Kryetari i Organizatave të dala nga Lufta e UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se paraqitja e ish-komandantit suprem të NATO-s, Gjeneralit Wesley Clark, si dëshmitar në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, do të ketë ndikim të madh në procesin gjyqësor. Në një konferencë për media, Gucati u shpreh se dëshmia e Clark është lejuar nga autoritetet amerikane dhe se paraqitja e tij në seancë është planifikuar për datat 18 ose 19 nëntor 2025. Mbrojtja ka kërkuar që të sigurohet edhe data 21 nëntor, në rast nevoje për të përmbyllur dëshminë. Në dokumentet e dorëzuara Gjykatës, mbrojtja ka kërkuar shtimin e deklaratës së Clark në listën e provave, duke argumentuar se përmbajtja e saj ka vlerë të lartë lirimi dhe lidhet drejtpërdrejt me rrethanat e konfliktit në Kosovë. Sipas parashtrimit, Clark pritet të dëshmojë për rolin e NATO-s në zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të viteve 1998–1999, për Rezolutën 1199 të OKB-së, fushatën ajrore kundër forcave serbe dhe vendosjen e paqeruajtësve në Kosovë pas luftës. Po ashtu, ai do të japë vlerësime mbi gjendjen e sigurisë pas kthimit të refugjatëve shqiptarë në verën e vitit 1999, duke theksuar — siç thuhet në dokument — se nuk ka pasur një urdhër apo plan të koordinuar nga udhëheqja e UÇK-së për sulme ndaj serbëve apo komuniteteve të tjera. Në pjesën që i referohet ndërveprimeve të tij me përfaqësuesit shqiptarë në Rambuje dhe me UÇK-në, Clark raportohet të ketë vlerësuar se Hashim Thaçi nuk ka ushtruar kontroll të drejtpërdrejtë mbi strukturat ushtarake, duke qenë rol politik pa përvojë komanduese. Gucati vlerësoi se dëshmitë e pritura të Clark do të ndihmojnë mbrojtjen dhe do të sjellin më shumë qartësi për të vërtetën e luftës çlirimtare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
