Brickos

Fatmir Graiçevci: "Guri i Betimit", një roman për botën shqiptare në momentet vendimtare

Ibrahim Isuf Shala: Vështrim romanit historik, GURI I BETIMIT, i autorit, Ahmet Qeriqi

Shënime mbi librin  “GURI I BETIMIT – Kronikë historike letrare” të autorit Ahmet Qeriqi, Botues – Radio Kosova e Lirë. Viti i botimit 2020. Libri ka 453 faqe së bashku me vlerësimet e 4 recensentëve. Libri është i ndarë në gjashtë (6) pjesë, ku secila është e ndarë në kapituj të cilët janë të  emërtuar sipas temës që trajtojnë. Libri  i përket gjinisë letrare të romanit historik kurse nga vet autori është cilësuar si “Kronikë historike letrare”.  

Përmbajtja e romanit, “Guri i betimit”, ka për trajtim jetën e shqiptarëve (arbërve) të Kosovës  nën pushtimin e Mbretërisë serbe të dinastisë së Nemanjiqëve, rezistencën shqiptare ndaj pushtuesit të ri, rezistencën ndaj ndërrimit  të besimit fetar me dhunë, pjesëmarrja e shqiptarëve në shërbim të mbretërisë së  Mbretit Dushan Nemanja, përgatitjet për rezistencë kundër pushtimit otoman që kulmon me Betejën e Kosovës si koalicion i gjerë ballkanik dhe kontributin e  shqiptarëve në këtë betejë. Zhvillimi i Betejës së Kosovës, vrasja e sulltan Muratit  nga kryetrimi arbëror Mirosh Danai, prijës  nga dera  e prijësit.  Mirosh Danai është i biri Nikollë Danait, ai nuk është një luftëtar i rastit, por prijës i përgatitur përmes edukimit dhe stërvitjes së veçantë për tu bërë një ditë prijës me nam i Drenisës, Kosovës  dhe më gjerë.

Historia e mesjetës së Kosovës për shumicën e shqiptarëve është e panjohur, e pa ndriçuar, është më e largët se antikiteti, nga mungesa e studimeve të thelluara, e anashkaluar nga një inat dhe urrejtje   e pa arsyetuar deri në fund sepse ka të bëjë me mbretërinë serbe, me pushtimin serb të Kosovës. Në anën tjetër po kjo epokë nga pala serbe është shpall hyjnore  dhe është falsifikuar me shekuj duke ja ofruar botës si të vërtetë absolute, për të arsyetuar  pushtimin dhe grabitjet territoriale, historike e kulturore.

Autori përmes romanit historik (kronikës historike letrare) ka për temë pikërisht këtë epokë historike të mesjetës së Kosovës të pa ndriçuar dhe të falsifikuar. Në Kosovë  ka edhe autorë të tjerë shqiptarë  që kanë shkruar në gjininë e romanit  historik, por ata nuk e kanë pasur për temë mesjetën, pushtimin dhe qeverisjen e Kosovës nga mbretëria serbe e Nemanjiqëve, Betejën e Kosovës dhe pushtimin nga Perandoria Osmane.  Pikërisht këtë zbrazëtirë  e trajton me sukses autori  i zellshëm dhe shumë i talentuar, Ahmet Qeriqi me romani e tij “Guri i Betimit”. Ai  përmes rrëfimit të romanit me një stil të qartë  dhe tërheqës, na ofron njohuri historike që na kanë munguar, njohuri që pas leximit i përvetësojmë si të tonat dhe për ma mirë na rrisin kureshtje për të vazhduar leximin  për këtë epokë historike të vendit tonë.

