Sabit Syla

II. Dr. Sabit Syla: Dokumente nga Arkivi Qendror i Forcave të Armatosura të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë

Drejtori i Institutit të Historisë,  Prof. assoc. dr. Sabit Syla ka nxjerrë në dritë dokumente, të ruajtura në Arkivin Qendror të Forcave të Armatosura të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë. Këto dokumente publikohen në 35-vjetorin e demonstratave të Marsit dhe Prillit të vitit 1981, të cilat patën jehonë sidomos në Republikën Popullore të Shqipërisë, e cila nga regjimi i RSFJ-së ishte akuzuar se qëndronte prapa demonstratave në Kosovë e më gjerë  dhe kërkesave të shqiptarëve që jetonin nën pushtimin e RSFJ-së. Nga këto dokumente vërehen  segmentet e shumta të hulumtimeve e studimimev të rrethanave e zhvillimeve të përgjithshme të vitit 1981. Nga ky angazhim i jashtëzakonshëm i Shtetit dhe institucioneve të Mbrojtjes kuptojnë se Republika e Shqipërisë kishte përcjellë me shumë vëmendje të gjitha zhvillimet në Kosovë dhe kishte siguruar të dhëna sekrete nga të gjitha burimet e mundshme.

MINISTRIA E MBROJTJES POPULLORE

Drejtoria e Zbulimit

Tiranë, më 18. 4. 1981

INFORMACION

MBI GJENDJEN E FORCAVE USHTARAKE, PARA DHE PAS NGJARJEVE NË KOSOVË

  1. Sipas të dhënave të zbulimit, përpara ngjarjeve, në Kosovë dislokoheshin: Grupi i 52 – të Operativ me shtab në Prishtinë në vartësi të armatës së 2- të në Nish. Në përbërje të tij hynin: 2 Brigada Këmbësorie (e 15 – ta në Prishtinë dhe Brigada e Këmbësorisë Malore në Pejë); 1 Regjiment i Këmbësorisë autonom në Prishtinë; 3 Batalione të ndjekjes.
  2. Sipas të dhënave del se gjatë zhvillimit të ngjarjeve, në Kosovë kanë ardhur edhe këto forca: 2 Brigada tankiste (Nr. 211 e 243 ardhur përkatësisht nga Nishi dhe Shkupi); 1 Brigadë e Motorizuar (Nr. 592); 1 Regjiment Parashutist (Nr. 2); 1 Regjiment i Artilerisë Kundërtanke (Nr.102); 1 Regjiment Kufitar (Nr. 20).
  1. Tani sqarohet më mirë se në vend të Grupit 52 Operativ vepron Korpusi 52 me shtab në Prishtinë, në vartësi të Armatës 2- të, në Nish, në përbërje të të cilit hyjnë: 5 Brigada (2 tankiste, 1 këmbësorie, 1 këmbësorie morale dhe 1 e motorizuar); 1Regjiment Këmbësorie, autonom; Regjiment Parashutist; 1 Regjiment i Artilerisë kundërtanke; 1 Regjiment Kufitar; 3 batalione të ndjekjes .

Në  Prishtinë (Golesh) ka qenë dhe është e dislokuar edhe një Brigadë Ajrore, në vartësi të Korpusit të I- rë Ajror në Nish. Problemin e kemi në ndjekje për saktësim e verifikim të mëtejshëm .

DREJTORI I DREJTORISË SË ZBULIMIT

MEHMET MUSAJ

****

MINISTRIA E MBROJTJES POPULLORE

SHTABI I PËRGJITHSHËM

Tiranë, më 24. 4. 1981

INFORMACION

Mbi ngjarjet në Kosovë

Sipas burimeve sekrete jugosllave rezultojnë këto të dhëna:

  1. Mbi përhapjen e pjesëmarrjen në demonstrata.

Më datën 1, 2, 3, 4 prill, në Kosovë u zhvilluan demonstrata të mëdha. Demonstratat përfshinë 14 komuna (nga 22 që ka Kosova), kryesisht: Prishtinën, Mitrovicën, Podujevën, Ferizajn, Vuҫiternin, Pejën, Deçanin, Kamenicën, Suharekën, Istogun, Lipjanin, Vitinë etj.

Pjesëmarrësit kanë qenë kryesisht nxënës e studentë, ndërsa në Mitrovicë, më 3 prill, u përleshen me forcat e policisë rreth 3000-3500 punëtorë të fabrikës së Elektrolizës të Xingut, të fabrikës së Akumulatorëve etj. Në Vuҫiternë demonstruesit sulmuan shkollën e Milicisë dhe u përleshen me forcat e policisë. Bëhet fjalë për karakterin e ashpër të demonstratave dhe për gjakderdhje.

Demonstruesit hodhën parullën “Duam republikën me hir ose me pahir”.

  1. Mbi masat e marra nga udhëheqja jugosllave.

Më datën 22 mars, rezulton se komanda ushtarake jugosllave intensifikoj masat e gatishmërisë në sistemin e radiokomunikimt midis forcave ushtarake të Armatës 2- të në Nish me njësit e dislokuara në Prishtinë, ndërsa më 26 mars kaluan në gatishmëri të plotë luftarake forcat ushtarake në Kosovë, të Armatës 2- të në Nish dhe disa njësi të Armatës 3-të në Shkup. Menjëherë u dërguan në Kosovë, forcat e policisë e milicisë nga republika e Serbisë, kryesisht nga Beogradi, Nishi dhe Sadi.

Më datën 1 prill u shpall gjendje e jashtëzakonshme në gjithë territorin e Kosovës ku u përfshinë këto masa kryesore:

– komandat e njësive e të reparteve të dislokuara në Kosovë dolën në vëndkomanda, për drejtimin e veprimeve luftarake dhe në ҫdo njësi e repart u krijuan grupe operative për ndjekjen e situatës së krijuar:

– grupi 52- të operativ me qendër në Prishtinë, mbante lidhje direkte me Sekretariatin Federativ të Mbrojtjes dhe me komandën e Armatës 2- të në Nish, kurse sistemi i radiokomunikimit i Armatës 2- të në Nish dhe i disa njësive të Armatës 3- të në Shkup kaloi në përgjim të vazhdueshëm;

– u  ndërprenë lidhjet telefonike të Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë dhe u ndalua qarkullimi i automjeteve në të gjithë territorin, duke lejuar vetëm lëvizjet e mjeteve të ushtrisë, policisë e milicisë, dhe këto të kontrolluara.

Me datën 1 prill, mendohet te kenë ardhur në rajonet e veprimeve luftarake forcat e përforcimit nga thellësia (të dhëna të sakta nuk disponohen).

  1. Mbi riorganizimin e forcave ushtarake në Kosovë.

Më datën 6. 4. 1981 vërtetohet se në Kosovë dislokoheshin këto forca ushtarake: 2 Brigada Këmbësorie, 2 Brigada Tankiste, 1 Brigadë e Këmbësorisë së Motorizuar, 1 Regjiment Këmbësorie, 1 Regjimenti Parashutist, 1 Regjiment i Artilerisë Kundërtanke, 1 Regjiment Kufitar dhe 3 batalione të ndjekjes. Nga këto erdhën  në përforcim: 2 brigada tankiste (Nr. 211 e 243), përkatësisht nga Nishi e Shkupi; 1 Brigadë e Këmbësorisë së Motorizuar (Nr. 592); 1 Regjiment Parashutist (Nr. 2); 1 Regjiment i Artilerisë Kundërtanke (Nr. 102) dhe 1 Regjiment Kufitar (Nr. 20). (Shih skemën bashkangjitur). Me këto forca u krijua Korpusi 52- të në Prishtinë në përbërje të Armatës 2- të në Nish. Në dorë të komandës të Korpusit 52- të është mbajtur një forcë e transportueshme me helikopter, me përbërje deri batalion, për ta përdorur në ato rajone ku nuk janë dislokuar forca të mjaftueshme të ushtrisë. Këto forca, nga sasia janë të barabarta me forcat e një armate (si të republikave të tjera).

Forcat pjesëmarrëse, të ushtrisë e të policisë, ndërmorën veprime konkrete në bazë të operacionit “Akacija – 81” (Aksioni – 81”, analiza e të cilit u bë më 8. 4. 1981 në komandën e Korpusit 52- të në Prishtinë, me pjesëmarrjen e komandanteve e zëvendësve për punë politike të të gjitha njësive. Për zbatimin e operacionit nuk disponohen hollësi, por nga sa dimë deri tani rezulton se:

– forcat e këmbësorisë realizuan rrethimin e qyteteve e të qendrave të tjera të banuara;

– helikopterët u përdoren për transportimin e shpejt të trupave nga një rajon ne tjetrin ku situata paraqitej më e rrezikshme. Në të njëjtën  kohë helikopterët gjeten përdorim për  lëvizjen e kuadrove kryesorë të ushtrisë brenda territorit të Kosovës. Mendojmë që regjimenti parashutist është sjellë me helikopterë (meqenëse në rajonin e Mitrovicës u ulen forcat e një batalioni me helikopter).

– forca të ushtrisë e të kufirit përforcuan postat e pikat kufitare, sidomos në drejtim të Qafë Morinës, Qafë Prushit (Tropojë) dhe Morinës (Kukës). Komanda e Armatës 2- të në Nish dhe Sekretari i Mbrojtjes gjatë ngjarjeve në Kosovë, interesoheshin posaçërisht mbi gjendjen në kufirin me vendin tonë.

Konkluzion:

  1. Demonstratat e fundit në Kosovë përfshinë mbi 2/3 e territorit (rreth 14 komuna nga 22 që ka Kosovë).
  2. Forcat ushtarake të dislokuara aktualisht në Kosovë, për nga sasia janë të barabarta me forcat e një forcat e një armate (të republikave të tjera), që shënon një rritje në masën 3 herë nga koha para fillimit të demonstratave.

Duke u nisur nga situata e shqetësimit shumë i madh i udhëheqjes jugosllave, mendojmë se këto forca do të qëndrojnë në Kosovë përgjithmonë ose për një periudhë shumë të gjatë.

  1. Forcat ushtarake të përforcimit, u tërhoqën nga Armata e 2 – të dhe e 3- të, përkatësisht në Nish e Shkup, që mbrojnë drejtimet më të rëndësishme (sipas tyre) nga rreziku bullgar dhe i Traktatit të Varshaves.

Duke u nisur nga situata duhet pritur edhe ridislokim forcash ushtarake në federatë, por sidomos në Armatën e 2- të në Nish dhe Armatën e 3- të në Shkup.

Në skemën shpjeguese paraqitet dislokimi aktual i forcave ushtarake në Kosovë, i cili kërkon verifikim të mëtejshëm.

SHEFI I SHTABIT TË PERGJITHSHEM TË USHTRISË

VELI  LLAKAJ

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …