II. Ku lindi Kalifati dhe si ka mbijetuar me shekuj të tërë

Nga Historia e islamit dihet se profeti Muhamed  nuk la pasardhës meshkuj të drejtpërdrejtë. Disa bij të tij kishin vdekur në moshë të re. Vetëm e bija e tij, Fatimja dhe ndoshta edhe disa të bija të tjera,  mbetën pas vdekjes së të atit të tyre por këto nuk kishin vetë bij në moshë të duhur që të luanin rol prijësi. Profeti Muhamed  nuk kishte caktuar as mëkëmbës dhe as ndonjë procedurë për zgjedhjen e një të tilli. Pas vdekjes së tij më 632 u mblodhën krerët myslimanë të bashkësive islamike. Një pjesë e tyre ishte i mendimit se Ai e kishte caktuar kushëririn e tij, Ali ibn Abu Talib-in si mëkëmbësin e vet. Shumica e myslimanëve nuk e besonte këtë dhe përcaktoi rregullat kryesore fillestare për një pasardhës të tillë në post. Sipas tyre një pasardhës i tillë duhet të ishte arab nga fisi i Muhamedit, kurejsh, i cili të ishte nga njëra anë përgjegjës për respektimin e rregullave të besimit islam dhe nga ana tjetër për përhapjen e fesë islame. Shumica e krerëve islamike zgjodhën si pasardhës të profetit Abu Bakr-in, të atin e gruas më të afërt të Muhamedit, Ajshes.

Gjithnjë sipas Historisë islame, në vitin  634 u zgjodh kalifi i dytë Umar ibn al-Khattab-i. Gjatë periudhës së sundimit të tij nisi zgjerimi i shtetit  islamik ku myslimanët arritën të shtrinin zonën e influencës së tyre mbi Sirinë (më 635–636), Irakun (ose Mesopotaminë) (më 636) dhe Egjiptin (639–642). Pas fitores së tyre në Nehavend, në jug të Hamadan-it, Perandoria Sasanide në Iran ra përfundimisht.

 

Osman ibn Affan-i, një dhëndër i Muhamedit, u zgjodh më 644 si kalifi i tretë. Rëndësi mori periudha e sundimit të tij sidomos nëpërmjet përpilimit përfundimtar të kuranit. Por ai vazhdoi edhe me ekspansionin e paraardhësve të tij në post. Kështu më 647 u pushtuan Tripolitania (Libia e sotme) dhe pjesë të tjera të Iranit si dhe u ndërmorën ekspedita të para për në Azinë e Vogël. Me kalimin e kohës Uthman-i i krijoi vetes armiq të shumtë sidomos ndër prijësit ushtarakë dhe myslimanët e zonave të pushtuara si pasojë e favorizimit të fisit të tij umajid gjatë ndarjes së posteve dhe plaçkës së luftës. Më 656 ai u vra në Medinë nga myslimanët kryengritës të Egjiptit dhe Irakut.

 

Kundërshtarët e Uthman-it ishin në radhë të parë përkrahësit e Ali ibn Abi Talib-it, shiitët. Këta bashkë me prijësit e kryengritësve zgjodhën këtë të fundit si kalif. Mirëpo guvernatori i Sirisë Muavija nga fisi i umajjadëve dhe si i tillë i afërmi i Uthman-it, nuk pranoi të bindet gjë që çoi në luftime. Pas betejës së Siffin-it u bë marrëveshje për të bërë bisedime. Një grup myslimanësh, kharixhitët e mëvonshëm, i pa ato si pazarllëk për poste duke braktisur kështu kampin e Ali-ut. Më 661 Ali-u u bë viktimë e një atentati të këtij grupi. I biri i tij Hasan-i hoqi dorë nga pretendimi i fronit kur pa epërsinë e umajjadëve.

 

Muavija themeloi tashmë prej kësaj kohe dinastinë e kalifëve umajjadë. Vëllai i Hasan-it, Husein-i ngriti pretendim për postin e kalifatit pas vdekjes së Muavijës I. Por ai u mund në betejën e Kerbela-së (më 680).

 

Ali-u ishte kalifi i fundit i zgjedhur. Muavija gjatë sundimit të tij vendosi me ligj trashëgiminë e fronit. Prej atëherë kalifë të rinj bëheshin pasardhësit e proklamuar (të shpallur publikisht) ose ky titull i kalohej me anë të luftërave sundimtarëve të tjerë.

 

Pas ardhjes në pushtet të umajjadëve nën sundimin Muavija-s, atyre u duhej më pas të përballonin vazhdimisht lëvizje opozitare të ndryshme. Konflikte shkaktonte legjitimacioni i umajjadëve, të cilët akuzoheshin se në fillimet e fesë islame, ata bënin pjesë në kundërshtarët më fortë të profetit Muhamed. Pas rivendosjes së paqes brenda kalifatit myslimanët mundën të ndërmerrnin përsëri ekspansionin e tyre. Kështu, nën sundimin e Abd al-Malik-ut dhe al-Valid-it u pushtuan në fillim të shekullit të 8-të Magrebi (Afrika Veriore), Andaluzia, Transoksania (sot Uzbekistan) dhe lugina e Indusit. Kalifati arriti në këtë mënyrë shtrirjen e tij më të madhe. Megjithë këto fitore, opozita e shumë myslimanëve vazhdonte akoma. Dobësimi i sundimit të umajjadëve si pasojë e luftërave të brendshme për pushtet prej vitit 744 u përshpejtua nëpërmjet kryengritjes së Abu Muslim-it. Në vitin 749 erdhi në fuqi dinastia e abbasidëve.

 

Pas rrëzimit të umajjadëve nëpërmjet abbasidëve Iraku me kryeqytetein e ri Bagdadin u zhvillua si qendra politike e Kalifatit. Bagdadi u bë njëkohësisht gjithashtu, sidomos nën sundimin e Harun ar-Rashid-it (786–809), siç e kanë përshkruar edhe rrëfimet  e Shehrezades në Njëmijë e një net, një qytet shumë luksoz dhe i pasur si dhe një qendër e kulturës dhe e shkencave të natyrës. Në shekullin e 9-të kalifati arriti kulmin e lulëzimit të tij. Por ekspansioni dhe burokracia kërkonin çmimin e tyre: kalifët u lëshuan gjithnjë e më tepër pushtetin politik ministrave, vezirëve dhe funksionarëve zyrtarë.

 

Kjo gjë çoi prej fillimit të shekullit të 9-të në lindjen e emirateve të pavaruara (ndër të tjera të aghlabidëve, tulunidëve, tahiridëve dhe samanidëve), të cilat ishin vetëm formalisht në vartësi të sundimit të kalifit në Bagdad. Në fillim të shekullit të 10-të lindën në Magreb dhe Andaluzi kalifatet e pavarura të fatimidëve umajjadëve. Nga mesi i shekullit të 10-të kalifët në Bagdad u shfuqizuan politikisht përfundimisht dhe iu nënshtruan prej asaj kohe kontrollit të bujidëve persianë dhe prej vitit 1055 selxhukëve turq. Kalifët mbetën kështu vetëm si krerë fetarë të myslimanëve. Në fakt kalifët arritën gjatë shekullit të 12-të të shtinin në dorë përsëri pushtetin e tyre politik të paktën në Irak, megjithatë kalifati i abbasidëve u shkatërrua më 1258 kur Bagdadi u pushtua nga mongolët me në krye Hylegu Khan-in.

 

Disa abbasidë arritën të arratisen në Egjipt. Më 1261 një princ i abbasidëve u vendos si kalif në Kajro nga sulltani mamluk Bajbars-i. Por pushteti i tij ishte vetëm me karakter spiritual (shpirtëror) dhe pjesërisht vetëm në teori. Këta kalifë mbajtën së shpejti vetëm titullin e zbrazët formal. Pas pushtimit turk të Egjiptit më 1517, abbasidi i fundit u detyrua t’i dorëzonte këtë titull sulltanit turk.

 

Ismailitët, fatimidët shiitë, sipas legjendës pasardhës të Ali ibn Abi Talib-it dhe gruas së tij Fatima-s, e cila i kishte dhënë emrin kësaj dinastie, themeluan kalifatin e tyre më 909 në Ifrikija/Tunizi, zona e sundimit të të cilëve shtrihej nga Algjeria deri në Egjipt, Siri dhe Siçili. Pasi ata arritën më 1059 të shtinin nën kontroll përkohësisht Bagdadin, filloi rënia e tyre si dinasti dhe si përfundim ata u eliminuan më 1171 nga Saladini. Kjo linjë kalifësh ka vazhduar me nizaritët deri tek Aga Khan-i sot.

 

Umajjadi i fundit, i cili kishte mbetur gjallë pas vrasjes në masë të fisit të tij më 750 nëpërmjet abbasidëve, u arratis për në Andaluzi. Atje themeluan më vonë pasardhësit e tij më 929 Kalifatin umajjad të Kordovës. Më 1031 ai u shua duke u copëtuar në disa mbretëri të vogla.

Në shekullin e 12-të dhe të 13-të ngritën pretendime në Maghreb për këtë kalifat almohadët dhe hafsidët.

Kalifët e fatimidëve dhe umajjadëve në Andaluzi nuk arritën dot njohjen në përgjithësi nga ana e sunnitëve ashtu si dhe kalifët almohadë dhe hafsidë.

 Kalifati osman

Duke filluar prej shekullit të 13-të sundimtarë të ndryshëm myslimanë ngrinin vazhdimisht pretendim për titullin e kalifit por që i cili ishte bërë tashmë politikisht pa rëndësi. Megjithatë në vitin 1517 sulltanët osmanë arritën të themelojnë kalifatin osman. Vetëm prej shekullit të 19-të, kur gjithnjë e më shumë të krishterë ishin vendosur në zonat e sundimit mysliman, sulltanët ngulnin këmbë me pretendimin për titullin si krerë fetarë, në mënyrë që të siguronin përkrahjen edhe të myslimanëve jashtë zonës së sundimit të tyre. Pas disfatës së Perandorisë Osmane në Luftën e Parë Botërore, sulltani i fundit Mehmedi VI. u hoq nga posti pas themelimit të Republikës Turke më 1923. Më 1924 qeveria turke e abrogoi kalifatin nëpërmjet ligjit 431. Sulltanit, të cilit i kishte mbetur vetëm titulli „kalif“, u nxor jashtë vendit. Kjo është shkurtimisht historia e Kalifatit, historia e mëkëmbësve të Islamit, ( Interpretuar nga Vikipedia. Internet… )

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, rivarrosen pesë dëshmorët e kombit, në mesin e tyre edhe trupi i Ismet Jasharit, komandant Kumanova (E mërkurë 2 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, rivarrosen pesë dëshmorët e kombit, në mesin e tyre edhe trupi i Ismet Jasharit, komandant Kumanova (E mërkurë 2 dhjetor, 1998)

Isa, Elezi, Luani e të tjerë që në mëngjes janë nisur drejt maleve të Berishës. …