LPK-ja, Lëvizje që artikuloi dhe realizoi kërkesën-aspiratë, “Kosova Republikë”, por që u shua nga brenda I

Lëvizja Popullore e Kosovës është njëra ndër organizatat më emblematike dhe më të suksesshme të popullit shqiptar në luftë për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar, prej vitit 1981 e deri në vitin 2001 kur përfundoi lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në ish-Republikën jugosllave të Maqedonisë, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, në gusht të po atij viti.

Fillimi i shuarjes së  aktivitetit të LPK-së ndodhi për shkak se në vitet e pas luftës krerët e saj nuk treguan interesimin e duhur për t’i konsoliduar radhët, por krijuan parti të reja, duke e lënë Lëvizjen të shuhet gradualisht, ashtu sikur edhe ndodhi, në një mënyrë krejt të papërgjegjshme. Në pamundësi për të  gjetur gjuhë të përbashkët për konsolidim dhe veprim, krerët e fundit të LPK-së, të ndarë e të përçarë krijuan Partinë Socialiste të Kosovës, një parti  pa elektorat e cila me disa dhjetëra anëtarë iu bashkua Vetëvendosjes.

 

Janë të shumtë veprimtarët e LPK-së, të cilët kanë shfaqur dhe vazhdojnë të shfaqin pakënaqësi madje edhe zemërim lidhur me katandisjen e kësaj Lëvizjeje emblematike të kombit, e cila në mos më shumë do të duhej të funksiononte si Lëvizje emblemë, meqë ruan një trashëgimi të jashtëzakonshme të aktivitetit politik-patriotik, që lidhet me përpjekjet e popullit tonë për liri dhe bashkim kombëtar.

Pavarësisht se tashmë është fituar bindja se LPK-ja i përket së kaluarës, mendoj se ajo rron  në mendjet dhe zemrat e anëtarësisë së gjerë, të atyre veprimtarëve dhe luftëtarëve të lirisë, të cilët veprimtarinë atdhetare e kanë të lidhur ngushtë me këtë lëvizje. Është për keqardhje që krerët e saj, ata që kanë bartur mbi supe barrën e rëndë të aktivitetit 30-vjeçar sot nuk organizojnë as edhe një përvjetor kujtimi për aktivitetin e LPK-së.

 

Nëse është thënë dhe thuhet me dashakeqësi se Revolucioni i ha bijtë e vet, me LPK-në ka ndodhur e kundërta, bijtë a saj e kanë shpërdorur dhe kanë hequr dorë në mënyrë të pandershme dhe të papërgjegjshme nga  LPK-ja. Mbase është i vrazhdë ky konstatim, por duke qenë se me këtë lëvizje identifikohen edhe personalitetet më emblematike të kombit, në mesin e tyre edhe shumë dëshmorë, nuk do të duhej lejuar në asnjë mënyrë që LPK-ja të shuhej, kështu sikur e kanë shuar “bijtë” e saj shkapërdarë. Janë të shumtë veprimtarët në Kosovë dhe në mërgatë, të cilët nuk po e pranojnë shuarjen, por deri tani nuk kanë arritur të organizohen, me qëllim për ta ribërë këtë lëvizje e cila ka një histori të begatshme, në mos historinë më të begatshme dhe më kredibile të luftës për liri dhe pavarësi të Kosovës.

 

Historia aktive 30-vjeçare e LPK-së ka pasur baticat dhe zbaticat e saja, ka pasur momente ndarjeje  e përçarjeje, ka pasur  edhe momente tronditëse, por duke qenë një Lëvizje revolucionare, e cila përfaqësonte zërin e vegjëlisë, artikulonte zërin kryengritës të shqiptarëve të shtypur e të robëruar, ajo arriti t’i mbijetojë të gjitha sfidat, me të cilat ishte ballafaquar dhe u bë forca e organizuar  numër një, që luftonte me të gjitha format e metodat Jugosllavinë titiste, rankoviqiste, si dhe kolaboracionistët  në radhët e shqipfolësve dhe mercenarëve, që i kishin shërbyer dhe për shumë kohë do t i shërbenin me shumë zell atij regjimi.

 

LPK-ja është e vetmja organizatë shqiptare në trojet e pushtuara, e cila në kushte dhe rrethana të okupimit klasik, nën një regjim despotik e policor mbijetoi për 30 e më shumë vjet dhe e cila realizoi një pjesë mjaft të ndjeshme të programit kombëtar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878 dhe të programit të Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, të Adem Demaçit, të vitit 1963. LPK-ja, anëtarësia e saj, ka meritën e pakontestueshme të organizmit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të UÇPMB-së dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe pjesëmarrjes së anëtarësisë së saj  në tri këto luftëra çlirimtare.

 

Prej vitit 1881, kur Lidhja Shqiptare e Prizrenit mori goditje të rëndë nga Perandoria Osmane, e deri në lindjen e LPK-së (fillimisht LPRK) në vitin 1981, kishin kaluar 100 vjet. (Gjatë kësaj periudhe një shekullore, më 28 Nëntor të vitit 1912 ishte shpallur shteti i pavarur i Shqipërisë, ndërsa dy të tretat e territoreve shqiptare kishin  mbetur jashtë kufijve, meqë ato me lejen e Fuqive të Mëdha  i kishin aneksuar: Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia.

 

E pushtuar nga Italia Fashiste, në vitin 1939 e çliruar me forcat e veta, gati një viti para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, e lidhur me koalicionin botëror Antifashist, Shqipëria londineze nuk arriti asnjëherë të bëhej Piemont fizik, veprues politik e ushtarak i bashkimit kombëtar të shqiptarëve, për shkak se shtetet fqinje dhe Fuqitë e Mëdha nuk lejonin në asnjë mënyrë rishikimin  e kufijve, dhe nuk i përfillnin aspiratat e ligjshme dhe të natyrshme të  shqiptarëve për krijimin e një shteti unik, shqiptar, mbi principe të lirisë, barazisë dhe vetëvendosjes, ashtu sikur për të gjitha kombet.

Në kushte dhe rrethana të tilla, shqiptarët që kishin mbetur në trojet e robëruara asnjëherë, në asnjë ditë, javë, muaj apo vit nuk e kishin ndaluar veprimtarinë e tyre në drejtim të çlirimit dhe bashkimit kombëtar.

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, Jugosllavia shfuqizoi Rezolutën e Konferencës së Bujanit ( 31.12. 1943-1. 2. 1. 1944) e cila parashihte që pas luftës Kosova t’i bashkohej Shqipërisë dhe në gusht të vitit 1945, mori vendim për mbetjen e Kosovës nën Serbi-Jugosllavi.)

A.Q.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, rivarrosen pesë dëshmorët e kombit, në mesin e tyre edhe trupi i Ismet Jasharit, komandant Kumanova (E mërkurë 2 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, rivarrosen pesë dëshmorët e kombit, në mesin e tyre edhe trupi i Ismet Jasharit, komandant Kumanova (E mërkurë 2 dhjetor, 1998)

Isa, Elezi, Luani e të tjerë që në mëngjes janë nisur drejt maleve të Berishës. …