Emërtimi i romanit me titull “Guri i Betimit” në fillim duket si bashkim i thjeshtë fjalësh, por gjatë leximit vije duke u sqaruar rëndësia e Gurit të Betimit. Ai  nuk është vetëm një gurë i zakonshëm, te ai gur shprehet besimi, aty lidhet besa, aty janë kryer festat e përbashkëta, por mbi të gjitha aty do të varroset koka e kryetrimit shqiptar përmes besës së tre bashkëluftëtarëve që për të gjallë të tyre të mos tregohet vendi. Nga ky emërtim autori krijon  fillin e tregimit të romanit:  Guri i betimit, Betimi për hakmarrje, Beteja e Kosovës, vrasja e Sulltan Muratit dhe varrimi i kokës së kryetrimit shqiptar Mirosh Danait te Guri i Betimit. Është me interes e dhëna në roman se arbërorët e Korpilanit  sipas një tradite të lashtë betohen te  Guri i Betimit, edhe pse janë të krishterë,  ata nuk betohen te Kisha, te varret por  te Guri, te Toka te Qielli, aty besatohen trimat  mes vete për të mbrojtur familjet, nderin dhe vendin e të parëve.

Në roman përshkrimi ngjarjeve historike bëhet në stilin e një kronike letrare që përfshin harkun kohor shumë të largët, duke filluar me sfondin historik të fillim  shekullit XI, me lindjen dhe ngritjen e  princërve të Rashkës konkretisht familjes  më të njohur,  të asaj së Nemanjiqëve. Por si kohë të fillimit të trajtimit të ngjarjeve  dhe aktiviteteve  të personazheve  në roman, vet  autori  na jep  harkun kohor të filluar në vitin  1345 dhe  duke  e përmbyllur  me 17 qershor 1389. Vepra është  me plot  informacion të thellë historik dhe të përpunuar përmes përshkrimit dhe  shprehjes artistike letrare, ku autori me suksese jep kontributin e vet në shembjen e miteve  mbi popullin qiellor serb, të prodhuar nga kisha, akademia dhe politika  serbe gjatë tërë historisë së ekzistencës së saj.

Në roman është një listë e gjatë  e personazheve që parakalojnë  me emra  shqiptarë të skalitur  me mjeshtri nga  autori, që duhet vlerësuar  si kontribut  të veçantë të autorit, emrat që janë në vijim: Nikollë  Danai, Mirosh Danai (Milush Kopiliqi), Gjon Kastrioti, Gjerasim Gjetani, Ludvig Tushiliani, Miran Gjylani, Tomë Bahori, Nak Gashani, Simon Kurrumeli, Ilarion Mazarriku, Gjergj Sopi,  Mark Mulaku,  Dhimitër Strumani,  Ujkan Gjoni,  Zog Gjylani, Janina Nikoni, Bendedikt Zografi, motrat Blega e Shega, Martin Shkoza,  Shtjefën Arianiti,  Marin Arianit, Sami Yllbegu,  Thoma Mavroti,  Andrea Muzaka i Dytë, Andrea Gropa, Moisi Arvaniti, Gjon Shishmani,  Fitosh Danai,  Konstatin Dragoshi, etj. Këtyre personazheve lehtë u njihet  përkatësia e tyre etnike dhe fetar,   që lidhet me elementin etnik shqiptar të variantit të Mesjetës të emrave arbëror, emra   të personazheve që me kohë i kupton, pastaj fillojnë të pëlqejnë dhe në fund e kupton sa punë të  shkëlqyeshme ka bërë autori në skalitjen e tyre.

