leoni

I. RKL: Ku e kanë origjinën pretendimet e disa qarqeve militante myslimane për Rikthim në Kalifat

Në botën arabe po dështojnë shtetet kombëtare, po përforcohet Kalifati si rrugëdalje e vetme nga kriza, e cila  ka kapluar myslimanët jo vetëm në shtetet arabe por kudo në botë, kështu mendon Kristofer Hill në një analizë lidhur me zhvillimet më të reja në Lindjen e Mesme.

 

 

Ç’është Kalifati?

 

Lajmi për themelimin e Kalifatit Islam u prit me habi dhe shqetësim nga shumë intelektualë, analistë, zyrtarë shtetesh, të cilët njohin sado pak të kaluarën integriste arabe dhe islame përgjithësisht.  Në vendin tonë prijësit fetarë, të frikësuar nga mediet anti islame  dhe qarqet agresive pro serbe, vazhdojnë të heshtin, pa marrë guxim të ballafaqohen me realitetin që po ndodh, larg nga ne në pikëpamje gjeografike, por edhe brenda nesh, për shkak të lidhjeve fetare që kemi me popujt islamë, aq më tepër kur në Irak, në Palestinë, në Siri, Egjipt e gjetkë ka shumë myslimanë  me origjinë shqiptare, ka madje edhe shumë të tillë që kanë ruajtur diçka nga tradita. Po ashtu duke qenë një shoqëri e paorganizuar, gjithnjë si “cungu i kovaçit” mes Lindjes e Perëndimit, me identitet fetar  islamë e të krishterë, dashur pa dashur do të përfshihemi me pasojat e zhvillimeve në Lindjen e Mesme.

Nuk ka forcë shtetërore, politike as fetare që mund të ndalojë individët apo grupet e ndryshme të shqiptarëve që të lëvizin drejt Turqisë, Sirisë apo Irakut. Thjesht kjo është e pamundshme, jo vetëm për ne por edhe për shtete më të konsoliduara. Fakti se në luftën e kryengritësve sirianë kundër diktatorit gjakatar, Bashar Al Assad, po marrin pjesë luftëtarë nga 70 vende të botës, madje edhe nga dhjetëra shtete të Evropës, flet vetvetiu. Proceset e lëvizjes së njerëzve as janë ndaluar as do të ndalen ndonjëherë dhe kjo nuk e bën me faj Kosovën më shumë se shtetet e tjera. Është çështje tjetër se si jemi mësuar ne ta gjejmë dhe ta godasim fajtorin brenda nesh, nëse ai nuk mendon si ne, apo nëse nuk i nënshtrohet bindjeve tona, për të cilat konsiderojmë se janë bindjet e shumicës.

Pavarësisht ligjeve politike që ka nxjerrë Shqipëria, Kosova, të supozojmë mbase edhe ndonjë shtet tjetër, kundër pjesëmarrjes në luftëra, ata janë atje ku po luftohet, deshëm apo nuk deshëm ne, na pëlqen apo jo. Nuk ndalohet dot në rrugën e tij  njeriu që iu beson idealeve, pavarësisht se pajtohemi ne apo jo me ato ideale. Andaj propaganda e zezë kundër luftës në Siri, kundër pjesëmarrjes së shqiptarëve atje, nuk solli stopimin e procesit, por besoj se e ka thelluar dhe do ta thellojë edhe më tej. Ky është edhe qëllimi i disa medieve që me histeri të paparë përhapin një propagandë të ndyrë kundër tërë një bote, duke pretenduar ta inkriminojnë dhe ta paraqesin sa më të zezë. Por bota mbetet ajo që është, me kontradiktat dhe ndeshtrashat e saja, pavarësisht se si i teket një letër-nxirësi apo një analist që tërë ditën bën komente duke shkruar vetë dhe duke i lexuar po ashtu vet, sepse as merr  kush  mundin t i lexojë shkarravitjet e tilla.

 

Historia e Kalifatit, historia e mëkëmbësve të Islamit, e cila është aktualizuar  tani në kushte dhe rrethana të reja historike, kur bota islame ndodhet para sfidave ekzistenciale, në armiqësi jo vetëm me krishterimin por edhe me shumë nga rrjedhat aktuale politike  në botë. Kjo botë e degdisur, e sulmuar nga të gjitha anë, doemos se do të shpërthejë dhe do ta gjejë rrugën e vet, ndoshta jo rrugën më të mirë për mendimin apo këndvështrimin tonë, në Evropë apo në këtë botën tjetër, por kjo mbetet për t u parë.

 

Ku e ka bazën pretendimi për rikthimin e Kalifatit?

 

Sulmi amerikan në Afganistan, me qëllim të ndëshkimit të forcave terroriste të Bin Ladenit, pas shkatërrimit të kullave binjake në Shtetet e Bashkuara, më 11 shtator 2001 pastaj pushtimi i Irakut nga Amerika, kriza e përhershme në Lindjen e Afërt dhe të Mesme, a ashtuquajtura Pranverë arabe, e filluar në një formë të revolucioneve të paorganizuara në një vijë unike dhe në një program të qartë ideologjik, në vitin 2011 që rezultoi me dhjetëra mijëra viktima. Rrëzimi i disa diktatorëve, lufta kundër diktaturës në Siri dhe në disa vende arabe, janë ngjarje që kanë shkak-pasojat e tyre dhe që po e tronditin jo vetëm botën arabe, por edhe atë islame përgjithësisht.

 

Të ndodhur përballë sfidave ekzistenciale të botës së zhvilluar dhe dominuese kapitaliste, populli arab, (kombet e reja arabe) dhe përgjithësisht shtetet me fe islame, ndihen jo vetëm inferiorë, por edhe me ardhmëri të rrethuar e të rrezikuar. Duke qenë pjesëtarë të një populli që dikur kishte ngritur një Perandori shumë të madhe dhe me qindra vite kishte mbajtur nën pushtim shumë vende të Azisë, Afrikës dhe Evropës, myslimanët përgjithësisht dhe arabët veçanërisht nuk mund të pajtohen me faktin se janë kthyer në  robër e skllevër të të huajve dhe të sunduesve të tyre mercenarë e kuislingë. Mendoj se pikërisht në këtë segment po vazhdon të ndërtohet ideja e rikthimit të forcës së dikurshme, të kohës së Kalifëve, kur myslimanët kishin dominuar sidomos Azinë, Afrikën, por edhe një pjesë të Evropës.  Një krenari tjetër për të kaluarën e lavdishme arabe dhe islame përgjithësisht  është edhe Kalifati i sulltanëve, Perandoria  Osmane e cila për 700 vjet të ekzistencës së saj, po ashtu sundoi në tri kontinentet më të populluara të botës.  Këto fakte, kjo kujtesë historike e traditës, doemos se ka shkak-pasojat autentike, të cilat ndryshe i kuptojmë dhe i interpretojmë ne, e krejt ndryshe ata, arabët e islamët, të cilët i  kanë mbetur besnikë traditës fetare të Sheriatit e Kalifatit.

 

Rikthimi i Perandorive

 

Nga shtatë perandoritë më të mëdha të botës, me kohëzgjatje shekullore të dominimit dhe pushtimit, nga pikëpamja fetare, janë edhe tri perandori islame, Perandoria e kalifatit arab, Perandoria Persiane dhe ajo Osmane.  Perandoria greko ilire  e Lekës   së Madh u rrënua përgjithmonë ashtu sikur edhe kishte paralajmëruar Profeti Isai. Perandoria e Romës nuk është rikthyer asnjëherë edhe pse pati pretendime të tilla nga fashisti, Benito Musolini.  As Perandoria e Bizantit nuk është rikthyer në arenën e përgjakshme të historisë. Perandoria franceze dhe ajo ruse nuk kanë pasur jetë të gjatë. Përgjithësisht, perandoritë dhe fuqitë ushtarake të Lindjes, janë treguar më monolitë dhe me këmbëngulës për ta ruajtur traditë, historinë, fenë, kulturën e mbi të gjitha botën shpirtërore, me çka dallohet përgjithësisht besimi monolit islam. Dy t i quajmë perandoritë më të forta dhe më të fuqishme të botës në shekujt 19 dhe 20. Amerika dhe Britania e Madhe nuk kanë qenë as janë perandori në kuptimin e perandorive të cilat i njohim për mizori, dhunë, apo asimilim dhe shuarje të kombeve dhe civilizimeve

 

Përpjekjet që po bëjnë  ideologët e Kalifatit për ta rikthyer forcën e dikurshme, rrugën e vetme të sundimit të Sheriatit, nuk duket të jenë  donkishoteske edhe pse në dukje të parë të lënë atë përshtypje. Të ndodhur përballë sulmeve të pandërprera dhe të pareshtura të Izraelit, të Amerikës, nganjëherë edhe Francës e NATO-s, islamët radikalë po i shtrëngojnë radhët dhe realisht janë në rrugë të konsolidimit. Tërheqja e ushtrisë amerikane nga Iraku, dështimi i pushtimit në Afganistan, mbështetja e heshtur që perëndimi po ia jep Izraelit për të shfarosur palestinezët, janë tri segmente që kanë përforcuar së tepërmi bindjet e ekstremistëve për t’i ngjeshur radhët  duke u mbështetur në parimet bazë të Sheriatit, duke u shtrirë me lehtësi  mbi parimet juridike konvencionale të shteteve të tanishme, të cilat nuk po tregojnë qëndrueshmëri as stabilitet.

Rilindja e Kalifatit, nuk është diçka e papritur në rrethana, në të cilat ndodhet bota  arabe dhe ajo islame përgjithësisht.

Kalifati i sapo krijuar nuk është përrallë e njëmijë e një netëve, as një përpjekje e kotë për rikthim të epokave të sundimit. Ai paraqet forcën numër një të mobilizimit të botës arabe islame, edhe pse për fillim nuk do të përkrahet nga shumica myslimane e botës, aq më pak nga myslimanët shqiptarë, të cilët nuk i lidh asgjë me mesazhet e kalifatit, për faktin se ne edhe territorialisht i përkasim një bote tjetër, por kjo nuk do kalojë pa pasoja, të cilat përgjithësisht do të jenë individuale e grupore por në asnjë mënyrë kolektive. Pleksja e disa ekstremistëve fetarë shqiptarë në luftimet  shumë të përgjakshme që po zhvillohen në Siri, në Irak, apo në Palestinë, nuk e luhat dot tolerancën fetare shqiptare, as nuk duhet lejuar që prej disa shembujve të fryhen fushata të egra mediale sikur ndodh në ndonjë gazetë apo portal, që rron nga gënjeshtra  e sensacioni, pa e njohur të vërtetën, historinë, kulturën, traditën, pa aftësi për t’i perceptuar drejt zhvillimet globale shoqërore ekonomike e politike në rajon dhe në botë.

 

Dashur pa dashur, duhet kuptuar se ligjet e jetës, të historisë, të zhvillimit dhe përparimit kanë rrjedhat dhe ligjshmëritë e  veta dhe përpjekjet për t’ i pasqyruar të deformuara pasojnë me shtimin e deformiteteve, andaj nuk prodhojnë asgjë të mirë.

 

Duke i analizuar rrethanat aktuale në Siri dhe në Irak, ish-zyrtari i lartë amerikan, Kristofer Hill ka shkruar se “Këto procese kërkojnë një qasje politike më të gjerë dhe shumë më gjithëpërfshirëse nga vendet perëndimore. Qasja duhet të marrë në konsideratë sinergjitë e rajonit dhe të mos injorojë faktin që ndryshimet që po dobësojnë këta shtete, nuk kanë lidhje mes tyre. Amerika duhet të ekzaminojë se si e ka menaxhuar shpërbërjen e Sirisë dhe Irakut, dhe të pushojë së trajtuari secilin rast, sikur nuk ka lidhje mes tyre. Amerika kërkoi ndryshim regjimi në të parin, ndërkohë që po kërkon stabilizim regjimi në të dytin. Dhe, në vend të këtyre, tani ka Shtetin Islamik në të dyja…  (Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, rivarrosen pesë dëshmorët e kombit, në mesin e tyre edhe trupi i Ismet Jasharit, komandant Kumanova (E mërkurë 2 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, rivarrosen pesë dëshmorët e kombit, në mesin e tyre edhe trupi i Ismet Jasharit, komandant Kumanova (E mërkurë 2 dhjetor, 1998)

Isa, Elezi, Luani e të tjerë që në mëngjes janë nisur drejt maleve të Berishës. …