Brickos

Hasan Bajram Kastrati: Me mund, djersë e punë të pandalshme arritëm të mbijetojmë gjatë viteve të rënda të robërisë

Hasan Bajram Kastrati: Me mund, djersë e punë të pandalshme arritëm të mbijetojmë gjatë viteve të rënda të robërisë

Veterani i arsimit dhe veprimtari,  Hasan Bajram Kastrati nga Kizhareka, i lindur në vitin 1924, me vëllanë e tij Hysenin,  ishin ndër mësuesit e parë në pjesën jugore të Drenicës, të cilët tërë jetën ia kushtuan arsimimit të brezave. Hasani dhe Hyseni, (tani i ndjerë)  kanë ngelë në kujtesë të mijëra nxënësve të kësaj pjese të Drenicës, të cilët me mësuesit e tjerë, qysh pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore filluan nga e para, filluan përhapjen e dijes dhe diturisë në gjuhën shqipe,  të mohuar gjatë shekujve, filluan arsimimin e nxënësve me shpërndarjen e gjysmë fletoreve dhe gjysmë lapsave dhe me nga një abetare për disa nxënës. E nisën edhe njëherë nga e para dhe arritën që pas disa dekadave, Kosova të ketë mjaftueshëm shkolla por edhe fakultete, Universitet dhe Akademi të Shkencave, tani edhe liri e pavarësi.

Hasan Bajram Kastrati në një bisedë për TV-Diellin ka rrëfyer për jetën e tij, shkollimin fillimisht në mejtep te Mulla Arif Shala, që ishte edhe gjyshi i tij nga e ëma, i cili në kohën e regjimit antishqiptar të Jugosllavisë monarkike  nxënësve u mësonte edhe shkrimin shqip, që ndalohej me ligj dhe dënohej si vepër penale nga regjimi i Kralit.

Me rastin e hapjes së shkollës shqipe në Komaran të Drenicës në vitin 1941 ai kishte vazhduar mësimet dhe më pas iu kishte kthyer profesionit të mësuesit.

Ndërkohë, në vitin 1945, forcat jugosllave e mobilizojnë në Frontin e Sremit, ku kishin rekrutuar edhe disa mijëra shqiptarë, të inkuadruar në brigadat partizane e çetnike, të disponuara e të orientuara  tejet armiqësisht kundër shqiptarëve.

Në radhët e atyre brigadave ishin vrarë prapa shpine qindra shqiptarë, ose ishin bërë mish për top, duke i rreshtuar përballë forcave gjermane në tërheqje, të cilat ndiqeshin këmba-këmbës nga partizanët, meqë Gjermani e Hitlerit kishte kapitulluar qysh në maj të vitit 1945.

“Mua dhe disa shqiptarë të tjerë të kësaj ane të Drenicës  na  rekrutuan në një brigadë sovjetike, të Armatës së Kuqe dhe prej Sremit na nisën në drejtim të Zagrebit. Kishte shumë shqiptarë, por na kishin degdisur nëpër radhët e kombeve të tjera dhe nuk kishim mundësi komunikimi, as dinim për fatin e atyre mijërave që na kishin mobilizuar. Vetëm kur jemi kthyer në Kosovë, ne që shpëtuam gjallë kemi mësuar se shumë prej atyre që ishin nisur për në Fronin e Sremit nuk ishin kthyer më”.

 Pas luftës, duke qenë se kishte kryer disa vite shkollë në gjuhën shqipe, Hasan Kastratin e emërojnë mësues në Komaran. Pastaj në Bardh të Madh dhe në shumë fshatra të tjera të Drenicës.

“Në fillim nuk kishim mjete elementare të mësimit. Një fletore  dhe një laps i ndanim në dysh dhe ua jepnim nxënësve. Pastaj i sollën abetaret e para, por nuk kishte për të gjithë nxënësit. Kishte edhe skamje, mjerim dhe ndjekje të atdhetarëve. Pasi nuk ishte pajtuar me regjimin dhe me mbetjen e Kosovës në Jugosllavi, regjimi kishte vrarë Mulla Arif Shalën, Sokol Brahimin, Izet Muratin. Po ashtu pak vjet më vonë kishte vrarë në pritë edhe Rifat Berishën me katër burra të tjerë. Kishte arrestuar dhe dënuar me burg të rëndë, Reshit Plakiqin dhe për pak kishte shpëtuar, Shaip Plakiqi nga Nekovci. Regjimi ishte hakmarrë ndaj shumë familjeve shqiptare”…

Mësuesi, Hasan Kastrati, në bisedë për TV-Diellin ka sjellë edhe shumë rrëfime të tjera të kohës, kur shqiptarët e molisur dhe të degdisur nga lufta, të vrarë e të masakruar nga regjimi i kohës, megjithatë iu kishin rrekur jetës, punës në bujqësi e ndërtimtari, pastaj kishin shkuar  në kurbet në republikat e Jugosllavisë e më vonë edhe në shtetet e Evropës me të vetmin qëllim për të mbajtur familjet me bukën e gojës dhe në përpjekje mbinjerëzore për ekzistencë.

Veprimtari, Hasan Kastrati kishte vëlla edhe Hysenin, i cili po ashtu kishte qenë ndër mësuesit e parë të Drenicës jugore. Ai kujton edhe mësuesit e tjerë të kohës si Isak Zabelin, Shaban Shalën nga Kizhareka Adil Cenën, Riza Adilin, Idriz Ajetin, Fetah Jasharin, Hysen Canin, Hasime Shalën, Rexhep Ajazin, e shumë të tjerë, të cilët ishin flakadanët e parë të përhapjes së diturisë dhe mësimit shqip në këto troje, me shekujt të tërë në terrin e robësisë.

Tani, në moshën që po shkon drejt një shekulli jetë, Hasan Bajram Kastrati kujton me emocione kohën e kaluar, edhe pse me kondicion të reduktuar fizik, ai tregoi mirëkuptim për të bashkëbiseduar dhe  për të sjellë në kujtesë kohën e kaluar, punën, aktivitetin, ngritjen e familjes, shkollimin e brezave, por edhe jetën nën  regjimet e huaja shtypëse e shfaronjëse që nga regjimi i Kralit, i Titos, i Milosheviqit,  të cilët u zhdukën me qëndresën shekullore të shqiptarëve, me ndihmën e një segmenti të botës përparimtare e demokratike  e në fund edhe me luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

( Bisedën me mësuesin veteran, Hasan Kastrati, në banesën e tij në Drenas e zhvilloi, Ahmet Qeriqi)

 

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …