Duke filluar nga sot, 26 qershor, është hapur zyrtarisht afati për aplikimin e subjekteve politike që synojnë të certifikohen për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit 2025. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka deklaruar se kjo periudhë do të zgjasë 49 ditë, deri më 13 gusht. Gjatë kësaj kohe, partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur mund të dorëzojnë kërkesat e tyre për certifikim pranë Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike. Aplikimi do të mundësohet edhe online, ndërsa subjektet kanë të drejtë të zgjedhin në cilat komuna dhe për cilat pozita do të garojnë – për kryetar komune, për kuvendin komunal apo për të dyja. KQZ u bën thirrje të gjitha subjekteve politike të respektojnë afatet ligjore dhe të përgatiten me kohë për procesin zgjedhor që do të mbahet më 12 tetor.
