Dita e 14 majit të vitit 1999 është ditë gjithë frontale e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë ditë, si edhe në shumë ditë të tjera, kishte luftime anembanë Kosovës. Pothuajse në të gjitha anët e fronteve kishte luftime të ashpra me intensitet të shtuar që u zhvillua ndërmjet njësiteve të forcave çlirimtare të UÇK-së dhe forcave policore, ushtarake dhe paramilitare çetnike serbe, të cilët përpiqeshin që me çdo kusht ta mbanin Kosovën e okupuar. Luftime të mëdha kishte edhe në komunën e Kaçanikut, ku ishte zona e përgjegjësisë e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, ushtar i së cilës ishte edhe Rizvan Bela. Rizvan Bela u lind më 20 shkurt 1964 në fshatin Gjurgjedell, komuna e Kaçanikut. U lind dhe u rrit në një familje të varfër por e pasur me ide patriotike dhe atdhetare. Fshati i tij ishte një vend malorë por që ishte një vatër e njohur patriotike gjatë rrjedhave historike të mbrojtjes kombëtare të Kosovës dhe gjitha trojeve shqiptare. Shkollën fillore e kreu në vendlindje si dhe më 1985 e kreu shkollën e mesme, por menjëherë u detyrua të shkojë në shërbim ushtarak.
Pas kthimit nga ushtria ai merret me punë private, punon në Maqedoni, por asnjëherë nuk e harroi Kosovën. Edhe Rizvani kishte vullnet të flaktë për vazhdimin e shkollimit në universitet, por kushtet e rënda ekonomike i pamundësuan vazhdimin e shkollimit. Ishte pjesëmarrës dhe shumë aktiv në protestat dhe demonstratat e viteve ’90-ta. Më 1990 inkuadrohet në radhët e LDK-së në fshat dhe si aktivistë në Kaçanik, merrte pjesë në çdo tubim e protestë, që organizohej kundër forcave armike. Ndonëse, organet e UDB-së shpeshherë e kishin marrë në pyetje ai asnjëherë nuk iu nënshtrua pushtetit serb. Më 1996 policia serbe ia bastis shtëpinë dhe ia demoluan e thyen çdo gjë që gjetën në të, me pretekst të kërkimit të armëve. Bëri përpjekje maksimale për të grumbulluar armatim dhe me çdo kusht ishte i interesuar që të vendos kontaktet me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Kështu që më 10 mars 1999, sistemohet në Batalionin e Tretë të Brigadës 162 “Agim Bajrami” dhe vendoset në pikën e luftës në Gjurgjedell për të dhënë një kontribut të madh në luftën çlirimtare. Ai u shqua për kontributin e madh në ngritjen e moralit luftarak. Nga 10 marsi 1999 mori pjesë në të gjitha luftimet që u zhvilluan në këtë zonë luftarake. Ai ishte i përgatitur mirë fizikisht dhe moralisht. Kishte fizikun e një sportisti dhe njohuri të gjëra në artin luftarak. Rizvani shquhej për vendosmërinë dhe shkathtësinë e një ushtari të devotshëm. Bashkëluftëtarët e Rizvan Belës ishin: Menduh Elezi, Ahmet Selmani, Avdullah Idrizi, Sefer Bela, Kadri Bela, Isuf Idrizi, Nehat Idrizi, Naser Bela, Enver Bela, Xhelil Mani, Muhamet Bela, Naser Elezi, Sabri Bela, Irfan Bela, Shiqeri Bela, Ali Bela, Isni Bela, Vehbi Bela, Gani Bela, Avni Ismaili, Xhemil Mani, Nezir Luta, Mejreme Bela, Xhemil Bela, Emrush Bela, Mirvat Luta, Hamit Bela, Metush Bela, Ramadan Bela, Hebib Bela, Musa Spahiu, Nebih Bela, Milazim Axhami, Xhezair Bela etj. Në ditën e 14 majit 1999, ai ishte në krye të detyrës kur pozicionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sulmoheshin nga forcat okupatore, por Rizvan Bela me bashkëluftëtarët e tij qëndron i palëkundur në mbrojtje të pozicioneve të UÇK-së dhe popullatës civile. Në këtë rast njësitet e Brigadës 162 “Agim Bajrami” vazhdonin me luftimet duke ndërmarrë edhe sulme të reja mbi formacionet e forcave serbo-çetnike, të cilave nga dita në ditë u afrohej fundi famëkeq, por pikërisht në këto sulme Rizvan Bela dhe bashkëluftëtari i tij Xhezair Bela morën plagë vdekjeprurëse dhe ra në krye të detyrës. Trupat i pajetë të Rizvan dhe Xhezair Belës ra në duart e forcave serbe dhe u hodhën në një gropë në Kashan. Pas lufte u bë rivarrimi i tyre në Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik me nderime ushtarake. Pas vetes la dy djem Kushtrimin një vjeçar dhe Bashkimin tre vjeçar dhe bashkëshorten Safeten si dhe prindërit Hysenin dhe Nurien, vëllezërit: Habibin dhe Ilmiun i cili ishte ushtarë i UÇK-së si dhe motrat: Shukrien dhe Nazmien. Në luftë ishte i pathyeshëm. Ishte tmerr për armikun. Nuk e ndalte në aktivitetin e tij ushtarak dhe duke luftuar ballë për ballë, kundër armikut bie dëshmor për atdheun dhe lirinë e Kosovës. Dëshmori i kombit Rizvan Bela ishte shembull i luftëtarit të devotshëm, që nuk dorëzohej para asnjë vështirësie. Ai ishte shembull i njeriut të sakrificës, i gatshëm për të dhënë gjithçka për lirinë e atdheut. Familja e tij është nderuar me mirënjohje të shumta si nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes, Komanda e ZON-ës, Komanda e Brigadës dhe Komanda e Zonës së 6-të e TMK-së. (H. K.)
Kontrolloni gjithashtu
Lulëzim Shaip Guta (28.3.1980 – 28.9.1998)
Lulëzim Guta u lind më 28 mars të vitit 1980, në Therandë (ish-Suharekë), në një …