Hysri Selimi, i arrestuar më 6 maj nga autoritetet e Kosovës, po hetohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për dyshime të rënda lidhur me spiunazh dhe bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, raporton televizioni Dukagjini. Sipas materialeve të siguruara nga përgjimet, të cilat janë publikuar pjesërisht nga televizioni në fjalë, Selimi ka pasur komunikime të drejtpërdrejta me një oficer të BIA-s, që dëshmojnë për një bashkëpunim të strukturuar. Në bisedat e përgjuara përmendet edhe emri i Zekrija Qazimit, i dënuar për terrorizëm, duke ngritur shqetësime shtesë për synime të mundshme destabilizuese. Një fragment i publikuar i bisedës mes Selimit dhe një oficeri të BIA-s tregon se kjo agjenci kishte ndjekur nga afër gjendjen e tij në Siri, gjatë kohës kur ai ishte i burgosur atje. Oficeri serb shpreh shqetësim për sigurinë e Selimit dhe pohon se kishte dërguar “ambasadorin tonë në Siri” për të marrë informacione për të. “Po si nuk ka informacione, vëlla… e kam ditur që je gjallë dhe që je në burg,” thuhet në një pjesë të bisedës. Selimi, nga ana e tij, e konfirmon se për të ka pasur interesim të vazhdueshëm. Autoritetet kosovare ende nuk kanë dalë me një deklaratë të detajuar, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
