Hanife Zymer Jashari (10.4.1981 – 5.3.1998)

Hanife Zymer Jashari (10.4.1981 – 5.3.1998)

Qëndresa e Prekazit e 5, 6 dhe 7 marsit e vitit 1998 ka qenë njëra ndër betejat më të dhembshme, por edhe më krenare të historisë sonë më të re.
Tri ditë rresht luftuan në mbrojtje të dinjitetit kombëtar dhe njerëzor të gjithë Jasharët. Shembullin e Adem Jasharit për të mos u dorëzuar e kanë ndjekur edhe Hanife Zymer Jashari, po ashtu me tërë familjen, Të rënët e të martirizuarit ishin të të gjitha moshave prej fëmijëve, djemve e vajzave të mitura deri te gratë, plakat e pleqtë. Ranë në këtë mes edhe të gjithë ata, që rezistuan me armët që kishin dhe të cilët për asnjë çast nuk u ligështuan dhe nuk u dorëzuan.
Hanife Zymer Jashari u lind në vitit 1981, në Prekaz të Poshtëm. Baba Zymeri dhe nëna, Mihrije, lindën e rritën 12 bijë e bija.
Ajo mësimet fillestare i mori në Skënderaj, ku ka mbaruar edhe tetëvjeçaren. Ka vazhduar mësimet në Klinë, ku ndodhej paralelja e ndarë e shkollës së mesme, nga ku serbët kishin dëbuar nxënësit shqiptarë.
Hanifja ka qenë nxënëse e mirë. Ishte shembull për të mirë dhe lavdërohej si nga arsimtarët ashtu edhe nga shokët dhe shoqet e gjeneratës,
Prej kohës së daljes publike të UÇK-së, në nëntor të vitit 1997, familja e ngushtë dhe e gjerë Jashari e Prekazit kishte marrë të gjitha masat për të rezistuar kundër forcave okupatore. Pothuajse çdo natë mbaheshin tubime në odat e këtyre trimave, të cilët po projektonin rezistencën e cila parashihej të përfshinte tërë Kosovën.
Natën e 4 marsit të vitit 1998, Hanife Zymer Jashari ndodhej në shtëpi së bashku me nënën, Mihrije, motrën Sabrijen si dhe vëllezërit Hajzerin e Murtezin e kushërinjtë e tjerë.
Sulmi brutal dhe barbar i forcave ushtarake e policore serbe kundër Jasharëve kishte filluar para orës 6 të mëngjesit të 5 marsit. Në të njëjtën kohë, me predha artilerie qenë goditur shtëpia e Zymer Jasharit, shtëpia ku ishte Hanifja dhe të tjera, ku edhe kishte filluar rezistenca e armatosur.
Forcat serbe kishin zënë pocizion te vendi i quajtur “Mali i Premë” rreth 200 metra përballë shtëpisë së Halit e Zymer Jasharit, nga ana lindore. Baza ishte sulmuar nga serbët edhe nga Fabrika e Municionit. Jasharët po sulmoheshin me armë të rënda të artilerisë nga të gjitha anët. Goditjet ishin fatale për të gjitha familjet nën rrethim. Sapo pushonte granatimi dhe forcat e këmbësorisë merrnin turr drejt kullave, ata ndesheshin me breshërinë e kallashëve të Jasharëve çlirimtarë. Këmbësoria sërish tërhiqej dhe sërish fillonte sulmi nga artileria e rëndë. Në një gjendje të tillë të sulmit mizor Jasharët e Prekazit rezistuan rreth 80 orë.
Në shtëpi, të rrethuar nga të gjitha anët ndodheshin: Hanifja me vëllëzërit Hajzerin dhe Murtezin, nënë Mihrijen, dhe motrën Sabrijen, pastaj, Halit Imer Jashari me bashkëshorten e tij, Elhemen. Në kullë ndodheshin edhe tre bijtë e Zenë Jasharit, Abdullahu, Bujari dhe Blerimi dhe bashkëshortja e Zenes; Bahtija dhe Zenë Jashari i vetmi i mbijetuar në ato shtëpi.
Prej ditës së parë të sulmit të forcave ushtarake e policore serbe kanë rezistuar me armët e tyre e gjithe familja e Hanifes.
Në rrethimin e hekurt, të goditur nga të gjitha anët me armë të rënda të artilerisë kanë rënë në altarin e atdheut: Hanife Zymer Jashari, Hajzer Zymer Jashari, Murtez Zymer Jashari, Sabrije Zymer Jashari me nënë Mihrije Jashari; Halit Imer Jashari me bashkëshorten Elheme Jashari; Abdullah Zenë Jashari, Bujar Zenë Jashari dhe Blerim Zenë Jashari me nënë Bahtije Jashari.
Në ditën e katërt, serbët kishin thyer rezistencën e Jasharëve dhe kishin tërhequr kufomat, të cilat fillimisht i dërguan në “Servisin” e Lah Tushilës, në dalje të Skënderajt. Në mesin e të viktimizuarve mungonin kufomat e nënës të saj, Mihrijes dhe motrës Sabrijes. Ende nuk dihen rrethanat e zhdukjes së këtyre kufomave, por dihet se shtëpia ku kanë qëndruar Hanifja me familjarët është bërë blozë nga granatimet dhe flaka e zjarrit që kishte përfshirë shtëpinë. Mendohet se serbët i kanë tërhequr kufomat për shkak se ishin femra dhe me qëllim, që të fshehnin sadopak krimin kundër grave dhe fëmijëve.
Trupat e këtyre dëshmorëve dhe dëshmoreve të kombit prehen në Kompleksin e varrezave në Prekaz, ku janë varrosur të gjithë të rënët më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998.
Para shtëpisë së rezistencës është ngritur një kompleks përkujtimor, ku janë skalitur në mermer, fotot dhe emrat e këtyre 11 të rënëve të kësaj dege të lagjes Jashari të Prekazit. Nga familja e Hanife Jasharit kanë shpëtuar motrat dhe vëllëzërit: Enveri, Zyhrija, Hajrija, Drita, Veseli, Naxhija, Imeri, Sherifja dhe Hamidja.
Familja e Hanife Jasharit ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Zona Operative e Drenicës, nga shoqatat e luftës dhe nga Kuvendi komunal i Skënderajt etj.
Kujtimet e vetme të Hanifes të mbetura janë vetëm fotografitë dhe memoriet.
Jasharët sërish kanë ngritur kullat e tyre dhe me bijtë, bijat, nipat e mbesat po vazhdojnë jetën, krenarë për veprat e baballarëve, nënave, motrave e vëllezërve, që u bënë gurë themeli për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. (Vlorë Sahit Jashari)

Kontrolloni gjithashtu

Nazmi Zuk Jashari (13.11.1967 - 5.3.1998)

Nazmi Zuk Jashari (13.11.1967 – 5.3.1998)

Nazmi Zuk Jashari, ka lindur me 13 nëntor të vitit 1967, në Prekaz të Poshtëm, …