Halil Kajtazi: Kosovë, degë me sytha

(Runikë, 1956-1957)

Kosovë, o vend i rrethuar me bjeshkë të larta, me lloj-lloj drurësh të harlisur, me suka e lugina romantike, me pllaja dhe me gurë të ndryshëm. Kosovë, të jesh krenare me lumin Ibër dhe me Drinin e Bardhë që kapërcejnë nëpër shtatin Tënd, pastaj shkojnë e derdhen njëri në Serbi e tjetri në Shqipëri. Gëzohu Kosovë që bujku ujit tokën ku të parët tanë patën plang e shtëpi, e ndanë të mirën dhe të keqen, kapërcyen luftëra, vdekje e dasma, ditë gëzimi dhe hidhërimi, që sot jetojnë në gjirin Tënd, nën rrezet e lirisë, shpëtimtare të gjithësisë…

Dikur Kosovë nëpër malet vigane, shpat me shpat u zhvilluan luftëra fytafyt të tmerrshme, të ashpra dhe pa kurrfarë mëshire i copëtonin njerëzit, i përçanin dhe i ndanin pa dëshirë nga jeta si dhe nga toka që duhej ta mbronin dhe t’ia jepnin hakun. Dikur në Ty, Kosovë, shqiptari, serbi e malazezi e urrenin njëri-tjetrin dhe flisnin e shpifnin ç’ishte zi e më zi, duke bërë plane ogurzeza se si ta qitnin njëri-tjetrin në rrezik. Lanë shumë nëna me duar në gji e me kokë në hi, të demoralizuara përjetë, në ankth e pa shpresa, në mendime e shumë mundime… Kosovë, nëpër Ty ujët shkon e zalli mbetet, në tokën Tënde jetojmë ne. Edhe Bjeshkët e Nemuna, edhe malet e fushat, të gjitha janë për ne. Dhe, kudo që shkojmë, ne s’i harrojmë dot kurrë… Ata që shpiknin vargonj më të fortë se graniti për ne, krenoheshin dhe nuk trembeshin asnjëherë, duke mos ditur se do t’u vije fundi i jetës keq e më keq. Atëherë sikur nuk mund të imagjinohej se Kosova mund të nxirrej nga kthetrat e armikut. Rrallëkush besonte se mund të vinin mote të bukura për filizat e njomë pa kufij të hekurt e robëri, pa instinkte të hakmarrjes që nëpër shekuj helmuan gjakun e të rinjve dhe të rejave. Ju, or kosovarë shqiptarë, shpesh futeshit në luftëra me të tjerë e s’ishit në gjendje ta prisni fatin që ishte në duar tuaja. Fati dhe fitorja ju rrëshqiste nga duart si ngjala dhe mbeteshit me gishtërinj në gojë, duke shikuar pusin me peshq që notonin nëpër lumë.

Kosovë, o vend i famshëm, o atdhe i lavdëruar, me fusha pjellore, sot ngrite kokën lart e mos rri si dikur, se bijtë tu u lidhen aq ngushtë ndërmjet vetes, i treguan qëllimet sheshazi si dy të dashuruar dhe vendosën që të luftojnë e shpëtojnë nga kthetrat e huaja. Kosovë, edhe skuta më e errësuar për Ty ishte shpresë dhe prore qante për Ty e për bimën tënde të re, për udhët e jetës, për krojet, për malet, për fushat e gjera… Gjatë lëngove në robëri. Robërinë e të tjerëve s’e durove, luftove, duke shporrur pushtuesit e ndryshëm që t’i rrëmbenin të mirat, madje edhe kafshatën e bukës nga goja. Nëpër gurët e stralltë e shkëmbinjtë brinakë, nëpër trungjet e pemëve e të lisave qindravjeçarë, në palcën e shtatit të ahishtave e të shkozishtave edhe sot gjenden gjurmët e plumbave. Luftove trimërisht nëpër istikame që të shpëtosh jetën e kokën. Kurrë s’dite t’i bësh armikut gënjeshtër e t’i dredhesh pas shpinës. Mbi trupat e bijave sokolesha dhe të bijve me shtatin e gjergjeleztë derdheshin plumbat si breshër e shi… Dhe flinin e nuk dihej se kur do të zgjohen nga ai gjumë i përjetshëm.

Kosovë, vetëm Ty të ndanë, të futën në luftë përçarëse e pastaj të pështynë e të shanë. Ty, Kosovë… Armiqtë çuditeshin pse prej kësaj toke dolën trima të famshëm, burra të ndershëm që gjithnjë i mbronin trojet e tyre shekullore, vërsuleshin në luftë për liri, si luaj, si dragonj. Më luftëra të përbashkëta i shkatërruat blloqet dhe komplotet që përgatiteshin e luftonin kundër teje dhe mbanin zi për Ty! Pashallarët dhe bejlerët hapnin varre për të varfrit dhe krijonin gjendjen e frikës për bukë e fëmijët qanin për nënat e tyre që bridhnin për të fituar kafshatën e gojës. Dhe kudo me trastë në supe, duke lypur derë me derë. Nevoja për të mbajtur frymën gjallë, dashuria për bimët e shpirtit dhe të zemrës shpesh i ligështonte dhe i detyronte të trokisnin në ndërgjegjen e njerëzve: “Më jep pak bukë, zotëri, se po më vdesin fëmijët nga uria!” Bukën që e fitonte punëtori me djersë, ia merrnin prej gojës.

Kosovë, sot ke këputur vargonjtë e robërisë shekullore, prandaj ngrite ballin tënd krenar para botës. Ti ke qenë e do të jesh shtylla e Shqipërisë. Bijtë dhe bijat tuaja, Kosovë, asnjëherë s’u frikësuan, por si breshëri me rreptësi futeshin në luftë kundër armiqve, me armë e pa to, me bukë e pa bukë, ia ngjitnin me thonj në gropë të fytit. Dhe, kur u dilte shkuma nga goja, kur e shihnin se po u perëndon jeta, kërkonin ndjesë!…

JEMI TË NJË NËNE…

Dola nga gjiri Yt, Kosovë, bimë e re, dhe me penë në dorë do të vdes për Ty, sepse vetëm Ti më ledhatove me ato rreze të bukura të diellit tonë të lirë… Kosovë, në Ty e rrita këtë shtat, prandaj jetoj e punoj për Ty! Kosovë, të shikojnë Dielli dhe Hëna me nostalgji për kohën që ke kapërcyer dhe, kur rrezet e tyre zhduken, ato prapë të përshkëndijojnë, duke u përleshur me muret e jetës së dikurshme që ishte që nga herë kupë e mbushur plot vrer…

Hape udhën tënde, Kosovë, me buqetë lulesh! Sot Kosovë i këpute vargonjtë e rëndë e të padëshirueshëm që e lidhnin fatin e njerëzve që jetonin në gjirin tënd. Shumë bijve tu u shkonte gjaku përrua, e lanë çdo pëllëmbë të kësaj toke me gjak të pastër shqiptarësh: burra dhe gra, djem dhe vajza si zana dhe trimëreshat i kapën armët dhe u futën në luftë që t’i mbrojnë vatrat e tyre, me shpirtin ndër dhëmbë që e vunë në hobe e luftërat u ngritën në legjenda të pashkruara, që sot po i shkruajmë…

Kosovë, trimëreshë e maleve, lule e rrallë, shpëtove prej zgjedhës së huaj dhe robërisë, se bijtë tu u lidhën  duarsh që të mos e lejojnë që në tokën tënde të shkel këmba e të huajve. Të quajtën të mjerë, të mjerët! Të pagëzuan edhe si e shkretë ata që të shkretuan nëpër shekuj, Ty, Kosovë nënë!…

Emri Yt, Kosovë sot ngrihet deri në kupë të qiellit!… Në Ty, moj Kosova ime nënë, u përmbysen gërmadhat e fatit të njerëzve.

Kështu kishte përfunduar impresioni im në atë orën letrare, që nuk mora asnjë duartrokitje frenetike!

Pastaj gjej të shënuar në bllokun tim, se në atë orë letrare, kishte lexuar në prozë arsimtari Idriz Hysenaj tregimin: “Njerëzit me kapuça të hekurt”

Rashë për të fjetur në shtratin tim, Kosovë kreshnike, dhe gjatë tërë natës se si më shkonte vetvetiu dora për të ngacmuar një puçërr. Përpiqesha ta shtrydhja e t’ia nxirrja shtratin me qelb, por kisha frikë se mos puçrra do të shpërthente me hov e do të mund ta stërpikte shtratin tim. Pastaj Nora do të më qortonte: “Piihh, a sheh se i ke zhlyer teshat e shtratit me ato puçrra tua!” Pashë anijen Kosovë dhe kapitenin e saj duke lundruar nëpër detin tonë, pashë nënën Kosovë që ishte martuar me dymbëdhjetë burra. Burrat vetëm të shikonin Ty, o moj nëna jonë, dhe fare nuk të qortonin… Ti, moj nëna ime, Kosovë, buzëqeshje. Të buzëqeshte edhe burri i parë, por Ti as që e shihje… Ata burrat e tjerë të pagëzuan me emrin e lavires, kurse trimit të parë kurrë nuk i kishte shkuar mendja të të pagëzojë me një emër poshtërues. Pas dymbëdhjetë burrave që i ndërrove, o moj nëna jonë, Kosovë, Ti  të gjithë i lë me gishtërinj në gojë dhe u ktheve sërish te burri i parë, o moj nëna jonë!

“A më mirë është ta kesh një  nënë, apo dy nëna?” – e kishin pyetur atë burrë të parë.

 “Lumi ai i lumi që i ka dy nëna! Ngado që shkon, s’është jetim kurrë!” – ishte përgjigjur Pa u hamendur.

 “E qysh dy nëna?”

“Ashtu dy nëna, se jetimit, kush të çohet i pari, “dan”, ia jep nga një shqelm!”

Kosovë. moj nëna ime! Sërish nuk po mundem ta duroj atë puçrrën në fytyrën time! Të pashë mirë, moj nëna ime, Kosovë, se, edhe kur u ktheve te burri i parë, që të dy kapërcenit nëpër një turmë të njerëzve që duartrokisnin pas jush: “Ja mbreti dhe mbretëresha, Kosovë! Sa kënaqësi, sa gëzim! Kënaqësi për burrin e parë, por edhe për ata burrat e tjerë, që i kishe ndërruar, si kuleçët në hi, o moj nëna jonë, Kosovë, dhe asnjëherë nuk të qortonin. Po, sa kohë fjete me ata burra, a pate apo s’pate fëmijë, o moj Kosovë! Të shpallën mbretëreshë, o moj nëna jonë, ta bënë edhe burrin mbret. O moj nëna jonë!…

Kur më kishte dalë gjumi, pashë se puçrrën s’e kisha shtrydhur mirë, por në valët e Radio-Tiranës dëgjoja këngën: “Nënë e kemi Kosovën, nënë e kemi Shqipërinë!…”

