Halil Bajram Jashari ka lindur në Prekaz me 15 qershor të vitit 1960. Bashkëshortët Bajrami e Nailja, lindën e rritën bijtë e bijat: Tahirin, Beqirin, Habibin, Halilin, Mujën, Murselin, Hajzerin, Havën, Hanën e Sylemen.
Halili, shkollimin fillor e kreu në Prekaz, të mesmen në Skënderaj, shkollën e lartë teknike në Mitrovicë.
Ai ka punuar shef në fabrikë të lojërave në Skënderaj, por kur filluan masat e dhunshme atë e përjashtuan nga puna. Halili me të vëllain Beqirin, ishte gjithmonë përkrah Ademit dhe Hamzës, të cilët, së bashku me rojet e lagjes, kanë ndihmuar në ruajtjen e sigurisë në Prekaz.
Me veturën e tipit Llada kishte sjellë armatim nga Abria, disa ditë rresht afër dy javë, me të cilin armatim më vonë edhe kishin luftuar në Betejen tre ditëshe te Kulla e Jasharajve.
Demonstratat e vitit 1981, që shpërthyen si protesta mbarë-popullore të shqiptarëve kundër një gjendjeje të padurueshme në Kosovën e pushtuar, e të robëruar dhe të terrorizuar nga okupatori serb, u shtrinë edhe në Skënderaj, ku në mesin e shumë liridashësve ishte edhe Halili me vëllezërit.
Kontributi i Halilit për vendin ishte i madh. Me 22 janarit të vitit 1998, kur forca të shumta të njësive speciale serbe rrethojnë Kullën e Jasharëve dhe pa kurrfarë paralajmërimi fillojnë të godasin me minahedhës dhe me armë të tjera automatike, në familjen e Shaban Jasharit, gjatë këtij rrethimi ishin plagosur Selvete Hamëz Jashari dhe Ilirianë Rifat Jashari, me këtë rast Halili shkon me veturë atje i merr vajzat e plagosura dhe i dërgon tek infermieri Musë Mehaj i Prekazit për tu dhënë ndihmën e parë.
Në periudhën kur Kosova ishte e okupuar nga shteti serb, Halili me familjen e tij ishte vënë në shërbim të saj. Në marsin e vitit 1998 në familjen e Halilit dhe Beqirit ishin strehuar mbi 60 banorë, për të shmangur rrezikun dhe pasigurinë. Clirimtarët u ofronin siguri dhe mbrojtje të gjithëve.
Sic tregon vëllai i tij Habibi, që i kanë thënë dëshmitarët, Halili i ka pas 50 fishekë, ka qenë shenjëtar i zoti, ka luftuar si drangua. Ai nga ata 50 fishekë që ka gjuajt mbi armikun shekullor serb veq dy fishek i kanë shkuar huq. Halili kishte bashkëluftëtarë Bashkimin, Bilallin, Ragipin, Qemajlin, pastaj Shekip Fazliun etj. Bashkim Jashari ka treguar se kur janë tërhequr, për ta marrë Sherifin nga pozicioni, forcat armike policore e ushtarake serbe kanë gjuajtur me të gjitha llojet e armatimit, andaj iu është pamundësuar tërheqja nga granatat dhe plumbat.
Bashkimi Jashari ka treguar se gjatë luftimeve atë ditë, shpeshherë edhe nuk i kemi dëgjuar armët tona, sepse granatat që gjuanin policia dhe ushtria serbe ishin të shumta, disa nga ato nuk shpërthenin mbetshin në baltë. Halili i porosit bashkëluftëtarët sikur tregon Shekip Fazliu ju ka thënë: Hyni në ujë kur afrohen ushtria serbe merrne nga një kakudë dhe futne në gojë mos të ju hetojnë. Vet ka dal dhe ka luftuar deri në 10 metër distancë deri sa është përjetësuar në logun e burrërisë. Bashkëluftëtarët e tij kanë shpëtuar falë luftës dhe heroizmit të Halilit, përfundon kujtimin e tij në bazë të dëshmitarëve i vëllai Habibi.
Vëllai i Dëshmorëve, Beqir e Halil Jashari, Muja, kur shpërtheu lufta në Kroaci, pa hezitim u bë pjesë e saj dhe luftoi kundër regjimit kolonial serb. Pas mbarimit të saj presidenti i Kroacisë Franjo Tuxhman, i kishte ndarë Mirënjohje dhe Medalje për kontribut të jashtëzakonshëm, duke njohur dedikimin dhe sakrificën e tij në mbrojtje të lirisë së Kroacisë. Mirënjohja dhe Medalja nuk ishin vetëm një shenjë e nderimit ndaj Mujë Jasharit, por edhe një përgjegjësi për të pasuar rrugën e tij të shquar në shërbim të kombit. Muja nga Kroacia kishte ardh në luftën e UÇK-së, në Koshare dhe kishte luftuar deri në çlirimin e vendit.
Halili ka qenë i martuar me Sevdijen. Kur ka rënë në altarin e lirisë djalin Gentritin e ka pas vetëm një vit e gjysmë. Në një moment i kishte thënë nënës Naile: Nanë mos u mërzit se po ta lë djalin Gentritin.
Zemrije Nura, e fejuara e Habibit është plagosur me 26 mars 1999 në Aqarevë te tuneli. Ajo në momentin e plagosjes ishte duke i dhënë ndihmë një të plagosuri. Edhe sot e kësaj dite Zemrija i ka plagët në trup që ia shkaktoi Serbia okupatore.
Pas luftës familja e dëshmorit Halil Bajram Jashari është nderuar me Mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, nga SHP i UÇK-së, nga Shoqatat e dala nga lufta etj. Këto Mirënjohje shprehin respektin dhe vlerësimin e shoqërisë ndaj kontributit të jashtëzakonshëm të familjes së Halili Jasharit në çlirimin e Kosovës. (Habib Jashari)
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