Është me rëndësi të paraqiten personazhet  e darkës së fundit para Betejës, që njëherësh  është edhe dëshmi historike e një beteje të largët, se kush ishin pjesëmarrësit e vërtetë të betejës e që autori e ka përshkruar kapitull më vete, “Darka e fundit dhe Dita e parashikimit të zezonës -Vidovdani”. Darka e fundit kryesohej nga  Mbreti Llazar, mbretëresha Melisa, Patriarku Danillo, kryeprifti Mihail, Vuk Brankoviqi, Ilija Kosanoviqi, Plaku Bogdan i Jugut, Krajmir Vojvoda, Milan Toplica, Prijësi Vukotiq i Bosnjës, Gjergj Ballsha i Dytë, Gjon Kastrioti, Ivan Palishi i Kroacisë, Tvrtko Kotromaniqi, Konstandin Uglesha, dy bijtë e rinj të Llazarit, Mojsi Arvanitasi, Mirosh Danai (Millosh Kopiliqi). /f. 387-388/. Personazhe të skalitura me shumë  besnikëri për përkatësin etnike të tyre dhe funksione që i kanë të përshkruara. Autori përmes personazheve që  përshkruhen në darkën e fundit dëshmon  se Beteja e Kosovës e vitit  1389  nuk ishte betejë vetëm e serbëve kundër Osmanëve, por ishte një aleancë e gjerë ballkanike e  shteteve  të krishtera dhe  arbërve që ishin bashkuar  për  të mbrojtur atdheun e tyre, pasi në tokë arbërore do të zhvillohej beteja vendimtare.

Një punë  me vlerë të veçantë është kontributi në studimin e emrave të vendbanimeve që kthehen në trajtën  dhe   kuptim shqip,  po theksojmë se emrat nuk ndryshohen në rrënjë por  autori trajton deformimet që i kanë bërë pushtuesit sllav, ai ju jep kuptimin dhe trajtën shqipe. Lexuesi  përjeton kënaqësinë e  habisë së zbulimit,  se sa hollë  paska qenë i mbuluar emërtimi shqip dhe si nuk na paska vajtur mendja ta kuptojmë më parë ashtu si na e paraqet autori si: Korpiliani, Drenisa, Trezanik, Vajanik, Tushilianin, Prekasi, Çubra, Mburoja, Devijana, Mikushnia, Galicia, Domeniku, Grandina, Korroti, Artaniumi, Guri i Betimit, Gureshi, Qyqavia, etj.

Në roman autori përdorë gjuhën letrare, por i ndikuar nga koha e zhvillimit të ngjarjeve, ai në disa raste përdor  gjuhën e vjetër si të folme e  kohës, që ai e quan gjuhë e para Gjon Buzukut. Personazhi Mihill Shaljani  duke  fol për rashjanët dhe aktivitetin asimilues të tyre ndaj popullsisë vendore me metoda dhe mjete të ndryshme në kuvend jep mendimin e tij. “Nuku i kemi as fis, as gjak, as gluhë, madje as e kemi te njisoji besen e Krishtit. Prej kur na ardhne kta, po harronet mesha ndë gluhene toneh. Fmijtë po i pagezojme ne gluhen e tyre, madje edhe me do emna te ndryshem. Dhe qysh ansht edhe ma keq, ata priftat e tyneh, popat si thonë ata, po e marrin tagrin për klishën, po i ndryshojnë emnat e katuneve”. (F. 51.). Nuk ka dyshim se kjo punë dhe paraqitje e të folmes  së shqipes mesjetare është një kontribut i veçantë  jo vetëm letrar e stilistik  por edhe gjuhësor.

Po ashtu për të krijuar ndjenjën  e realitetit  nën pushtimin rashjan, autori në disa raste përdorë edhe sllavishten e vjetër kishtare dhe na bënë të tingëllojë  në veshin tonë si gjuhë e vjetër dhe e vrazhdë ashtu siç ka qenë me shekuj,  gjuhë përjashtuese për gjuhët  tjera: Kjo dëshmohet më së miri në roman kurë prifti rashjan i drejtohet priftit arbër.  “Ja tbja  skazall njeskolka raz, çto pastoji adin jazik, bozhji jazik, nash slavenskij, tak”. (F. 14.).

Autori na jep informacion të mjaftueshëm përmes përshkrimit artistik   për etnitë që kanë jetuar në Kosovë gjatë pushtimit të Rashjanëve, raportet e tyre me shqiptarët vendor, ashtu  si perceptohej në mesjetë ky raport etnik bashkë me vetëdijen e përkatësisë  etnike që tipar dallues kishte gjuhën,  vendbanimin dhe kujtesën historike. Po  ashtu përmes përshkrimeve  jepen të dhënat mbi origjinën etnike të personazheve kryesore, pavarësisht se çfarë pozita mbajnë dhe në cilën perandori kanë qenë duke shërbyer në rrethana të caktuara .

