjë të hakmarrje, forcat serbe, më 14 maj 1999 ndërmorrën një sulm kundër njësiteve të UÇK-së në Gjurgjedell, ku nga afër, ballë për ballë, bien në krye të detyrës dy ushtarët e lirisë: Xhezair Bela dhe Rizvan Bela, nga ky fshat heroik, ndërsa nga forcat okupatore vriten katër policë, kurse disa të tjerë plagosen. Duke i sulmuar, forcat tona atyre ua morën një minahedhës 82 mm me 12 predha, disa bomba, thika dhe një hartë topografike me shënime strategjike të forcave të armikut. Po në këtë ditë, gjatë udhëtimit-vëzhgimit për në Gjurgjedell, në krye të detyrës bie Komandanti i Brigadës Qamil Ilazi dhe bashkëluftëtari i tij Selim Shehu si dhe plagoset përcjellësi i komandantit Shefket Kuka, në fshatin Nikoc, tek mëhalla e Veselëve.

Xhezair Bela qëndroi heroikisht me pushkë në dorë, ballë për ballë me armikun, ku luftoi deri në momentin e fundit të jetës, meçrast, më 14 maj 1999 ra dëshmor për Kosovën e lirë.

Rizvan Bela u lind më 20 shkurt 1964 në fshatin Gjurgjedell, komuna e Kaçanikut. Ai u lind dhe u rrit në një familje të varfër, por e pasur me ide patriotike dhe atdhetare. Fshati i tij ishte një vend malor, por që ishte një vatër e njohur patriotike gjatë rrjedhave historike të mbrojtjes kombëtare të Kosovës dhe gjitha trojeve shqiptare. Më 1996 policia serbe ia bastis shtëpinë Rizvanit dhe ia demoluan e thyen çdo gjë që gjetën në të, me pretekst të kërkimit të armëve. Megjithatë bëri përpjekje maksimale për të grumbulluar armatim dhe me çdo kusht ishte i interesuar që të vendoste kontaktet me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kështu, që më 10 mars 1999, sistemohet në Batalionin e Tretë të Brigadës 162 “Agim Bajrami” dhe vendoset në pikën e luftës në Gjurgjedell për të dhënë një kontribut të madh në luftën çlirimtare. Ai u shqua për kontributin e dhënë në ngritjen e moralit luftarak. Nga 10 marsi 1999 mori pjesë në të gjitha luftimet, që u zhvilluan në këtë zonë luftarake. Ai përherë ishte i përgatitur mirë fizikisht dhe moralisht, meqë kishte fizikun e një sportisti dhe posedonte njohuri të gjëra në artin luftarak. Rizvani shquhej për vendosmërinë dhe shkathësinë e një ushtari të devotshëm. Bashkëluftarët e Rizvan Belës ishin:  Menduh Elezi, Ahmet Selmani, Avdullah Idrizi, Sefer Bela, Kadri Bela, Isuf Idrizi, Nehat Idrizi, Naser Bela, Enver Bela, Xhelil Mani, Muhamet Bela, Naser Elezi, Sabri Bela, Irfan Bela, Shiqeri Bela, Ali Bela, Isni Bela, Vehbi Bela, Gani Bela, Avni Ismaili, Xhemil Mani, Nezir Luta, Mejreme Bela, Xhemil Bela, Emrush Bela, Mirvat Luta, Hamit Bela, Metush Bela, Ramadan Bela, Hebib Bela, Musa Spahiu, Nebih Bela, Milazim Axhami, Xhezair Bela etj.

Në ditën e 14 majit 1999, Rizvani ishte në krye të detyrës, kur pozicionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sulmoheshin nga forcat okupatore, por ai me bashkëluftarët e tij qëndron i palëkundur në mbrojtje të pozicioneve të UÇK-së dhe popullatës civile. Në këtë rast njësitet e Brigadës 162 “Agim Bajrami” vazhdonin me luftimet, duke ndërmarrë edhe sulme të reja mbi formacionet e forcave serbo-çetnike, të cilave nga dita në ditë u afrohej fundi famëkeq. Pikërisht në këto sulme, Rizvan Bela dhe bashkëluftëtari i tij Xhezair Bela morën plagë vdekjeprurëse dhe ra në krye të detyrës.

Dita e 14 majit të vitit 1999 është ditë gjithëfrontale e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë ditë, si edhe në shumë ditë të tjera, kishte luftime anembanë Kosovës. Pothuajse në të gjitha anët e fronteve kishte luftime të ashpra me intensitet të shtuar, që u zhvilluan ndërmjet njësiteve të forcave çlirimtare të UÇK-së dhe forcave policore, ushtarake dhe paramilitare çetnike serbe, të cilët përpiqeshin me çdo kusht ta mbanin Kosovën e okupuar. Në këtë luftë, Rizvan Bela ishte i pathyeshëm. Ai ishte tmerr për armikun. Rizvani  nuk e ndalte  aktivitetin e tij ushtarak dhe duke luftuar, ballë për ballë, kundër armikut bie dëshmor për atdheun dhe lirinë e Kosovës. Dëshmori i kombit Rizvan  Bela ishte shembull i luftëtarit të devotshëm, që nuk dorëzohej para asnjë vështirësie. Ai ishte shembull i njeriut të sakrificës, i gatshëm për të dhënë gjithçka për lirinë e atdheut, ku e dha edhe jetën.

Luftime të mëdha kishte edhe në pjesë tjera të Kaçanikut, ku ishte zona e përgjegjësisë e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, ushtar i së cilës ishte edhe Rizvan Bela.

Lufta në Kosovë ka qenë e gjatë, e drejtë dhe e lavdishme, ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë jo vetëm liridashëse por me famë të madhe.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës e udhëhequr nga Komandanti Legjendar Adem Jashari ishte arritja më kulmore në historinë tonë, e cila ia ndërroi rrjedhat historisë, meqë ajo e vulosi fillimin e luftës për çlirimin e Kosovës, por edhe fitoren e kësaj lufte, ndërsa familja Jashari u bë shembulli më kuptimplotë i sakrificës dhe flijimit për lirinë e Kosovës, në ato përmasa madhështie që i kaloi kufinjtë e reales dhe mori konturat e legjendës.

Lavdi Heronjve, Dëshmorëve të Kombit dhe gjithë të Rënëve për Liri, në të gjitha periudhat historike!

Nderim Veteranëve të UÇK-së dhe gjithë Veprimtarëve të Kombit!

 

Hajrush Kurtaj, luftëtar i Lirisë, zv.komandant i Brigadës, komandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, shef i Shtabit në Komandën e Zonës së Gjashtë të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, drejtor i Departamentit të Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak në MFSK/MM dhe aktualisht drejtor i Departamentit për Planifikim dhe Vlerësim në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës

 

 

 

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Qeveria e udhëhequr nga Hristijan Mickoski ka dështuar plotësisht në ruajtjen e funksionalitetit të demokracisë ndëretnike

Qeveria e udhëhequr nga Hristijan Mickoski ka dështuar plotësisht në ruajtjen e funksionalitetit të demokracisë …