Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka bërë të ditur se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk do të jetë i pranishëm në protestën e sotme kundër Gjykatës Speciale, për shkak të angazhimeve të tij zyrtare. Gucati tha se kanë qenë në kontakt me Ramën dhe e kanë ftuar për të marrë pjesë, por ai ka njoftuar se për shkak të agjendës së ngjeshur nuk do të mund të jetë prezent. “Ne kemi qenë në kontakt me z. Edi Ramën, e kemi ftuar për pjesëmarrje, por ai na ka njoftuar dhe na ka dërguar edhe agjendën. Na ka treguar se është shumë i zënë dhe nuk mund të marrë pjesë. Arsyeja nuk është për publik, por mbështetja e tij për ne ekziston”, deklaroi Gucati. Protesta është organizuar nga kategoritë e dala nga lufta e fundit çlirimtare në Kosovë, si shenjë kundërshtimi ndaj punës së Gjykatës Speciale. Ajo është mbështetur nga shumica e partive politike në vend, përveç Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe, të cilat nuk janë rreshtuar me organizatorët.