Në roman përshkruhet ekzistenca dhe vija dalluese në mes të krishterëve  katolikë dhe ortodoksë,  raportet që kishin këto dy kisha,  kur njëra kishte  edhe pushtetin politik të Mbretit serb,  kurse kisha tjetër ishte  shpallur e  jashtëligjshme. Besimtarët dhe priftërinjtë e këtyre dy kishave janë lehtë të dallueshme, ato janë në përplasje të vazhdueshëm mes veti; njëra për mbijetesë kurse tjetra për dominim dhe sundim. Në roman ofrohet informacion i  mjaftueshëm dhe i sistemuar që na njofton mbi sfidat e besimtarëve vendorë katolikë që nuk heqin dorë lehtë nga feja e vjetër  dhe si arrin ajo të mbijetoj  krahas shtypjes së madhe pas skizmës. Është përshkruar me mjeshtëri vija më ekstreme kishtare ortodokse, që  predikon fenë dhe sllavizmin  si dogmë dhe që është e angazhuar edhe në veprime subversive ndaj prijësve shqiptar, ndaj priftërinjve katolikë por edhe ndaj politikave  të Mbretit Dushan deri në helmimin e tij, organizuar nga  Kisha serbe e kohës.  Kisha serbe, Dushanin nuk e ka shpallur të shenjtë, sikur të tjerët.

Shqiptarët e Kosovës dhe  të viseve tjera shqiptare në ish Jugosllavi  e njohin mirë faktin, që   Kisha serbe ka qenë frymëzuese e krimeve serbe, ajo ka bekuar armët e  ushtrive serbe pushtuese dhe gjenocidale. Kjo qasje e kishës serbe  nuk ka ndryshuar me shekuj, por kësaj ju kanë bashkëngjitur akademia serbe dhe shteti  serb. Duke ndjekur këtë vijë  ngjarjet e ndodhura antishqiptare dhe kundër kombeve tjera në ish Jugosllavi  dalin si një fashizëm  i brumosur me ideologjinë kishtare që është  refleksion që nga mesjeta e Nemanjiqëve  e deri më sot. 

Autori paraqet  me mjeshtri fundin e Mretit Dushan, i kapluar nga një krizë shpirtërore kur ai humb besimin tek të gjithë të vetët nga intrigat e kishës dhe luftës për pushtet, dhe u ka zili arbërorëve  që kanë besë edhe me çmimin e kokës ashtu siç kishte qenë Nikollë Danai. “Ndryshe ishin rashjanët. Ndryshe ishte ai vetë. Aq më keq ai kishte urdhëruar zhdukjen e atit të tij, ndërsa ati i tij kishte zhdukur atin e vet”. (F. 157).  Autori përmes dialogjeve  të rrjedhshme përmbajtjesore dhe dinamike, lexuesit lehtas i heq mjegullën serbe nga  historia mesjetare  e  Kosovës,   të rritë dëshirën dhe të parapërgatitë për të lexuar dhe studiuar më shumë për Kosovën e mesjetës, ta bënë atë epokë më të kapshme  dhe më të afërt.

Për të dëshmuar talentin përshkrues letrar të autorit po japim këtë copëz përshkrimi të peizazhit nga romani,  ku autorit me mjeshtëri ka pikturuar natyrën, ajrin e rëndë  dhe të tensionuar të një nate para betejës. Tensioni i vërtetë është në mesin e drejtuesve dhe komandantëve të dy ushtrive  por edhe tek ushtarët e të dy kampeve, i cili duket se e ka ndikuar natyrën dhe ambientin me peshën e seriozitetit të ngjarjeve të pritshme.  “Në mbrëmjen, e cila ende përcëllonte nga vapa e ditës dhe përcillej me një mungesë ajri të pastër, dy taborët e mëdhenj kishin marrë pamje të një qetësie përpara furtunës mizore, e cila nuk vinte nga natyra, as nga Zoti, por nga sundimtarët, që pretendonin të ishin zotër në tokë, secili në të drejtën e fuqinë e vet”. (f. 386).

Në betejën e Fushë Kosovës  vritet mbreti Llazar, që  ishte me origjinë hebreje dhe Mirosh Korpilani  kryetrim Shqiptar i cili vret Sulltan Muratin. Ndërkohë Vuk Brankoviqi nuk lufton por pret dhe bëhet vasal i Sulltanit. Në fund të leximit të romanit të lind një pyetje e logjikshme, po ku ngeli lavdia serbe nga kjo betejë?  Këtë lavdi të shtirur,  këtë betejë të humbur  me turp dhe të kthyer në mit dhe  festë nga  kisha serbe, autori me mjeshtëri artistike me të dhëna historike arrin ta çmontojë dhe  zhveshë  nga propaganda serbomadhe. Aq më tepër që beteja ishte  koalicion i gjerë i etnive dhe principatave të Ballkanit dhe më gjerë. Këto të dhëna në formë të përshkrimit artistik janë të besueshme  sepse autori në  disa raste në fund të disa  kapitujve  ka dhënë shënimin, “Bazuar në burime historike”. Në një bashkëbisedim me autorin, ai pat treguar se  për shkrimin e kësaj vepre ka konsultuar mbi 10000 faqe literaturë historike, që dëshmon qasjen shumë serioze karshi temës së trajtuar.

Pika kulmore  e romanit  vlerësohet arritja e suksesshme e autorit për të na ofruar  një panoramë, një informacion mbi ortodoksinë shqiptare të mesjetës,  për të cilën shqiptarët  e Kosovës   kanë mosnjohje dhe paragjykim për shkak të gjuhës, rekuizitave dhe ikonografisë kishtare   që  ngjasojnë me kishën dhe  popat serb. Ata nuk janë mësuar që ajo ikonografi të flas e të lutet  shqip si në Jug të Shqipërisë dhe ta përjetojmë si brendësi të tyre. Ky roman thyen  këtë paragjykim te shqiptarët e besimeve jo ortodokse,  e bënë që edhe në Kosovë besimi ortodoks  të frymojë shqip dhe me identitet shqiptar.                                                                                                                                            Autori ka dhënë një kontribut ndriçues historik ku ai përmes tregimit vë në pah lidhshmërinë e familjes së Mirosh Danait me familjen e Kastriotëve, që Beteja e Kosovës u bë shkas i lidhjes së tyre. “Damjanusi kishte propozuar që Janina Danai, nëna e Miroshit dhe e Fitoshit, me bashkëshorten e Fitoshit, Marën, djalin motak, Nikollën dhe dy bijat e saj: Blegën e Shegën të shkonin me Gjon Kastriotin dhe për një kohë të caktuar të rrinin nën kujdesin dhe në rezidencën e tij”. (f. 426).

Është shumë domethënës konstatimi dhe shpjegimin që jep gjyshja  Janinë të mbesës Shegë në bashkëbisedim gjatë tërheqjes nga  Kosova  drejt tokave të Kastriotëve  pas humbjes së Betejës së madhe dhe pushtimin turk.

 -Per ku jemi nisun oj gjyshe dhe pse po lamë kit vend me gjitha të mirat qi i ka falun Zotynë.                      -Kit vend e rrmeu turku, oj bilë!                                                                                                                

 -Pse e rrmeu turku?

-E mori sepse gjindja janë isht’ prishun, ish ndamun e perçamun. Sepse prijsat po ia hanin kryet njani tjetrit, sepse rashjanjet e nxinë dhe e prishen ket vend, dhe Zotynë qi ansh ndë qiellt na dënoi t’ gjithve”. (f.428).

Autori përmes fjalëve të gjyshes na e jep si amanet në shekuj  shkakun e humbjeve të shqiptarëve gjatë historisë, dobësi që do të përsëritet dhe do ti ndjek si mallkim shqiptarët gjatë historisë deri në ditën e sotme, e që është mos uniteti i tyre në çastet vendimtare të atdheut.

Nga përshkrimi i autorit mësojmë se prijësit shqiptar  nuk ishin prijës të nivelit të bajraktarëve lokal fisnorë por që pretendonin të arrinin në një shkallë të organizimit të principatës edhe pse nën pushtim.  “Gjerasim Gjetani sekretar  i besueshëm  i Nikollë Danait që mbante  shënime  për ato që porosiste prijësi”.  Praktika  e shkrimit të kronikave historike ka munguar te prijësit shqiptar sidomos në shekujt e parë të pushtimit Otoman, shqiptarët pak mbanin shënime për të bëmat e tyre. Ata përmes këngëve me mund i  ruajtën  ato brez pas brezi deri tek fillimet e Rilindjes Kombëtare. Nga perspektiva e sotme nuk duhet shumë dije për të kuptuar se sa shumë është dëmtuar memoria kombëtare nga mungesa e kronikave të shkruara.

Historiografia, kisha dhe politika serbe me shekuj kanë përsëritur  se Kosova është  zemra e Serbisë së vjetër. Shtrohet pyetja  pasi selia e perandorisë së Nemanjiqëve ishte Shkupi, atëherë historiografia serbe pse nuk e shpalli zemër të Serbisë Maqedoninë  po Kosovën?! Sigurisht se Kosova nuk u shpall djep i Serbisë për shkak të Luftës së Kosovës së viti 1389, por për shkak të mundësisë më të lehtë të daljes në bregdetin shqiptar  në Adriatik, sepse Greqia ishte formësuar si shtet më herët se Shqipëria dhe  me kohë i kishte ndaluar apetitet serbe drejt Selanikut dhe detit Egje.

Gjatë ribotimit ose botimit në gjuhë të huaja, vlerësoj se  titulli i romanit duhet të zgjerohet, të jetë më shpjegues si “GURI I BETMIT – Lufta e Kosovës e vitit 1389”. Me këtë titull më shpejtë  përfitohet vëmendja dhe interesimi i lexuesit si dhe pas publikimit në pdf,  në internet  përmes kërkimit  në google, arrihet shpejtë te informacionin bazë për përmbajtjen e romanit dhe vet librit.

Në fund të leximit të romanit lexuesi merr njohuri të shumta nga historia kombëtare për kontributin e shqiptarëve  për epokën e përshkruar. Po ashtu përmes skalitjes së personazheve, përshkrimit të gjeografisë, jetës, organizimit të qeverisjes, betejave, luftërave, ndërrimit të sundimtarëve, pushtimit të Ballkanit nga Perandoria Osmane, lexuesi përjeton përshtypje të thella, ai nuk mundet  të kaloj pa i shtruar vetës një pyetje shumë thelbësore:  Ku ngeli trashëgimia ortodokse shqiptare e Kosovës, edhe pse atë e zbuloi me fakte e argumente dr. Muhamet Tërnava me veprën e tij shkencore: “Popullsia e Kosovës në shekujt XIV-XVI”, në vitet 70-të të shekullit të kaluar.  Ai kishte bërë një zbulim epokal, duke marrë për bazë komponentin gramatikor në përcaktimin e etnive, duke u bazuar në mbaresat gramatikore: Dimiter Dimitri, shqipfolës, Dimitar Dimitrijeviq, sllavfolës, Dimirto Dimitrul, vllahfolës, Dhimitri Dhimitraqis, grekfolës, Dimitar Dimitrov, bullgarfolës et.  Në saje të këtyre mbaresave  80 për qind e emrave të regjistruar  në defterët turk të vitit 1455, dalin të jenë shqiptarë ortodoksë.

Prishtinë, 26 prill 2023

Kontrolloni gjithashtu

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në Shqipëri”, përkthyer në gjuhën shqipe.

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në Shqipëri”, përkthyer në gjuhën shqipe

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në …