Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka ndërmarrë një veprim simbolik gjatë seancës së Kuvendit të enjten, duke e larguar flamurin kuq e zi nga ulësja ku zakonisht qëndron kryeministri Albin Kurti dhe duke e zëvendësuar atë me flamurin e kompanisë private NOA. NOA është një nga kompanitë më të përfolura vitet e fundit, përfshirë në kontrata të shumta në sektorin e energjisë me vlera qindra milionëshe. Ky veprim, sipas Bajramit, ishte një formë proteste kundër, siç e quajti ajo, “kapjes së shtetit dhe korrupsionit të qeverisë Kurti”. “Që të punojmë ditë e natë me sinqeritetin më të madh për t’ia hequr maskën Albin Kurtit. Ai nuk ka të drejtë të mbështillet me flamurin kuq e zi sa herë i duhet. Pas katër vitesh në pushtet, Kurti sot identifikohet me flamurin e NOA-së, të Meditekut dhe të 2.550 kontratave pa procedura të rregullta,” deklaroi Bajrami. Ajo akuzoi kryeministrin Kurti se po përdor simbolet kombëtare për të mbuluar dështimet dhe aferat korruptive, shtoi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
