Avdullah Hoti

Hoti: Gjykata Kushtetuese po thellon krizën politike

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat sipas tij po e komplikojnë më tej funksionimin e demokracisë parlamentare në vend. Në një reagim publik, Hoti ka thënë se Kushtetuesja nuk ka nevojë dhe nuk duhet të zgjidhë çdo problem politik, por para së gjithash duhet të trajtojë situatat që i ka krijuar vetë përmes interpretimeve të saj. Ai ka përmendur aktgjykimin e vitit 2014, i cili, sipas tij, ka krijuar një precedent të rrezikshëm duke i dhënë të drejtën absolute partisë së parë për të propozuar kryetarin e Kuvendit – edhe në rastet kur ajo nuk e ka shumicën parlamentare.

“Ky aktgjykim e ka shkelur parimin themelor të demokracive parlamentare – dominimin e shumicës. Mund të jenë 80 deputetë që mbështesin një kandidat të caktuar, por pa pëlqimin e partisë së parë, ai nuk mund të zgjidhet,” ka shkruar Hoti në Facebook.

Ai gjithashtu ka theksuar se vendimi i vitit 2014 ka cenuar edhe një tjetër parim kushtetues: mandatin e lirë dhe të pakushtëzuar të deputetëve. “Deputetët nuk janë të lirë në ushtrimin e mandatit të tyre, nëse mund të votojnë vetëm një propozim që vjen nga një parti e caktuar,” ka shtuar ai.

Hoti propozon një model më të balancuar: e drejta e partisë së parë për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit duhet të jetë e kufizuar në kohë. Pas përfundimit të një afati të arsyeshëm, kjo e drejtë duhet t’i kalojë shumicës së re që formohet në Kuvend. “Një zgjidhje e tillë është brenda frymës kushtetuese dhe në përputhje me praktikat e demokracive parlamentare evropiane,” ka deklaruar Hoti.

Ai e ka cilësuar si të domosdoshme kthimin e seancës konstituive në pikën ku është ndërprerë në mënyrë jokushtetuese nga kryesuesi i përkohshëm i Kuvendit, duke paralajmëruar se vetëm përmes respektimit të parimit se “shumica vendos” mund të dilet nga kriza aktuale politike.

Kontrolloni gjithashtu

Haradinaj: Kurti po politizon fatkeqësinë në veri për të mbuluar aferat e tij

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësues të Vetëvendosjes për …