Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se hetimet për importin e energjisë në Kosovë kanë nisur pas ankesave të adresuara në Komunitetin e Energjisë në Vjenë dhe në Zyrën e Rregullatorëve të Energjisë në Lubjanë Sipas saj, kërkesa për hetim ka pasur në fokus kostot e transportit dhe mosrespektimin e rregullores evropiane REMIT, e cila rregullon transparencën dhe integritetin në tregjet e energjisë. “Pretendimet tona për keqpërdorim në fushën e importit të energjisë kishin bazë dhe tashmë kanë marrë vëmendje ndërkombëtare. Fakti që hetimet kanë nisur nga vetë ZRRE është rezultat i metodës së punës së institucioneve përkatëse, ku hetimet zhvillohen nëpërmjet zyrave rregullatore të shteteve anëtare – në këtë rast, Kosovës”, u shpreh Bajrami. Ajo theksoi se përveç Zyrës së Rregullatorit për Energji, hetimet implikojnë edhe ndërmarrje të tjera publike si KOSTT dhe KEK. Deputetja shtoi se tashmë dosja është dorëzuar edhe në Prokurorinë Speciale të Kosovës, nga e cila pritet të nisë sa më parë hetimi penal. Eshtë koha që institucionet vendore të tregojnë se janë serioze dhe të përgjegjshme përballë dyshimeve për keqpërdorime të mëdha në sektorin e energjisë. Çështja nuk është më vetëm teknike apo financiare – por edhe ligjore, ka theksuar Bajrami.