PA FJALË

Pesë vjet në degën e arsimit, më duken si pesë ditë, pa asnjë plagë të rëndë. Pesë vjet kapërcyen si pesë sekonda të shpejtë, por edhe pse për ato pesë vjet u përpoqa të bjerë e të fle e të zgjohem me mendime të mira e me shpresë se një ditë nxënësit e mi do të shohin dritën e ardhmërisë. Për pesë vjet nga pesëdhjetë kalamaj të ulur në banka të shkollës dëgjonin dhe e nderonin fjalën e mendimin tim të qetë, por shpesh edhe me zërin e ashpër, kur ndokush e prishte qetësinë në orën e mësimit, më duhej të klithja: “Hej, nxënës të dashur, pa fjalë! Mos ua prishni qetësinë nxënësve të klasës IV!”. Të gjithë më prisnin me kureshtje të madhe t’ju tregoja diçka të re nga librat e lexuar që kudo ishin pengesë për të mos u përhapur: “Jo, mos e lexo këtë apo atë libër të ndaluar, jo, lexoje dhe mos i trego askujt çfarë ke lexuar, por diturinë ruaje për vete!…”

Pesë vjet në “katedër” të zhubravitur që më dukej se shkëlqente, madje sikur ishte praruar me “arin” Kosovë! Flisja para filizave të njomë, para djelmoshave dhe vajzave. As vet s’mund të dalloja veten se isha me moshë më të madhe se ata. Përherë ishim së bashku dhe të lirë, duke kërkuar e ndërtuar një jetë pa plagë të kohërave që kapërcyen për ne! I harruam plagët dhe pëllumbat e bardhë që i adhuronim të lirë. Mua më dukej se e fitova lirinë aq shumë të pritur, o moj nënë, lirinë e Abetares shqipe…Çdo ditë mendoja se ditët e reja do të jenë më të bardha e më të mira për mua dhe për shkollarët e rinj. Ishin ditë të punës në kohën e rinisë, ato pesë vjet, ishin ditë me plot rreze të qeta të gëzimit dhe nën krenarinë e tyre bëja përpjekje t’i edukojë dhe t’i mësojë nxënësit që m’i kishin besuar prindërit e atyre katundeve të mbytura në baltë dhe varfëri të errësirës shekullore. Gjatë kësaj kohe pata nderin të shoh e të njoh njerëz të mirë të aftë e të plogësht në jetë. Përpiqesha ta peshojë diturinë time dhe të tjerëve. Për pesë vjet, mund të them lirisht, se i kam ndërtuar mbi pesëmijë kala të reja e të forta, më të forta se graniti, kala të jetës së re, por që gjithnjë mbeti jetë edhe për të tjerë. I lexova më se pesë mijë hartime në dorëshkrime të nxënësve dhe me mijëra mendime të shprehura në letrën e bardhë, që më nxisnin të hap hulli të reja të jetës së re, që gjithnjë adhuroja të mbetej jetë për të gjithë ne… Në fletoret e hartimeve kanë mbetur gjurmët dhe këshillat e mia. Po qe se janë ruajtur, më vonë do të kenë sadopak vlerë! Do të kenë peshën e fjalës së shkruar për krijimin e shkollës kombëtare shqiptare. Përmirësimet e udhëzimet e hartimeve i pranoj se janë të miat, vetëm nëse është ngjyra e kuqe enkas për korrigjimin e hartimeve… Ajo veçohej prej ngjyrave të zakonshme: ishte ngjyrë e hartimeve që e ruaja vetëm për përmirësimin e mendimeve e shprehjeve më të kulluara të nxënësve. Pesë vjet kam shkruar me stilografin tim të gjelbër: orën e mësimit të gjuhës shqipe e pranoj se është imja, vetëm kur do ta shihni ngjyrën e stilografit të gjelbër. Nuk di çfarë ndodhi me atë stilografin tim që e pata dhuratë nga vëllai, që aq shumë e adhuroja… As ai nuk do të kishte menduar se sa shumë do të më mbetej në kujtesë stilografi i tij, që për atë kohë kishte vlerë… Eh, edhe ai ishte në shoqërinë time! Edhe pse shpesh e qortonim njëri-tjetrin, në fund i lutesha me zemër: “Më fal, vëlla, të dimë se qe të dy jemi për një udhë të përhapjes së shkronjave shqipe!…”

Pesë vjet kapërcyen, por çfarë do të ketë tash e pastaj?! Pastaj?!… Ç’kohë do të vije? Këtu po e vë një pikëpyetje të madhe e pastaj do t’ia nis një fjalie tjetër. Dhe, në fund të asaj fjalie po e vë pikën. Pikën e jetës sime…

Pesë vjet në Runikë u përpoqa t’i mësoja nxënësit se ku duhej t’i vënin shenjat e pikësimit në shkrimet e tyre. Gjatë një orë të mësimit, kur pashë se Vehbi Çitaku i kishte bërë disa gabime, e nxora te dërrasa e zezë. M’u desh t’ia vë një pikë me tebeshir në lule të ballit. Të gjithë nxënësit qeshën! Vehbiu kishte dalë nga klasa me pikën e tebeshirit në lule të ballit. Atë ia kishin vërejtur shokët në oborrin e shkollës, por asnjërit nuk i kishte bërë përshtypje, prandaj as nuk kishin qeshnin. Gjatë kujtohej në atë shkollë të Runikës: “Pika në lule të ballit të Vehbiut!” Ç’prej asaj ore të mësimit të gramatikës, nxënësit nisën të përdorin ku duhej pikën, pastaj edhe presën, dhe kështu me radhë i mësonin dhe i përvetësonin edhe shenjat e tjera të pikësimit. Eh, i kthehem asaj pike të shkruar në ballë që sigurisht e mbajnë në mend edhe shokët e klasës së Vehbi Çitakut, por me gjasë edhe atij i ka mbetur në kujtesë… Kujtime janë këto, të mos frikësohemi prej tyre. Dhëntë Zoti që në asnjë mënyrë të mos përsëriten!… Diçka krejt tjetër po lind, edhe pse jemi mësuar me atë shprehjen që shpesh krekoseshim si të rinj dhe e përdornim para maturës: “Përsëritja është nëna e dijes, ajo është mësim!…” Dhe asnjëherë nuk shprehej te ne se ajo mund t’ishte edhe pësim!…

