“Heli e Mimoza”, nga shkrimtari, Adem Demaçi

Proza e shkrimtarit Adem Demaçi prej fillimit të krijimtarisë së tij, në vitet ’50 të shekullit XX e deri tani, ka qenë dhe do të mbetet një prozë përmbajtësore, me tematikë të angazhuar, qoftë në aspektin shoqëror, ashtu edhe në atë kombëtar e meditativ.
Tregimet e para të botuara më vonë nën titullin: “Kur Zoti Harron” kanë qenë tregimet më të thella sociale të regjistruara në letërsinë shqipe, që kishte filluar të zhvillohej në vendin tonë, qysh në vitet e para të pas Luftës së Dytë Botërore.
Adem Demaçi një emër shumë i njohur, jo vetëm për botën shqiptare, i mirënjohur për qëndresën, guximin dhe atdhetarinë e tij të dëshmuar, është po ashtu i njohur edhe me disa vepra të shquara letrare e artistike, në mesin e tyre tri romane: “Gjarpinjtë e gjakut”, që konsiderohet se romani më i mirë i letërsisë shqipe të shkruar në Kosovë, në vitet 50-60 të shek XX, pastaj romani shumë i brumosur me ide humane, i shkruar pas lirimit nga burgu 27 vjeçar, i titulluar “Libri për vetëmohimin” dhe pjesa e parë romanit të sapobotuar “Heli e Mimoza”. 
Vepra letrare artistike e Adem Demaçit është një sintezë e përpjekjeve, për ta shprehur botën meditative dhe filozofinë e tij të thellë humaniste përmes mjeteve dhe shprehjeve gjuhësore të romanit. Në këtë drejtim, Demaçi krijues, ka arritur të sendimentojë artistikisht një mori vlerash morale, në esencë humane, vlera këto të përgjithshme njerëzore, të cilat iu nënshtrohen dhe gjithnjë janë në akord me “ligjet e jetës”.
Në krijimtarinë e deritanishme letrare artistike, në skicat, rrëfimet dhe romanet e tij, Demaçi ka arritur të shpreh një pjesë të shpirtit të tij krijues, të shpreh një pjesë të botës së tij të pasur ndiesore, ka arritur të segmentojë fragmente nga filozofia e tij meditative dhe krijuese, të cilën e ka gjurmuar prore dhe ka arritur ta vjelë, sikur vjel bleta nektarin.
I çiltër në jetë, i thjeshtë në thjeshtësinë e tij meditative filozofike, gjithnjë i guximshëm, rrënues i pamëshirshëm i censurës dhe pengesave ideologjike, Demaçi, po i tillë lajmërohet edhe në krijimtarinë e tij artistike. Ai e njeh mjaft mirë artin letrar, ashtu sikurse e njeh edhe jetën, dhe sfidat me të cilat ballafaqohet ajo. Në çdo situatë, me të cilën e ka ballafaquar jeta, Demaçi ka gjetur modelin e ballafaqimit, por edhe të tërheqjes në raste të caktuara, i prirë kurdoherë nga filozofia e tij jetësore, e cila buron nga erudicioni i tij, nga literatura që ka lexuar dhe nga burimet e shumta të informimit, mbi të cilat e ka pasuruar kredon e tij meditative krijuese.
Pjesa e parë e romanit “Heli e Mimoza” trajton një segment të zhvillimeve shoqërore e politike në fillimin e zgjerimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në pranverë dhe në verë të vitit 1998. Përmes dialogëve në raport: djali dhe ëma, (Heli- Shega), studentë e shokë të pandarë: (Heli – Mimoza), dhe bijë e baba: (Mimoza e Azem Zeqiri me të tjerë), Demaçi ka përmbledhur zhvillimet në kohë dhe hapësirë, duke mbarështuar në roman ngjarje nga jeta e përditshme, si dhe duke i sintetizuar ato si ngjarje që kanë rrjedhën e vetë si shkak pasojë, rrjedhën e ligjeve të jetës së përhapur në universum, rrjedhën e luftës së përhershme të ballafaqimit të të kundërtave, negacionin e negacionit. Demaçi krijues, tashmë disponon një filozofi të fuqishme të komunikimit letrar artistik mes personazheve, duke i përjetësuar ata letrarisht si pjesë të një tërësie, ku ata ballafaqohen me sfidat e jetës, me të priturat e të papriturat saj, me të rëndomtat e ngjarjet e jashtëzakonshme. Këndi nga ku Demaçi e vrojton realitetin, të cilin e përshkruan në roman, është një kënd autentik, i cili buron nga filozofia e tij jetësore, nga ligjet e natyrës e të Zotit, nga pjesëzat e shkëputura si dhe nga pjesëzat dhe tërësia e kuantumeve. Gjithçka në jetë dhe në natyrë ndodhet në kauzalitet të përjetshëm, ndodhet në një lidhje organike mes së kundërtave, në mes së mirës dhe të keqes, në mes të dritës dhe errësirës, në luftën e përjetshme të të kundërtave, mbi principet, në të cilët ekziston jeta, lëvizja, ligjet e natyrës, ligjet e jetës dhe të lëvizjes, universi…
Romani “Heli e Mimoza” është një roman realist, meditativ dhe psikologjik, që mëton të bëjë sintezën e ngjarjeve në një periudhë të caktuar, përmes protagonistëve të rrethit të ngushtë të Azem Zeqirit, i cili është edhe personazhi kryesor i veprës, i sintetizuar në përvojën dhe fatin jetësor të vetë shkrimtarit. Bartësit e ideve dhe batutave jetësore janë njerëz të thjeshtë në dukje, por janë bartës të rrethanave të caktuara historike, të jetës së shqiptarëve nën robërinë serbe e sllave. Si të tillë, ata janë përshkruar si pasojë e robërisë së njerëzve të rritur në rrethana tejet të vështira të jetës. Shega, një grua malësore, e pafat në martesë, mezi e shpëton djalin nga tragjedia e sigurt, por i biri i vetëm, Heli i saj i dashur, mbetet me pasoja fizike gjatë tërë jetës. Ai mbetet gungaq në pikëpamje fizike, por ka një inteligjencë të jashtëzakonshme, dhe është i vetëdijshëm për gjendjen e tij. Ndërsa Mimoza është bija e një të burgosuri politik, e edukuar me norma morale pozitive, e çiltër, e pastër, besnike, e përkushtuar për brendësinë e shpirtit jetësor, e jo për ambalazhin, për mbështjellësin e jashtëm të atij shpirti. Ajo ka kuptuar esencën e jetës, duke qenë se në jetë ka përjetuar shumë të papritura në rrethana të caktuara. Ajo e dëshiron dhe e dashuron shokun e studimeve, Helin gungaq, sepse ajo e vëren gungën, si pjesë të formës së jashtme, ndërsa çmon përmbajtjen shpirtërore e njerëzore. Mimoza, nuk ka komplekse të natyrës borgjeze, të natyrës së rutinës dokësore patriarkale. Për më tepër, e edukuar nga mësimet dhe përvoja e babai humanist, ajo me vetëdëshirë do të sakrifikohet për Helin, për botën e tij të pastër ndiesore, për inteligjencien dhe talentin e tij, duke mos e vërejtur fare grushtin e pamëshirshëm me të cilin atë e ka goditur fatkeqësia. Mimoza, në dashurinë e saj të çiltër ka mbështetjen e babait humanist, por ajo ndeshet ashpër me të ëmën, Belkize, e cila në asnjë mënyrë nuk do të pranojë, që e bija e saj e vetme të bëhet nuse e një gungaçi.
Heroi kryesor i veprës është Azem Zeqiri një intelektual shqiptar, të cilin nuk e ka thyer burgu 27 vjeçar, përkundrazi e ka bërë të fortë, të qëndrueshëm, të çelikosur me ide humaniste e kombëtare. Ai tashmë është kthyer në ndërgjegje kombëtare, në sinonim të qëndrestarit të gjallë, të ideatorit, salvuesit dhe bërësit të një segmenti të lirisë. Ai tashmë është i vetëdijshëm se rruga e filluar nga ai vetë, e pasuar nga qindra e mijëra bashkëmendimtarë të tjerë, ka dhënë edhe frytet e para, të arrira, armët e para të lirisë të luftës heroike të UÇK-së. I vetëdijshëm për ndikimin që ushtron në radhët e çlirimtarëve, Azem Zeqiri bën edhe vërejtjet e para rreth organizimit të luftës, duke i dhënë përparësi luftës guerile dhe jo asaj frontale, e cila në kushte dhe rrethana të caktuara, fillimisht qe interpretuar si e padobishme.
Pjesa e parë e romanit “Heli e Mimoza” mbaron me marrjen e lajmit nga Azem Zeqiri për rënien dëshmorë të Fehmi Lladrovcit dhe Xhevë Krasniqit-Lladrovci.
Edhe pse vetëm si pjesë e parë, romani disponon tërësinë e duhur kompozicionale, është i pasuruar me të gjitha mjetet shprehëse që e shquajnë tërësinë e prezantuar në trajtë të një rrëfimi kompleks me stilin, gjuhën e pasur e të rrjedhshme, skalitjen e personazheve, e mbi të gjitha me përmbajtjen e thellë humaniste. Shpresojmë, që lexuesit, sa më parë t’i kenë në duar edhe pjesët e tjera të romanit. Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Dhjetë alfabete të gjuhës shqipe, të cilat i ka prezantuar në një libër studiuesi i mirënjohur, Robert Elsie

Robert Elsie: Literatura shqipe në traditën islame-osmane I

Me ardhjen e tij ne Shqiperi, pushteti Osman solli me vete kulturen e tij te …