Hykmete Bajrami: Mafia energjetike po hetohet – faturat e rrymës, dhuratë e Kurtit për varfërimin e qytetarëve

Debati politik në Kosovë po ashpërsohet ndërsa qytetarët marrin faturat e kripura të energjisë elektrike. Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se Prokuroria Speciale tashmë ka filluar hetimet për çështjen e energjisë, të cilën ajo e cilëson si “mafian energjetike”. Bajrami zbuloi se në fillim të tetorit ka dhënë dëshmi në Prokurori për këtë skandal të mundshëm në sektorin energjetik. Sipas saj, qytetarët po përballen me pasojat e një politike të gabuar të Qeverisë Kurti. “Ka një lajm të mirë: Çështja e energjisë elektrike po hetohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Në fillim të këtij muaji kam dhënë dëshminë time në Prokurorinë Speciale, për atë që unë e quaj mafi energjetike!”, shkruan Bajrami. Ajo nuk kurseu kritikat ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e cilësuar rritjen e çmimit të energjisë si një “dhuratë të hidhur” për familjet kosovare. “Gjatë këtij mandati, çmimi i energjisë elektrike u dyfishua për familjet dhe u trefishua për bizneset. Kjo politikë pasuron disa dhe po varfëron secilën familje në Kosovë”, u shpreh Bajrami, duke paralajmëruar se dimri ende nuk ka nisur, ndërsa shpenzimet pritet të rriten edhe më tej. Mes hetimeve që sapo kanë nisur dhe faturave që po rëndojnë xhepat e qytetarëve, tensioni politik për sektorin e energjisë pritet vetëm të thellohet. Qeveria Kurti ende nuk i është përgjigjur publikisht akuzave të Bajramit dhe njoftimeve për hetimet në Prokurorinë Speciale.

Kontrolloni gjithashtu

Human Rights Watch ia ndez alarmin Qeverisë Kurti: Azilkërkuesit nuk janë monedhë shkëmbimi

Qeveria Kurti është vënë sërish nën shënjestër të kritikave të ashpra ndërkombëtare. Organizata prestigjioze për …