Lehtë është të kujtosh e të latosh kohën e shkrimeve të nxënësve, po edhe më vështirë është t’ua latosh nxënësve nderimet, mendimet. Çdo gjë në mua ishte mësim që një ditë lutesha që të tjerët të mos pësojnë në jetë. Edhe pikëpamjet e pedagogut rus, J. A. Komnenski shpesh më kthenin në jetë për të tjerë: “Shkolla pa disiplinë, si mulliri pa ujë!…” Si gjithnjë në vete i shqyrtoja pikëpamjet dhe paraqitjet e mia para nxënësve: “Pa fjalë, Kosovë…” Pesë vjet kapërcyen e gjurmët që lanë në mua, janë edhe këto me shkrim: pa fjalë!… Dhe, ja një jetë time po ua kthej  shokëve të gjeneratës sime, e cila në supet e saj ngarkoj dhe shkarkoj shumë barrë të jetës. Barrë e jetës është edhe kjo imja: Kosovë, degë e këputur e nënës Shqipëri!…

Pesë vjet në mjedis të kolegëve të mi arsimdashës shqiptarë, serbë e malazezë që, kur qemë të rinj, bashkëpunuam në mënyrë shoqërore, duke i shkëmbyer mendimet progresiste të brezit të ri, pa i ditur djallëzitë që ishin mbjellë nëpër shekuj ndaj nesh… Por, në heshtje ndryja mendimin tim: “Kosovë, degë me sytha!…”

Dielli kishte kapluar ndërtesën e shkollës së Runikut. Nxënësit ishin larguar, kishin ikur nga orët e mësimit. Shkolla kishte mbetur e zbrazët si një krojshe bletësh e hedhur në skaj të oborrit.  Më dukej se edhe bletët kishin kërkuar ndonjë zgur lisi, por s’ishte kohë e shumëzimit të tyre. Edhe pak ditë e ato në pranverë do të ndahen prej amës, do të bëhen shumë koshere, do të kemi mjaltë!… E ndjenim veten shumë të lodhur nga punët me nxënës. Ishte fundi i vitit shkollor. Notat duhej të përfundoheshin. Të gjithë prisnin që sa më parë të rriteshin dhe prej atyre bankave që mëzi i pastronte korrieri Halil, të ndaheshin. Ndarja është e mirë, por loti i drejtorit, sikur kishte lënë gjurmë në kohë…

Ishim tubuar në sallë të arsimtarëve. Mbledhja e Këshillit të arsimtarëve pritej që të fillonte. Erdhi drejtori i shkollës dhe, posa u ul në një karrige të thyer, sërish u ngrit në këmbë për të hapur mbledhjen.

“Shokë të nderuar, arsimtarë! Rendi i ditës së kësaj mbledhje është: Mbyllja e notave të nxënësve për fundin e këtij viti shkollor.

Ishte fundi i vitit shkollor 1956/1957.

Në regjistrat e shkollës penat vërsuleshin shpesh terbueshëm e shpesh edhe në mënyrë të qetë, arsyetoheshin njohuritë e fituara të nxënësve. Rubrikat zyrtare të ditarëve e të Librit të amzës plotësoheshin me ngjyrë të kuqe, e mua më shkonte mendja, si përherë te hartimet: mos ia kisha “hëngër” hakun me shkrim ndonjërit prej nxënësve, apo kisha dhënë ndonjë këshillë të gabuar që gjeneratat pastaj të më qortojnë!… Qofsha i gabuar për të gjithë! Uroj gjithë të mirat bashkëkohanikëve !…

KOSOVA, në maj, 1971

Maji i klasës punëtore dhe i gjithë popujve në botë! Maji që shndrit për popujt e të gjitha racat në botë, maji i kuq… Punëtorët e botës, o Maji ynë, presin ditën tënde të kuqe, sepse me duart e tyre luftuan e punuan për këtë ditë të madhe, me flamurin e tyre të kuq!…

Për Ty, o Maji ynë këndojnë punëtorët, sepse ti i ushqeve me nektarin jetëdhënës dhe ua fisnikërove zemrat e tyre. Atëbotë, meloditë e këndshme për liri dhe barazi, zë ky që së pari e ngriti punëtori dhe jehoi nëpër lugina, në male e në kodra të thepisura – atje ku punëtori punonte thellë në galeritë nëntokësore, me kazmë në dorë dhe kërkonte shpëtimtarin që e shkroi parullën: “Fabrikat punëtorëve!”

Kushtrimi për Majin tonë të kuq, kushtrimi për Majin çlirimtar, kushtrimi për festën e bashkimit të popujve mbarë… Po ky është Maji i luleve, po që në ditët më të vështira i dridhi themelet e borgjezisë dhe i mori në mbrojtje edhe të drejtat e vegjëlisë! Pra, popujt e këndojnë edhe sot e kësaj dite himnin tënd, o Maji ynë! Pra, ejani të këndojmë edhe ne, o punëtorë të ofiçinave tona!…

Këtu, prej një miniere të vjetër, duart e minatorit hapën një hulli të ndritshme: zhurma e vagonetave të stërvjetruara u zëvendësuan me zhurmat e ekskavatorëve që hapën themelet e një vepre të re industriale: Kombinatin energjetik-kimik “Kosova”.

Dhe, përditë po lindin uzina të reja!

O Maji ynë, le të jetë ky himni ynë për Ty!

Emri Kosovë, ditar i përjetshëm i jetës sonë.

