Ilir Halit Konushevci (20.6.1969 – 9.5.1998)

Ilir Halit Konushevci (20.6.1969 – 9.5.1998)

Iliri lindi më 20.6.1969, në fshatin Llugë të komunës së Podujevës. Ai ishte fëmija e tretë i prindërve, Halitit dhe Nazmies. Shkollën fillore e kreu në Lluzhan, të mesmen në Besianë, ndërsa studioi në Shkollën e lartë Teknike, në Ferizaj. Veprimtarinë e vet atdhetare e filloi në kohën kur lëvizja kombëtare në Kosovë ishte fuqizuar. Në këtë kohë në trevën e Llapit ishin dënuar shumë veprimtarë të lëvizjes kombëtare. Në vitin 1986 Iliri u inkuadrua në radhët e LRPK-së. Ishte ndër pjesëmarrësit aktiv në demonstratat dhe protestat që u organizuan në vitet ’89-’90. Në nëntor të vitit 1989, Ilirit i ranë dy bashkëveprimtarët, Afrim Zhitia dhe Bedri Sokoli. Një aktivitet të dendur zhvilloi edhe në mesin e studentëve të SHL në Ferizaj.

Me rastin e formimit të njësiteve të para të armatosura, në vitin 1992, të cilat ishin edhe bërthamat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Iliri u angazhua në njësitin ‘’Shqiponjat’’. Së bashku me pjesëtarët e tjerë të këtij njësiti, ai bëri stërvitje ushtarake, në Shqipëri. Lidhjet e para me UÇK-në Iliri i bëri në vitin 1995, përmes shokut të tij, Shaip Haziri. Pas kontakteve me Zahir Pajazitin, në fillim të vitit 1996, ai u inkuadrua në radhët e UÇK-së dhe mori pjesë në aksionet e para guerile në zonën e Llapit.

Pas rënies heroike të Zahirit, Hakifit dhe Edmondit, më 31 janar të vitit 1997, Iliri rrezikohet nga policia serbe dhe detyrohet të kalojë në ilegalitet. Sipas rrëfimit të shokut të tij, Selim Haziri, Iliri asokohe shkoi në Shqipëri. Në rrugën e tij e përcjellin shokët, Selim Haziri, Naim Haziri dhe vëllai, Sajmiri. Në Shqipëri, Iliri shkon së bashku me Avni Ajetin dhe Shaip Hazirin. Me vendosjen e tyre atje, angazhohet për vënien e kontakteve me shokët e idealit dhe e afron rreth vetes bashkëmendimtarë.

Me rënien e Zahirit, njësiti i UÇK-së ku bënte pjesë edhe Iliri ishte goditur rëndë dhe për gjashtë muaj nuk kishte ndërmarrë asnjë aksion. Kur ai u kthye nga Shqipëria, bëri riorganizimin e radhëve dhe ndërmori aksione në 13 komuna të Kosovës.

Në tetor të vitit 1997, Iliri së bashku me Adrian Krasniqin, Mujë Krasniqin e të tjerë sulmuan stacionin e policisë serbe në fshatin Kliçinë të Pejës.

Me rastin e sulmit, natën e 16 tetorit, pati rënë dëshmor, Adrian Krasniqi. Në këtë kohë Iliri ishte njëri ndër furnizuesit kryesor me armatim. Siç tregojnë shokët dhe bashkëluftëtarët e tij, pas kalimit në ilegalitet dhe shkuarjes së tij në Shqipëri, ai aktivisht merret me organizimin, sistemimin dhe ushtrimin e të rinjve që vinin nga mërgata për t’iu bashkuar UÇK-së. Ai organizoni bazat stërvitore në Qerret, Tropojë dhe Kukës. Shtabi rajonal i zonës së Llapit e caktoi përfaqësues në Shtabin Qendror të UÇK-së, si dhe përgjegjës kryesor për furnizimin me armatim, qe vinte nga Shqipëria për në Kosovë. Iliri vepronte me emrin konspirativ ‘’Mërgimi’’.

Përveç Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Emond Hoxhës e të tjerë, Iliri bashkëvepronte edhe me komandantin legjendar Adem Jashari, me Adrian Krasniqin, Luan Haradinajn, Mujë Krasniqin e bashkëluftëtarë të tjerë.

Para se të binte në pritë, Iliri bënte përgatitjet e fundit për të hyrë në Kosovë, së bashku me shumë luftëtarë, të cilët ishin stërvitur në bazat ushtarake në Shqipëri. Në udhëtimin e fundit, Iliri po sillte nga Tirana në qytetin Bajram Curr, një kamion me armatim. Së bashku me të ishte edhe mjeku, Hazir Mala. Në rrugë e sipër, më 9 maj të vitit 1998, së bashku me mjekun Hazir Mala, bie në pritë, në rrethana ende të pasqaruara. Iliri është varrosur në varrezat e qytetit, në Tiranë, më 11.5.1998. Në vendin e rënies i është ngritur lapidari, kurse kazerma e bazës kryesore të Logjistikës mban emrin e tij. Pas vdekjes, Qeveria e Përkohshme i ka dhënë gradën gjeneral major. Ka qenë i  martuar me Luljeta Ramadanin nga Ferizaj dhe ka lënë vajzën, Nertilën. ( Feniksët e lirisë- 2)

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. …