Hashim Thaçi

Hashim Thaçi: Serbia me veprimet e fundit ka treguar se ka qëllime të njëjta me ato të regjimit të Millosheviqit

Kryetari, Hashim Thaçi, thotë se Serbia me veprimet e fundit ka treguar se ka qëllime të njëjta me ato të regjimit të Sllobodan Millosheviq gjatë viteve të 90-ta. Sot presidenti serb Tomislav Nikoliq deklaroi se është i gatshëm të dërgojë ushtrinë në Kosovë nëse rrezikohen jetët e serbëve të Kosovës, një ditë pas ndalimit të hyrjes së trenit serb me mbishkrimin “Kosova është Serbi” nga autoritetet kosovare. Thaçi i është përgjigjur Nikoliqit se Kosova është e interesuar për dialog dhe normalizim të marrëdhënieve duke i quajtur të papranueshme kërcënimet për luftë. Jam i kënaqur që është shmangur tensionimi i situatës politike dhe i sigurisë në Kosovë e rajon, duke ndaluar hyrjen eventuale ilegale të trenit propagandistik të Serbisë në territorin e Kosovës. Kosova respekton lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Për këtë qëllim kemi hapur vendkalime kufitare të reja me fqinjët dhe kemi arritur marrëveshje që mundësojnë kalimin e kufirit vetëm me letërnjoftim, që të gjithë qytetarët e rajonit të lëvizin pa pengesa.

Në periudhën e fundit, si pjesë e një skenari të vjetër, Serbia fatkeqësisht ka ndërmarrë një fushatë të provokimeve të vazhdueshme që kanë për qëllim të prodhojnë tensione në Kosovë dhe në rajon. Pjesë e këtij skenari ishte edhe shndërrimi i trenit në mjet propagandues, duke e veshur me mesazhe dhe fotografi që kishin për qëllim provokimin dhe tensionimin e situatës në Kosovë dhe që ishin në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe konventat evropiane e ndërkombëtare. Për të ndaluar këtë skenar, autoritetet e Kosovës vlerësuan se është në interes të paqes dhe stabilitet në rajon që të mos lejohet hyrja ilegale e trenit propagandues. Prandaj, organet e rendit dhe sigurisë morën masa që të pengohet cenimi i integritetit dhe sovranitet të Republikës së Kosovës nga autoritetet e Serbisë. Shpresoj se autoritetet e Serbisë e kanë kuptuar se veprimi i tyre ka qenë ilegal dhe në kundërshtim me frymën e dialogut dhe bashkëpunimit që po promovojmë në rajon.

Kërcënimet e Serbisë se janë të gatshëm për luftë dhe për të dërguar forcat ushtarake në Kosovë, flasin qartë se qëllimet e Serbisë janë të njëjta me ato të regjimit të Millosheviqit gjatë viteve të 90-ta. Këto kërcënime për luftë janë të papranueshme, në kundërshtim me dialogun për normalizim të marrëdhënieve dhe rrezikojnë drejtpërdrejtë paqen në Ballkanin Perëndimor. Përkundër kësaj gjuhe të vjetër kërcënuese dhe provokuese që vjen nga Serbia, unë bëj thirrje që të vazhdohet me rrugën e deritashme të dialogut, bashkëpunimit dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura mes dy shteteve dhe të punojmë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Kontrolloni gjithashtu

Partitë opozitare kanë kritikuar Qeverinë për gjendjen e rëndë nëpër ndërmarrjet publike

Partitë opozitare kanë drejtuar kritika ndaj Qeverisë Kurti për gjendjen e rëndë nëpër ndërmarrjet publike …