Kosovë, ti je një degë me sytha për të gjithë ne!…

Në bllokun e shënimeve të mia gjej të shkruar: “Për Kosovën trimëreshë janë krijuar shumë legjenda nëpër shekuj se si të jetë e pushtuar nga të tjerë! Se, syri Kosovë nuk ngihet kurrë, vetëm dheu i saj flori i nginë rrëmbyesit e lirisë së këtij trualli; klima dhe lima e fjalës së shkruar, e jo, shfrenimi i gojës që thur!… E, ç’është syri, Kosovë!? Një javë  është polemizuar me një ton të ashpër për pagëzimin tënd, Kosovë! Në mbledhjen e Këshillit të Punëtorëve të Kombinatit “Kosova”, serbët dhe malazeztë mbronin pikëpamjet e tyre nihiliste se pagëzimi Yt, në gjuhë të tyre “KOSOVO” duhej gjithsesi të miratohej edhe në gjuhën shqipe! Gjatë u grindën anëtarët e këshillit të punëtorëve rreth pagëzimit të këtij emri të vjetër Kosovë! Shqiptarët mbronin tezën për Kosovën, që të shkruhet KOSOVA! KOSOVË… Kjo prapashtesa shqipe: “OVË”, sikur qëllimthi u bë një mollë e grindjes, për Ty, Kosovë!

Shpalos nga mendja ime legjendën: Kosova, që kishte pasur vetëm një vëlla dhe një motër, që kishin mbetur jetimë: pa nënë, pa baba. Vëllai ishte rritur në duar të farefisit, po edhe e motra e tij. Çobani dhe çobanesha i ruanin bagëtinë nëpër fusha e nëpër male të Kosovës. U rritën në zemrën e kësaj toke Kosovë, dhe shpesh i vëllai kishte fituar një fuqi e besim në vete se do të mund t’i rrihte të gjithë çobanët e çobaneshat! Për çdo mbrëmje krenohej para motrës Kosovë, se unë po i  rrah të gjithë, dhe se ata po më frikësohen.

“Mos, o vëlla, mos u shti krye, se një ditë të bëhen të gjithë bashkë si një e të sulmojnë!” – iu lut e motra vëllait të saj:.

“Jo, motra ime, mos ke frikë!” – mburrej i vëllai para motrës me trimëritë që i bënte me të gjithë.

Një ditë çobanë dhe çobanesha ishin mllefosur tepër në të. Dhe, kur ai në sulmin e parë i kap katër-pesë veta si pula të nduklavta, u ngritën të tjerët me shkopinj e rrameta në duar dhe e munden, por edhe nga plagët që i mori djali në trup, vdiq! Kishte marrë vesh motra e tij se vëllanë ia kishin mbytur çobanët e çobaneshat. Ajo kishte shkuar dhe kishte qarë gjatë e me gjëmë mbi trupin e tij, kishte vajtuar për fatin e të vëllait dhe të saj! Kjo ishte një elegji kosovare e motrës për vëllanë:

Motra të ka treguar, o vëlla, i mjeri vëlla i pa vëlla,

Motrën s’e dëgjove, o vëllai im, i motrës pa vëlla,

U rrite së bashku me çobanë dhe çobanesha, o vëlla i motrës

Dhe, ja të gjeti e papritura, o vëlla,

Të mbeti motra, e mjera motër, pa vëlla, o vëlla!

E kishin varrosur vëllanë të pavëlla me emrin Kosovë e motra burrëreshë Kosovare e kishte vajtuar me klithmën: “OVË, OVË!” Motra ç’prej asaj dite ishte veshur me tesha të reja të zeza burrash kosovarë dhe kishte thënë:”Unë jam burrë e s’jam grua! Unë s’do të martohem për jetë! Për nënën Kosovë jam e gatshme që kurdoherë të vdes!…”

Ajo e kishte mbajtur fjalën dhe besën, Kosovë! Motra s’ishte martuar dhe kurrë ato kostume të burrave s’i kishte hequr nga trupi, derisa një ditë dheu i zi flori mbi varr të saj kishte kumbuar! Motër e vëlla me një emër të përbashkët të një gjaku të pastër: Kosovë! Por, fatbardhësisht që Kosova e kishte ruajtur virgjërinë e saj: Kosovë!

Ps:…Të mos harrojmë se njerëzit i falën gjaqet, e ka të tillë që nuk e falën asnjë fjalë goje!

LINDJA, KOSOVË

Sa ëndrra të bukura kisha parë e kisha thurur për Kosovën dhe shpesh e fusja ëndrrën time në gojë të lavërtarit, që e lëronte tokën me parmendë e qe. Dikur mëzorët bërlykeshin me krenari në këtë fushë të gjerë. Sa shumë këngë thurën barinjtë dhe bareshat për bagëtinë, po edhe për Ty, Kosovë, që gjithnjë dashurinë tënde e ruajtën thellë në gji. Yjet kanë shkëlqyer gjithnjë mbi Ty, në male e në rrafshinë të pëlleshme. Qielli ishte i bukur gjithmonë. Natën hëna i ka përkëdhelur udhëtarët e vonuar. Tash, kur hëna ndërron, udhëtarët i përkëdhelin edhe dritat elektrike, që kanë shpërthyer gjithkund në tokën e bukës, Kosovë… Shumë e shumë legjenda u thurën dhe u shthurën në Ty e për Ty, Kosovë! Sa lot të kulluar u derdhën në Kosovën krenare, e këta lot u shndërruan në diçka të re… U dëgjua një fishkëllimë – fishkëllimë në agim. Dielli ia fali njerëzimit një kurorë të argjendtë.

Në Kosovë punoi bujku e punëtori i fabrikës, plaku dhe plaka, i riu dhe e reja. Djersët e punëtorit kanë rrjedhur sikur uji, ata kanë punuar për përtëritjen e vendlindjes: të ndërtojnë diçka të re, të ngritin diçka të madhe, për t’u harruar gjaku që ishte derdhur në Ty, Kosovë nënë! Gjaku që ishte derdhur në Ty, Nënë Shqipëri! Dikush ka shkretuar për Ty, por kush ishte ai dikush? Punëtori e kishte hetuar ketë para kohës. Sa e sa biseda janë bërë për Ty, duke kapërcyer luftëtarët e huaj nëpër këtë tokë, me marrëveshje përkohësisht dhe pastaj zunë vend e të mbajtën peng nëpër shekuj, të pagëzuan si tokë mera e të panjohur, e s’e dinin se meraja lëshohet vet… Këtë e morën vesh edhe malet e Bjeshkëve të Nemuna!…

Edhe udhëtari i panjohur ka parë shumë gjëra në Ty, Kosovë! Edhe atij të njohurit që dikur ka mundur t’i njehë në gishtërinj të dorës shtëpitë dhe trojet e thata, që mbetën të shkretuara nga luftërat me të huajt…

Ka shumë dëshmime dhe ëndërrime nëpër kohë të vështira.

Katundet përreth qenë shumë të vogla, të gjitha ishin të mbytura në një pus të thellë të prapambetjes shekullore: Obiliqi, Kryshevci, Hadja, Plemetini, Bardhi i Madh dhe i Vogëli,  Sibovci e shumë e shumë katunde të tjera qenë nën hijet e rënda të varfërisë dhe robërisë, që kërkonin udhë të reja, jetë…

Sa shpejt aguan rrezet e diellit. Shndritën mbi pellgun e Minierës Kosova, që u dhanë zemër katundeve të vogla dhe banorëve të tyre për jetë të re. Bujku dhe punëtori u ngritën kundër dhunës.

Lindi Kosova krenare. Klasa punëtore u zgjua me mjete të reja të punës në prodhimtari. Lavërtari e ndërroi mendimin. Mëzorët u tremben nga zhurma e makinave, u tremben edhe kuajt llaqumi, që kullosnin lirisht nëpër ara dhe livadhe, u tremben edhe qengjat e edhat e dhive nëpër male, u tremben edhe zogjtë e ditës dhe të natës në degët e pemëve dhe të lisave… U trembën nga zhurma e makinave edhe shumë shpendë të tjera: sorrat e larme e ato të zeza, sorrëshkinat, i lanë çerdhet e zogjve të tyre nëpër degë të larta të plepave. Tashmë askush nuk ruhej nga glasat e sorrave! Kushedi, çfarë do të ndodhte me lejlekët? Befasi: sa shpejt lindi diçka e papritur për ne!… Dita e re agoi, shkrepi mëngjesi që njerëzit e prisnin me padurim e dashuri për punë dhe jetë. Njerëzit prore i gërvishtë thellë në zemër lindja me emrin Kosovë! Prej një vendi të vogël, nga një xeherore e Kosovës, filluan të ndërtohen një varg objektesh të mëdha industriale. Ofiçina e vogël filloi t’i shtrijë krahët e saj. Udhëtari sërish shikonte me habi dhe në vete mendonte: “Si ka mundur diçka e tillë të vije në këto troje stërgjyshore?!” Mahnitej udhëtari duke shikuar tymtarët që villnin tym të zi për prodhimin e energjisë elektrike, për dritën e re!…

Thëngjilli që u ruajt nëpër shekuj në këtë nëntokë, doli mbi sipërfaqe të saj dhe po krijon mrekulli. Kush kishte menduar se ky “ari i zi” do të bëjë një kthesë kaq të madhe jetësore, por edhe njerëzore! Të tillë që mendonin se thëngjilli mund të përdorej vetëm për nevoja të shtëpisë e jo edhe për nevoja të mbarë njerëzimit në botë, u ftohen nga ato pikëpamje. Ashtu ishte koha atëherë, sepse “kosoviotët” (kështu na kishte quajtur Noli) kishin mbetur pa male e lisa të mëdhenj, por jo edhe pa Nënën Kosovë…

“Ç’janë këto shtëpia të reja? Ç’u bë kaq shpejt? Po, ndryshimet sa çel e mbyll sytë, Kosovë? Si dhe kur lindën kaq shumë objekte të reja të kësaj kohe, Kosovë? Kush qe ai që e ngrehi këmbën zvarrë?” Këto janë edhe pyetjet e mia pa përgjigje nëpër kohë… Katundarët kërkojnë hullinë e Kosovës. Ku flinin banorët në ato kohë të liga: kashta ishte shtrojë e mbulojë, ishte sinonim i jetës. Kërkohej me të madhe edhe kashta që shtrohej e mbulohej me cerga të dhinjta. Erdhi dita kur kërkoheshin edhe çarçafët që të mos gërrithej trupi nga cerga e punuar me lesh të ashpër të dhive! Sigurisht, ashtu ishte koha që kërkohej t’i zgjidhej neni i shekujve. Këtë s’mund ta mohojë askush, sepse edhe ne e përjetuam një skaj të jetës së tilla, jetë me halle!…

Në mjedis të katundit shtrihen shtëpitë e reja, pak më tutje ofiçinat e reja dhe tymtarët e termocentraleve që janë kthyer nga qielli dhe nga dielli që rrezonte, Kosovë! Çdo gjë  lind nën hijen e Kosovës: mbitoka u lidh me nëntokën. Linden edhe shumë gjëra të tjera, në Ty, Kosovë, që do të mbesin simbol i jetës së re, i jetës sonë, me emrin tënd me legjendën, Kosovë!

Shikoj nga kodrat e larta Kosovën me tymtarë dhe minaret të xhamive; dëshmi janë edhe këto… Më kënaq çdo gjë e re që shoh në Kosovë, më këndell, me magjeps…

Nëpër udhët dikur të heshtura, tashmë kapërcejnë me qindra e mijëra punëtorë, udhëtarë, kamionë, vetura e traktorë. Udhët janë shtruar me asfalt e me katrorë, janë më të gjera e më të gjata. Ato po lidhen me njëra-tjetrën për të mirën e njerëzve e të shkollarëve që aq shumë u pritën të kapërcejnë nëpër to me çanta të librave në duar. Të gjithë e kanë hapur kraharorin dhe orvatën t’ia dhurojnë Kosovës lulen më të bukur dhe t’ia ruajnë erën e luleve, Kosovë! Në çdo skutë po troket diçka e re: konvejerët, ekskavatorët lugorë dhe rotorë, sikur edhe hekurishtet po e këndojnë këngën më të re nënë, Kosovë! Të gjitha stabilimentet janë në duar të punëtorëve dhe të gjithë kanë mësuar t’i përdorin ato në praktikë.  Sihariqe qenë këto për Kosovën!…

Në zemër të Kombinatit “Kosova” është themeluar edhe shkolla për arsimin e punëtorëve: i madh dhe i vogël iu kanë reshur shkollimit, aksioneve të reja për çdo gjë që  çojnë vetëm përpara. Sa të lumtur e ndiej veten kur shoh punëtorin e shtyrë në moshë me libër dhe laps në dorë. Sa më kënaq punëtori kur në praktikë e vë atë që ka mësuar nga profesori, inxhinieri. Të gjithë janë bërë një: punë dhe djersë, e unë me penë i mbroj dhe kërkoj:”Hej, ju lutëm, kujdes për ata minatorë që u është djegur buka e gojës! Ata janë mësuar të punojnë në nëntokë dhe s’mund t’i durojnë rrezet e diellit!”

Në çdo kënd: gjithnjë lëvizje, gjallëri, zhurmë të ekskavatorëve, punë, zell, durim…Edhe vinçat janë në lëvizje e gjendje gatishmërie; ata me urdhër komandojnë dhe i pezullojnë pjesët e makinave të reja, ua ofrojnë montatorëve të devotshëm. Sa vërej pjesë të makinave të rënda: ngarkesa që vinin nga bota e jashtme me anije e tren… “Si mund të bëhej kjo punë?!”, pyesnin njerëzit  e anëve të ndryshme. Këtu notojnë në ajër thuprat e hekurta, këtu bëhet montimi i tyre. Punëtorët nuk i shikojnë me habi, janë mësuar me këto punë të makinave, i vënë në vende të caktuara, dhe një ditë presin kur fabrika e pagëzuar “Termoelektranë” do të vjellë tym, e pastaj edhe prodhim e dritë…Edhe poetët punëtorë kanë çka të shkruajnë për punëtorë, sepse edhe vetë janë pjesë e tyre. E duart e punëtorit janë si çeliku. Ardhmëria  është e punëtorit dhe e bijve dhe bijave të nënës, Kosovë… Ata i themeluan ofiçinat e reja, i vendosën sipas planeve të hartuara qysh herët. Këto janë poezitë bashkëkohore të punëtorit, të minatorit nga galeria nëntokësore, të shkrimtarit, të nxënësit e të studentit…Të gjithë kapërcejnë udhëve të reja të kohës që i ka hapur dyert e shkollimit, duke kënduar këngën e re, me melodi të kohës së re.

U ngrit Kombinati i ri. Po shtohen përditë makinat e reja; po prodhohen gjithnjë e më shumë megavatë të energjisë elektrike. Bujku e lëron arën me qe dhe një ditë pret se do ta lëroj edhe me traktorë. Bujku e shikon qiellin me shpresë se do të bjerë shi për të lashtat që i ka mbjellë në ara të tij. Ende po bërlykën mëzorët në këtë rrafshinë. Kosova krenare është bërë hambar i të gjithëve! Të gjithë i drejtojnë sytë në tymtarët e lartë. Kur ndalet shiriti transportues i thëngjillit, e ndjejnë veten të fyer e si të vrarë, i brenë ndërgjegjja; pse ndodh kështu? Kur vëren se ngrihet tymi lart në qiellin e hapur pa vranësirë, punëtorit i gëzohet zemra dhe i bëhet mal… Janë të lumtur që përvojat e të tjerëve  arritën t’i vënë në jetë. Sa shumë shkëmbime mendimesh profesioniste u bënë prej Kollubarës në Velenjë, prej Obiliqit e në shtete të tjera fqinje. Përpjekjet qitën në dritë tërë këtë që po e gëzojmë dhe një ditë do ta kurorëzojmë me emrin Kosovë… Se asnjëherë s’ndejtëm duarthatë e as duarkryq! Qemë të etshëm të kemi, por edhe jetojmë për Kosovën nënë, për tokën, për diellin e për qiellin, që poeti ynë i mirënjohur Rifat Kukaj, në kohën e tij shkroi: “Asgjë nën këtë qiell, i dashuri fëmijë,/pa emrin Kosovë,/ s’do të kishte bukuri!” Koha dhe njerëzit e kohës do t’i shërojnë plagët, do t’i lehtësojnë vuajtjet që s’po dëshiroj t’ia rikujtoj nënës, Kosovë: qafëkëputur, qafëthyer e lutem zëshëm: “Shporre atë kosë nga qafa, njëherë e përgjithmonë, Kosovë!”

Kosovë, legjendat e luftës të lanë në udhëkryqe: “Më mirë është të qajë një nënë, se dy nëna! Nëna Kosovë ka vetëm një nënë: Shqipëri! Kosovë  e etur për liri!…

Befasi: syri i djathtë më lëviz dhe e pyes Norën time:

– Norë, moj Norë, ç’ka ky syri im i djathtë që më lëviz?

– Shenjë i mirë, por s’duhet t’i tregosh gjithkujt. Moti do të ndryshojë – më jep shpresë ajo, e unë sërish i kthehem temës sime dhe përsias: “Moti: Kosovë! “

Pena ime shënon fjalinë: “Kosova u zgjua nga gjumi i përjetshëm. Ta pagëzoj edhe një Kosovë të re që i lëshon rrezet e lirisë me emrin Kosovë – Shqipëri! ( O të lutem mos t’i ndajmë!…) Dhe gjithkund më thotë një mendje se po rilind emri Kosovë!…

Të gjithë ata që shkruan libra për Ty, Kosovë, do të jenë të nderuar nëpër shekuj…

Tregomë, Kosovë, kush desh ta vjedh orën që të priu, Ty?…

Kosovë, hënë e re, hënë e plotë, hënë drapër? Me Ty jetojmë për Shqipëri!

Kosovë, vashë, nuse e pleqëri: vasha është pranverë e Kosovës, nusja është verë, kurse pleqëria – dimër!

Kosova është në hënë të vetë ose të fëmijës! Presim lindjet…

Të qortuan nëpër shekuj se shtohesh si hidra, Kosovë!

Kosovë, lirikë e përjetshme, që të gjeta në vëllimin “Valët e detit”(1908) të Spiro Dinesë: “Hën’ e re, vash’ e re!” Gjatë e blova në mendjen time një urti të Mustafë Çelajt nga Vuthaj: ”Kosova është një gropë e ëmbël!”

Sa të ëmbla janë fjalët e tregimtarëve që do nderuar, të ëmbla janë edhe fjalët e punëtorëve tonë. Sa bukur tingëllojnë ato nëpër ofiçinat e reja dhe përzihen me zhurmën e konvejerëve që po e nxjerrin zemrën e tokës së Kosovës në dritë! Të gjithë punëtorët kanë shënuar nga diçka në ditarët e jetës së tyre, kanë shënuar edhe plagët e jetës, dhe kur do t’i shpalosin një ditë, ato janë dëshmime dhe rrëfime jetike për Obiliqin, dje, sot, nesër… Për këtë ka dëgjuar edhe shkollari i ri, që përpiqet t’i tregojë mësuesit të tij se babai apo xhaxhai i punojnë në Minierën “Kosova”.

– Baba! – i drejtohet djali prindit në mbrëmje. – Unë do t bëhem inxhinier, teknik. Më pëlqen të punoj këtu… Për Kosovën tonë, baba! – dhe prej gëzimit brof në këmbë sikur shpejt u rrit apo doli nga nëntoka Kosovë.

– Nënë! – i drejtohet vajza së ëmës. – Unë do të bëhem ekskavatoriste. Do të punoj për Kosovën, nënë!

Prindërit i kanë ndërruar botëkuptimet e tyre mbi jetën. Të rinjtë dhe të rejat e kanë gjetur udhën drejt jetës së re. Të gjithë me këngën e një poeti social, me çantat e librave, shkojnë me gëzim në shkollë, në punë dhe në vallen e jetës…Ngazëllehem me ato vargje migjeniane  që m’i recitonin nxënësit dhe që më janë ngulitur thellë në këtë zemër:

Thueja kangës rini, thueja kangës gëzimplote,

Qeshu, rini, qeshu, bota asht’ e jote!…

Buzëqeshjet, puna, hovi rinor e jeta e re kanë bulëzuar kudo. Këngët e reja jehojnë deri në kupë të qiellit. Edhe pak ditë e do të lëshohen në punë disa objekte të tjera të reja. Për këtë mbretëron gëzimi dhe pritja me padurim në mbarë kolektivin punues. Zëri i punëtorëve dëgjohet në çdo skutë. Një tog punëtorësh, më tutje edhe shumë grupe të tjerë grupe-grupe hyjnë në galeritë nëntokësore të Minierës Kosova, dhe klithin në hyrje: “Me fat!” Në Mihje shiriti pëshpërit. Konvejerët kacafyten me thëngjillin që kishte fjetur në nëntokën, Kosovë!

“Mos jam në ëndrra apo flatra të fëmijërisë?” – pyet shpesh punëtori kur zgjohet nga gjumi, me vullnet për t’u nisur në punë.

“Jo, jo!” – i drejtohet babai i zgjuar djalit që herët ishte zgjuar nga gjumi i natës. “Kjo është zhgjëndërr, biri im! Të gjitha këto i bënë duart tona”

– Hej, o shok, ka punëtor që punojnë  nga njëzet e katër orë pa ndërprerje, vetëm për të mos u ndalur prodhimi! – dëgjohej zëri i një kryepunëtori të ndërresës së parë.

Ofiçina e re lëshon një zhurmë të këndshme. Ritme të punës janë këto…

Inxhinieri i ri, Idriz Ibrahimaj, ishte sihariq që nuk e mohon mundin dhe djersën që derdhin punëtorët: Faiku, Mlladeni, Kareviçi, Fehmiu e shumë të tjerë.

Sa bukur! Edhe pak vjet e do të dëgjohet një sihariq tjetër: “Edhe tri termoelektrana të reja do të lëshohen në prodhim!… Edhe shumë ofiçina të reja janë në radhë…

Shoka e tymit ngrihej furishëm përpjetë. I shikoja largpërçuesit dhe pyesja veten: “Nga po shkon kjo rryma jonë?…” Në tymtarët e lartë digjeshin krandet e motive, për Ty, nënë, Kosovë! Kujtoj tim at kur më kishte thënë : “Mos ja kthe kalemin Shqypnisë!”…

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …