Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të jetë pjesëmarrës në protestën gjithëkombëtare që do të organizohet më 17 tetor në Tiranë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i OVLUÇK-së, Hysni Gucati, në një konferencë për media, ku theksoi rëndësinë historike dhe kombëtare të kësaj proteste, e cila pritet të mbledhë bashkë shqiptarë nga të gjitha trojet. Sipas Gucatit, në këtë ngjarje madhore do të mbajnë fjalën e rastit ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, si dhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, duke i dhënë protestës karakter gjithëkombëtar dhe unitet mbarëshqiptar. “Kjo protestë është zë i përbashkët i kombit, një zë për drejtësi dhe dinjitet, për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së dhe përkujdesjen ndaj familjeve të dëshmorëve dhe veteranëve të luftës”, deklaroi Gucati, duke shtuar se nga Kosova drejt Tiranës do të nisen 60 autobusë me pjesëmarrës nga të gjitha komunat e vendit. Pjesëmarrja e kryeministrit Edi Rama pritet t’i japë protestës peshë institucionale dhe mesazh bashkimi ndërshqiptar, ndërsa prania e figurave të larta shtetërore e politike nga trojet shqiptare do të dëshmojë se çështja e dinjitetit të luftës çlirimtare mbetet një kauzë e përbashkët kombëtare. Kjo protestë, e cila organizohet nën moton “Liria ka emër”, synon të shërbejë si shprehje e respektit ndaj sakrificës së luftëtarëve të UÇK-së dhe një thirrje për drejtësi, unitet dhe dinjitet kombëtar, në një kohë kur trashëgimia e luftës për liri kërkon mbrojtje e kujdes institucional.
