Ibrahim Pashë Pargaliu i Çamërisë (1493 – 15 mars 1536) V

Njëri ndër vezirët më të njohur gjatë tërë kohës së Perandorisë  Osmane ka qenë, Ibrahim Pasha i Çamërisë, i njohur edhe si Ibrahim Pargaliu, meqë ishte me origjinë nga qyteti i Pargës, asokohe kryeqytet i Çamërisë.

Ibrahim Pasha nuk njihet në tekstet e Historisë së Popullit shqiptar, ashtu sikur nuk njihet as Halil Arnauti, i njohur edhe si Patrona e shumë vezirë të tjerë, për shkak se nuk i kishin dhënë kontribut Atdheut të tyre sikur bëri Skënderbeu dhe shumë komandantë e luftëtarë të tjerë deri në fund të sundimit të Perandorisë Osmane në trojet tona.

Edhe pse në disa enciklopedi mohohet origjina shqiptare e Ibrahim Pashës, nuk mund të mohohet fakti se ishte nga Parga, kryeqyteti i atëhershëm i krahinës së Çamërisë. Burimet e kohës bëjnë të ditur se ishin shqiptarët e Çamërisë ata që të parët pranuan islamin dhe Ibrahimi i vogël, të cilin turqit  e kishin blerë në tregun e robërve ishte shqiptar me fe ortodokse. Pikërisht,  sepse krahina e Çamërisë ishte popullatë shqiptare me shumicë dërrmuese fetare islame, shteti grek në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore i akuzoi  çamët për mbështetje të forcave shqiptare italiane dhe në vitin 1948 ndërmori ekspeditën gjakatare për shfarosjen definitive të çamëve dhe tërë  Çamërisë. Shpëtuan nga masakrat vetëm ata çamë që ikën në Shqipëri dhe një pjesë prej  atyre që u ndërruan me grekët e Edrenesë. Greqia zyrtarisht mohon çështjen e ekzistimit të Çamërisë.

Burimet e enciklopedive dhe dokumentet historike bëjnë me dije se gjatë një ekspedite ushtarake që kishte ndërmarrë në trojet e në trojet e Shqipërisë,  Sulltan Selimi e mori robin Ibrahim  dhe e rriti në pallatin e tij së bashku me të birin, Sylejmanin, i cili në vitin 1520, emërohet në krye të Perandorisë. Ibrahim Pargaliu u rrit me Sulltan Sylejman ligjvënësin, sulltanin më i madh dhe më i njohur i  Perandorisë Osmane.

Ai në oborrin perandorak u edukua dhe mori arsimin e lartë të një ushtaraku, por edhe politikani dhe diplomati të njohur. Ka qenë kryeministër nga vitet 1523-1536. Ai u martua me motrën e Sulltanit, Hatixhenë me ç’ rast ishte  bërë një dasmë madhështore, e cila kishte zgjatur një javë. Pasi nga Sulltan Sylejmani, ishte rritur me të dhe e donte ai e kishte emëruar serasqer, që ishte posti i dytë me rëndësi pas Sulltanit, posti i  Vezirit të Madh. Ibrahim Pashai mori pjesë në krye të një ekspedite ushtarake për pushtimin e Beogradit, në veri të Ballkanit  dhe të  Rodosit, në Greqi.

Në vitin 1526 ai u vu në krye të një ushtrie prej 100.000 ushtarësh , dhe u nis në luftë kundër Hungarisë. Në gusht të po atij viti u zhvillua beteja e Mohaçit ku Hungarezët u mundën dhe, pas kësaj, ushtria osmane mori Budapestin,  kryeqytetin e vendit. Kjo betejë, në të cilën mori pjesë dhe Sulltan Sylejmani, ishte një betejë historike, sepse osmanët depërtuan në kufijtë e Evropës qendrore dhe e kërcënonin seriozisht atë. Beteja e Mohaçit ishte një nga betejat më të mëdha që kanë zhvilluar osmanët, me një komandant shqiptar në krye.

Në vitin 1529 ushtria osmane prej 250.000 ushtarësh, të komanduar nga Ibrahim Pashë Pargaliu, në të cilën merrte pjesë dhe vet sulltani, rrethoi Vjenën. Vjena u bombardua ashpër por nuk u dorëzua. Në dështimin e ushtrisë osmane, në marrjen e Vjenës, ndikoi negativisht moti i ftohtë me të cilin nuk ishte mësuar ushtria perandorake, pasi ajo vinte nga një zonë e ngrohtë. Në vitin 1532 Ibrahim Pasha ishte kryekomandant i një lufte tjetër me Austrinë, por më tepër për territoret hungareze. Në këtë luftë ai i shkaktoi disfatë Austrisë dhe arriti që përfundimisht të kthente Hungarinë në një provincë të perandorisë osmane. Në vitin 1534 arriti të pushtonte Azerbajaxhanin dhe zgjeroi më tej territoret e shtetit osman në lindje. Ai ka nënshkruar dhe Kapitulacionet me Francën, që shumë studiues i quajnë në disfavor të Turqisë për sa i përket ekonomisë, sepse tregtarët francezë ishin të privilegjuar në Perandori, por nga ana tjetër kapitulacionet ishin një marrëveshje me Francën kundër armikut të përbashkët, Austrisë, të cilën donin ta sulmonin njëkohësisht. Ibrahim Pasha arriti të shtypte me armë të gjitha kryengritjet brenda vendit.

Më 15 mars të  vitit 1536, në orët e vona të natës, nga pjesëtarë të shërbimit sekret të Pallatit  furet me litar në fyt në Pallatin e tij me urdhër të vetë Sulltan Sylejmanit. Historianët turq janë të ndarë në konstatim se kush e vrau dhe përse u vra  njeriu më meritor i Perandorisë  por nuk dihet se kush e vrau dhe për çfarë, megjithëse shumë historianë thonë se u vra për xhelozi, ngaqë kishte arritur të kishte sukses më shumë se vetë Sulltan Sylejmani. Në historinë osmane  mbetet njëri nga vezirët më të mëdhenj të njërit prej sulltanëve më të mëdhenj të Perandorisë. Ai në shërbim të Perandorisë pushtoi  Hungarinë, sulmoi Austrinë edhe pse s’e pushtoi, Azerbajxhanin, luftoi me sukses kundër Iranit dhe  nënshkroi marrëveshje aleance me Francën dhe disa shtete evropiane. Për dallim nga vezirët e tjerë, ishte në mesin e vezirëve që kishte nostalgji për kulturën antike, për filozofinë dhe kulturën evropiane, mbase edhe ambicie për ta udhëhequr Perandorinë edhe pse ishte i vetëdijshëm se atë mund ta udhëhiqte vetëm trashëgimia e drejtpërdrejtë e sulltanëve.

 “Fati” për të gjitha meritat në ngritjen dhe përforcimin e Perandorisë Osmane ia vulosi jetën me ngulfatje, në moshën 43-vjeçare   kur po flinte në pallatin e tij. Një ”fat” i tillë, në netët e gjata, shumë-shekullore të Perandorisë Osmane i priste edhe dhjetëra vezirë të tjerë me origjinë shqiptare. ( A. Q.)

Burimet:

-Gazeta “Votra”.

-Pargali Ibrahim Pasha, Suleiman the Magnificent’s friend and grand vizir, 1536.

-Uzunçarşılı, İsmail Hakkı (1983), Osmanlı Tarihi. Cilt 2. Ankara:Türk Tarih Kurumu Yayınları,

-Pargalı İbrahim Paşa; Parga, 1493. – Istanbul, 15. March 1536.)

-Encyclopædia Britannica: İbrahim Paşa Ottoman vizir (circa 1493-1536)

-Josepf Von Hammer. Istorija Turskog Osmanskog Carstva, Zagreb 1979.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Fshatrat rreth Kozmaqit po digjen flakë. Nuk dihet për fatin e popullatës. Po zgjerohet fronti i UÇK-së, në Koshare ( E martë 13 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Fshatrat rreth Kozmaqit po digjen flakë. Nuk dihet për fatin e popullatës. Po zgjerohet fronti i UÇK-së, në Koshare ( E martë 13 prill, 1999)

Burimet e ndryshme të lajmeve nga Drenica Qendrore bëjnë të ditur se atje ka ndodhur …